Aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj, ka konfirmuar së fundmi se i është futur politikës.
Ai i është bashkuar Adriatik Lapajt, i cili do të hapë një parti të re.
“Përshëndetje, unë jam Florjan Binaj. Shtetet e mëdha i kanë bërë njerëzit ëndërrimtar, njerëzit mendjendritur, njerëzit punëtorë dhe mbi të gjitha ata që janë dhe që e duan atdheun.
Fatkeqësisht në vendin tonë gjatë këtyre 33 viteve të paskomunizmit kanë ikur nga Shqipëria më shumë shqiptarë nga ç’kanë ikur nga 500 vite pushtim osman, nga një luftë ballkanike dhe dy luftra botërore, nga 50 vite komunizëm të mbledhura së bashku.
Ne nuk mund të krijojmë zgjidhje me të njëjtat mjete që kemi krijuar këto probleme. Prandaj në këto momente teper të rëndësishëm pa ligjin e referendumeve, pa votën e emigrantëve, pa depolitizimin e administratës dhe pa ndryshimin e kodit zgjedhor, Shqipëria jo 33 vite por as 333 vite nuk do i dalin për ta bërë sërish Shqipërinë një vend të begatë.
Shqipëria bëhet”, dëgjohet të thotë Binaj në një video-mesazh në Instagram.
Ndërkohë një reagim ka ardhur edhe nga Adriatik Lapaj, i cili përmes një postimi në rrjete sociale shkruan se kushdo që ka vlera për të kontribuar në ndryshimin e atdheut, është i mirëpritur në ekip. ( S.M )