Baret dhe restorantet e nisën vitin 2023 me rënie të konsumit për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të shportës ushqimore dhe pasigurisë për shpenzimet që krijoi te konsumatori vazhdimi i luftës Rusi-Ukrainë. Por gjatë këtij sezoni turistik, strukturat e shërbimit sipas Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve kanë rritje konsumi 10% krahasuar me vjet, për shkak të turistëve.
“Pavarësisht trumbetimit për numër të lartë të turistëve këtë vit, 50 deri në 70% e tyre janë turistë ‘me çantë shpine’ që kërkojnë kryesisht gatime tradicionale shqiptare. Shumica e restoranteve në bregdetin e Jugut nuk ofrojnë gatime tradicionale. Shërbehet më tepër ushqim me bazë peshku apo përpunime të tjera ushqimore më cilësore dhe më të shtrenjta. Të gjithë këta faktorë ndikojnë te konsumi. Pozitive është që konsumi këtë vit është rritur”, thekson z. Jahja.
Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i përhapur në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.
Turizmi rrit në nivele të larta konsumin e produkteve të bulmetit në qytetet e Juglindjes
Rritja e numrit të turistëve ka dhënë efekte pozitive edhe te konsumi i produkteve të bulmetit në qytetet e Juglindjes, si Pogradeci dhe Korça. Për një nga fabrikat kryesore të prodhimit të produkteve të bulmetit në Juglindje të vendit, shitjet gjatë sezonit turistik kanë qenë në nivele të larta. Ndikim te konsumi kanë dhënë jo vetëm turistët e huaj, por edhe ata vendas, kryesisht nga qytetet si Tirana apo Elbasani që vizitojnë juglindjen për shkak të temperaturave të ulëta.
Taulant Pupa tha se krahasuar me vjet, shitjet e produkteve të bulmetit janë rritur 30%. Z. Pupa pohon se është hera e parë që regjistrohet rritje në këto nivele dhe kjo është tërësisht për shkak të fluksit të lartë të turistëve të huaj dhe vendas. Ai thotë se produktet më të shitura në markete, hotele dhe restorante kanë qenë djathi i bardhë, kaçkavalli dhe kosi.
“Për këtë sezon, shitjet janë jashtë çdo parashikimi. Nivelet janë të kënaqshme. Kompania jonë tregton produktet e bulmetit në qytetin e Pogradecit, Korçës dhe Tiranës. Rritja e shitjeve ka ardhur tërësisht nga numri në rritje i turistëve si të huaj, edhe vendas”, pohoi ai.
Rritje të lartë në periudhën janar-korrik kanë shënuar edhe importet e qumështit. Sipas të dhënave të Doganave, importet për 7-mujorin 2023 u rritën 29% më shumë se vitin e kaluar. Më herët, një nga operatorët kryesorë vendas të përpunimit të qumështit pohoi për “Monitor” se, pavarësisht se në këtë periudhë prodhimi i qumështit të lopës është stabilizuar dhe çmimi është ulur, të hyrat nga jashtë janë të larta, për shkak të leverdisë së çmimit.
“Prodhimi i qumështit të lopës në këtë periudhë është stabilizuar dhe ka mjaftueshëm në treg. Çmimi i shitjes së qumështit nga fermeri është ulur nga 90 lekë me TVSH, në 80 deri 83 lekë me TVSH për litër.
Por prodhimi është i pakët, ndërsa çmimi jashtë është më i lirë. Në Hungari, nga ku po furnizohemi, çmimi i qumështit është 76 me TVSH plus taksën 10%”, u shpreh një nga drejtuesit e fabrikave të përpunimit të qumështit. Taulant Pupa pohon se çmimet e qumështit të lopës nga fermeri variojnë sipas sasisë së prodhimit. Sipas z. Pupa, fabrika aktualisht po furnizohet nga fermerët me qumësht lope, me çmim 65 lekë për litër, nga 85 lekë për litër që arriti çmimi në muajin qershor. Ai shton se në muajt e ardhshëm, fabrika do të vijojë prodhimin për magazinimin e produkteve të bulmetit, pasi sezoni i prodhimit të laktacionit të deles është drejt përfundimit, ndërsa ai i dhisë mbyllet në fund të muajit shtator./Monitor