KISHA E NOLIT, KISHA GREKE DHE VATRA NË MES TYRE

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje
Nga Valentin Lumaj
13 Shtator 2023
***Disclosure: Qëndrimi im kritik më poshtë ndaj Kishës ortodokse greke, nuk kanë të bëjë në asnjë rast me besimin ortodoks, të cilin unë e respektoj mbasi unë jam vetë i krishterë. Qëndrimi im mbështetet në opinionin tim mbi karakterin ultra-nacionalist të Kishës greke dhe përpjekjeve të pandërprera të saj për të kapur apo shkatërruar Kishën Autoqefale shqiptare. Qëndrimi mbrojtës ndaj Kishës Autoqefale shqiptare mbështetet mbi faktin Kisha ortodokse shqiptare i ka rrënjët në gjakun e priftërinjëve martirë shqiptarë të masakruar nga Kisha Greke dhe në përpjekjet dhe suksesin e Nolit për ta ndarë Kishën ortodokse shqiptare nga ajo Greke.
Gazeta Dielli në artikullin e saj të datës 22 Maj 2023 (shih linkun me poshte), shkruan një lajm bombastik në lidhje me një aktivitet madhor për hapjen e degës së Vatrës në Boston: “…ditë historike për Federatën Pan-Shqiptare Vatra, u riorganizua dega e parë e Vatrës…Dega e Bostonit. Atë Theofan Koja…do të udhëheqë degën e Vatrës në Boston…” dhe shpallte se kush do të jetë nënkryetar dhe sekretar I kësaj dege. Diku tjetër shkruhej për një riaktivizim te kësaj dege. Publiku shqiptar përfshi edhe mua e morëm si të mirëqenë faktin se tani kemi një degë të re të formuar në Boston. Me qindra mesazhe urimi vërshuan në gazetën Dielli dhe në adresë të Vatrës. E vërteta është se në Boston nuk është riorganizuar, as riaktivizuar e as formuar dega e Vatrës.
Vetë pjestari i kësaj mbjedhje, vatrani i nderuar, po ashtu kryetar i shoqatës Besa-Besën në Boston, Petrit Alibeaj, indirekt e pergënjështroi këtë lajm. Në një postim të tij në Facebook ai tha se vetëm është formuar një komision për riorganizimin e degës, me kryetar At Theofan Koja dhe të tjerë. Pra, Gazeta Dielli dhe Vatra, pak-a-shumë kanë manipuluar publikun me atë lajm, ndoshta për të fituar kredo, por e gjitha kjo një propagandë e pështirë dhe një farsë e rradhës e drejtuesve të saj, por që mund të ketë pasoja të dëmshmë dhe të rrezikshme për Vatrën dhe Kishën Autoqefale shqiptare. Arsyen që mendoj kështu, do ta shpjegoj më poshtë.
Nga ana statuore, akti i Vatrës duke emëruar apo shpallur drejtuesit e strukturave të një dege, është një akt jo demokratik dhe jo i bazuar në Kanunore. Sipas Kushtetutës së Vatrës, një degë ka strukturat e veta, dhe Kuvendi i degës zgjedh kryetarin e degës, dhe jo me komandim nga lart sikurse u veprua me degën imagjinare në Boston. Vetë kryesia e Vatrës është jo vetëm në thyerje të Kanunores, por edhe në konflikt interesi me paracaktimin e drejtuesve të degës.
Vitet e fundit, degët e Vatrës janë krijuar jo nga një pjesëmarrje e lirë dhe e vetvullnetshme e anëtarësisë apo komunitetit, por “si me zor” nga lart, me tendencën për të gjetur dhe emëruar individë, miq dhe shokë, të cilët mund ti përdorin si ‘leverage” apo si leva në proceset e votimeve apo për rizgjedhje, duke i vendosur aty indefinitivisht, tamam si “barbie dolls”, që flasin vetëm kur “ju shtypin butonin”. Kjo përbën një lloj të veçantë të korrupsionit nepotik. Diçka e ngjashme po tentohet të realizohet edhe në Boston. Ndryshimi është se tani kemi të bëjmë me një klerik, At Arjan (Theofan) Koja, një risi kjo në Vatër.
Edhe nga ana kuptimore, riorganizim do të thotë që në një degë e shpërndarë, anëtarët e saj mblidhen prapë dhe riorganizojnë degën. Ndërsa riaktivizim do të thotë, kur një degë egzistuese që nuk ka qenë inactive për një kohë dhe tani riaktivizohet. Faktikisht, dega e Bostonit ka dekada që është shuar dhe asnjë anëtar i saj nuk është gjallë apo nuk ishte pjesë e atij takimi. Pra nga dega e dikurshme e Bostonit nuk ka çfarë të riorganizohet e as çfarë të riaktivizohet. Normalisht që mund të flitet për krijimin e një dege të re, por që as ajo nuk ka ndodhur.
Po çfarë ka ndodhur?
Nga informacionet që kam, para disa muajsh ka pasur një takim dhe një dakortësim në mes kryetarit të Vatrës dhe At Theofan Koja në Boston, në atë kohë shërbente në Kryekishën e Shën Gjergjit, për krijimin e degës së Vatrës atje.
Ka pasur jo vetëm entuziazëm në Vatër, por vetë kryetari Berisha bëri disa dalje në televizion duke e paralajmëruar krijimin e kësaj dege të famshme. Në gazetën Dielli, u shpall edhe dita e mbledhjes dhe krijimit të degës së Bostonit.
Di që, vetë At Theofan Koja i ka bërë një kërkesë apo ftesë bordit të Kishës së Shën Gjergjit ku ai shërbente, për t’u bërë pjesë e riaktivizimit të degës së Vatrës në Boston. Përgjigja e Bordit ka qenë negative, e qartë dhe e prerë, siç shkruhet në letër, “vehemently oppose”, pra e kanë kundershtuar me forcë ftesën dhe përfshirjen e Kishës së Shën Gjergjit në Vatër.
Megjithatë mbledhja e paralajmëruar u realizua e 21 Maj 2023. Atje vërshuan pothuajse e gjithë kryesia e Vatrës, nga New York-u, nga Florida dhe Michigani me shpresën që tashmë në Boston nga Kisha e Nolit do të formohej dega e Bostonit. Kush s’ka mend, ka këmbë, ka thënë i moçmi.
Nga mbledhja e grupit pjesëmarrës, në gazetën Dielli u publikuan disa foto në Kishën e Shën Gjergjit, brenda dhe jashtë saj. Në fakt mbas refuzimit të prerë, mbledhja nuk është bërë në ambientet e Kishës, por në një PICERI!!!! Ky fakt nuk thuhet askund në njoftimin e Vatrës. Nuk ka pasur komunitet, nuk ka pasur anëtarësi, nuk ka pasur votime e as zgjedhje, por është “komanduar” kush do të jetë kryetar, nenkryetar, sekretar e me rradhë. Në dijeninë time, ka pasur debate të forta dhe z. Petrit Alibeaj dhe z. Fuat Mehmeti kanë kërkuar që të procedohet sipas Kanunores, por që kanë marrë një përgjigje se gjoja nuk kanë Kanunore sepse është duke u printuar!!!!!!. Mbas kësaj mbledhje, kryesia e Vatrës së bashku me At Theofanin kanë shkuar nga piceria tek kisha e Shen Gjergjit sa për të bërë foto.
Unë kam rreth 20 vjet qe kontribuoj në Kishë dhe jam afer priftërinjëve dhe oborrtarëve të kishave, prandaj e njoh, e di dhe vlerësoj rolin e klerikëve në komunitet, si largpamës, si intelektualë, si mendimtarë që gjithmonë ke se çfarë mëson prej tyre. Pa i parashikuar lëvizjet e fundit të At Theofanis Koja dhe përtej falcitetit idiot dhe të panevojshëm të kryesisë së Vatrës, unë e kam pëlqyer dhe mirëpritur angazhimin e At Theofanit në Vatër si një vlerë e shtuar për vetë Vatrën.
At Theofani ka shërbyer rreth 20 vjet në kishën Rumune, por nga ana tjetër ka pasur mardhënie të mira me Vatrën, por edhe me drejtuesit e mëparshëm të Kishës së Shën Gjergjit, vëllezërit Liolin etj. At Theofani, ka marrë pjesë në Darken e 100 vjetorit të Vatrës, dhe ka mbajtur një fjalë të pëlqyeshme në atë Darkë. Ai është një njohës i mirë i gjithë historisë dhe aktivitetit të Vatrës.
Por mbas asaj mbledhje, gjërat precepituan në mënyrë të paparashikueshme. Me një vendim, nëpërmjet një dokumenti zyrtar, Bordi i Kishës së Shën Gjergjit e liroi At Theofan Kojën nga detyra që kishte në Kishën e shën Gjergjit, (ndoshta nga mosbindja e tij për të mos u përfshirë në Vatër), dhe e transferuan në një Kishë tjetër motër, në Worchester, duke filluar nga data 1 Qershor 2023. Nga ana tjetër, At Theofani, kishte filluar me kohë kontaktet me Kishën ortodokse të Trinisë Shenjte në Boston, që varet nga kisha greke apo nga Patriarkana e Stambollit.
Si një rrufe në qiell të hapur, para disa ditësh në media doli lajmi se At Theofan Koja ishte zgjedhur nga sinoidi i Patriarkanës së Stambollit, pra Kisha greke, Peshkop në Kishën e Trinisë së Shenjtë në Boston, “…për popullatën shqipfolëse ortodokse të Amerikës”, sikurse shkruhet në vendimin e tyre të bërë publik (shih linkun me poshtë). Ortodoksit shqiptarë në atë vendim të Sinoidit grek, jo rastësisht dhe jo pa qëllim quhen “shqipfolësit ortodoksë”, pasi sipas Kishës greke shqiptarët ortodoksë janë grekë dhe jo shqiptarë, prandaj i quajnë “shqipfolës”. Po ashtu At Theofanis është betuar solemnisht se “… betohem të ruaj të drejtat e Fronit Apostolik, Patriarkal dhe Ekumenik të paprekura dhe të pandryshuara deri në frymën e fundit dhe… i nënshtrohem në gjithçka Zotit dhe Patrikut Ekumenik Bartolomeos…”.
Zhvendosja apo katapultimi i befasishëm i tij nga Kisha e Nolit në një Kishë që varet nga patriarkana e Stambollit, nga e cila, Kisha Autoqefale shqiptare është e pavarur që nga viti 1922 (aprovuar në vitin 1937), shugurimi i tij Peshkop në një kishe greke tani me emrin grek Theofanis, janë akte shumë të dyshueshme.
Këto akte të At Theofanis, i kanë komplikuar gjërat me pjesën e shëndoshë të Vatrës, të cilët janë të shqetësuar dhe veprimet e tij mund të lexohen si një tradhëti ndaj Kishës së Nolit, si një dezertim, apo shërbim ndaj kishës greke. Kjo edhe për faktin se, Kisha e Trinisë në Boston që varet nga Kisha Greke, e ka sulmuar ashpër dhe sistematikisht Nolin dhe Kishën e tij Autoqefale. Kisha e Trinisë ishte shkëputur dhe ishte krijuar për të shkatërruar Kishën e Nolit.
Si rezultat, ka gjasa që në Vatër të jetë krijuar një reaksion dhe vatranët nuk do ta miratojnë At Theofanis që të drejtojë një degë të Vatrës. Një peshkop i kishës greke nuk mund të drejtojë Vatrën e Nolit, peshkopit të parë të Kishës ortodokse shqiptare.
Megjithatë, gjërat nuk janë të ndara si me thikë. Duhet që të shkojmë pak më thellë dhe të shohim disa detaje, ndoshta të panjohura nga shumë vatranë dhe publiku, dhe dukshëm, kryesia e Vatrës nuk është në koherencë me këto zhvillime.
Kalimi i At Theofanis nga Kisha e Nolit në një Dioqezë në varësi të kishës greke dhe që ka vetëm dy kisha shqiptare në Amerikë, është dënuar edhe nga një prift shqiptar, At Foti Cici, i cili njihet si Nolian dhe mbështetës i Kishës Autoqefale shqiptare. At Foti Cici, në një postim të tij shkon më tej dhe vendos Federatën Vatra dhe Elmi Berishën në unison me qarqe të errëta shqiptaro-amerikane.m (shih linqet me poshte).
Po ashtu, në një letër publike, Sekretariati i Sinoidid të shenjtë të KOASH në Shqipëri, e akuzon At Theofan Kojën se në vazhdimësi ka krijuar probleme përçarëse gjatë rindërtimit nga rrënojat të Kishës së shumëvuajtur të Shqipërisë (shih linkun me poshte).
Nga ana tjetër, nuk është e qartë nëse Kryekisha e Shën Gjergjit vazhdon akoma të jetë një kishë Noliane? Nuk dihet shumë për mardhëniet e Vatrës me Kishën e Shën Gjergjit. Unë personalisht kam frigë se po ndodh gradualisht një transformim apo amerikanizim i Kishës së Shën Gjergjit dhe Kishave të tjera shqiptare në Amerikë që varen nga ajo dhe kjo Kisha e Nolit “i ka ndarë lakrat” me Federatën Vatra, megjithëse të dyja entitete të themeluara nga vetë Noli.
Këtë konstatim e marr edhe nga një përgjigje që bordi i Katedrales së Shën Gjergjit i dërgoi At Theofanit për riaktivizimin e degës së Vatrës në Boston. Në përgjigje, që e kam siguruar në forma të ndryshme, Bordi i Kishës shkruan se:
“…Kisha jonë nuk duhet që të përzihet me një entitet siç është Vatra. VATRA është një organizatë politike dhe me pikëpamje të përcaktuara që nuk përputhen me bindjet dhe pikëpamjet e Kishës tonë…”. (shih foton me poshte).
Kjo përgjigje përmban një qëndrim shumë e fortë anti-Vatër, dhe duket si një divorc dhe hendek i thellë i kishës së Shën Gjergjit më Federatën Vatra.
Gjërat janë të paqarta dhe po zhvillohen dita-ditës, por është e qartë se vendimi i Elmi Berishës për të emëruar At Theofanis Koja në krye të Vatrës Boston dhe emërimin e këtij të fundit nga kisha greke si Peshkop i Kishës e Trinisë në Boston, qartazi është një fitore e madhe e lobit grek dhe humbje e madhe per Vatrën historike dhe Kishën Autoqefale si dy trashegimitë e arta që Noli i la Shqiptareve
Për mendimin tim, drejtuesit e Federatës Vatra, nuk janë në koherencë me zhvillimet në Diasporë, e sidomos me Kishën e Shën Gjergjit. Unë kam dyshime të forta se kanalet e komunikimit të Kryesisë së Vatrës dhe Kishën e Shën Gjergjit në tre vitet e fundit janë ndërprerë. Ka disa vjet që nuk kemi parë priftërinj apo përfaqësues të kishës së Nolit në Vatër. Në disa vizita të Kryetarit të Vatrës në Boston, nuk kemi parë asnjë zyrtar të Katedrales së Shën Gjergjit që të takohet më kryetarin Berisha.
Nga ana tjetër mendoj se nuk ka qenë rastësi që Elmi Berisha pasi u zgjodh kryetar, në shator 2020, në kulmin e pandemisë priti me ceremoni në shtëpinë e Vatrës, At Ilia Katre, Peshkopin në atë kohë të Kishes greke Shën Trinisë në Boston. (shih linkun me poshte).
Jo për harresë, gjatë asaj vizite në Vatër, at Ilija Katre nuk e permendi as edhe një herë të vetme Kishën Autoqefale apo emrin e Nolit. S’kishte se si, Noli dikur ka qenë armiku i tyre. Por çudia më e madhe ishte se, në ceremoninë e pritjes, në fjalën e tij të gjatë, as kryetari i Vatrës Elmi Berisha nuk e zuri me gojë emrin e Nolit e as Kishën e Shën Gjergjit. Kjo sigurisht që nuk i ka shërbyer mardhenieve deri atëherë miqësore të Kishës së Shën Gjergjit me Vatrën.
Mbas pak ditësh, me 16 Shtator, në Katedralen e Shën Gjergjit do të shugurohet Peshkopi i ri i Kryekishës, At Nikodhim (Preston). Nga informacionet që kam, as kryetari e as nënkryetari i Vatrës nuk do të marrin pjesë në këtë aktivitet madhështor. Çfarë e pengon kryetarin Elmi Berisha që të shkojë në shugurimin e kryepeshkopit të Kishës së Nolit? Sigurisht që ai do ta gjejë justifikimin, por qartazi duket se ka një çarje në mes Kishës së Shën Gjergjit dhe Vatrës.
Megjithatë, jam i sigurtë se brenda Vatrës ka Nolianë dhe Konicianë që do ta përfaqësojnë denjësisht Vatrën në ditën e madhe të shugurimit të At Nikodhim, si peshkop në Kishën e Nolit me 16 shtator.
Si përfundim, nëse ka një divorc të Kryekishës së Shën Gjergjit me Vatrën, kjo ka shumë mundësi që të ketë ndodhur që me lidhjet e fshehta, sikurse shkruhet gjithandej, të kryetarëve të fundit të Vatrës me qarqet greke në Amerikë. Po ashtu edhe për shkak të aktivitetit të “politikës kombëtare” së fundmi të kryesisë së Vatrës, me tentativat e saj për të hapur degë në Shqipëri e Kosovë, për të paraqitur kandidatë politikë në zgjedhjet elektorale në Shqipëri dhe Kosovë, në Memorandumet e pakuptimta të bashkëpunimit me shtetet shqiptare, më qëndrimet konfuze dhe nganjëherë antishqiptare në lidhje me Kosovën, me denoncimet publike të vatranëve në lidhje me abuzimet dhe shkeljet statuore që po ndodhin në Vatër?
Për mendimin tim, drejtuesit e Vatrës po veprojnë në mënyrë të çoroditur duke vrapuar mbas sukseseve të rreme, ku falsiteti dhe propaganda janë evidente në të gjitha aktivitetet e saj publike, ku drejtuesit nuk zbatojnë kushtetutën e Vatrës, ku vetë Federata funksionon në një kaos të plotë pa Kanunore valide, që ka çuar në revoltën e shumë vatranëve.
Unë mendoj se situata nëVatër sot është një emergjencë kombëtare për t’a shpëtuar atë nga individë që po përpiqen që t’ja zhdukin rrënjët Noliane Vatrës dhe Kishës së Shën Gjergjit, është një emergjencë për ta shpëtuar Vatrën nga kapja përfundimtare e sigurimit të shtetit dhe agjenturave të tjera.
Vatra është shquar dhe prapë nuk do ti mungojnë burrat e mëdhenj e patriotë, tashmë nga brenda Vatrës duhet që të shpërthejë fuqishëm krahu nacionalist atdhedashës, krahu konservator, krahu anti-revolucionar dhe anti-komunist, dhe shpresoj që së shpejti Vatrës ti bashkohen njerëz të mëdhenj të letrave shqipe dhe intelektualë të mirfilltë dhe të gjithë bashkë të marrin fatet e Vatrës në dorë për të vazhduar shërbesën e saj ndaj kombit nga aty ku e la zemërthyer i ndjeri Dr. Gjon Bucaj.
Valentin Lumaj/Michigan
Referencat:
Mbledhja e Vatres per degen e Bostonit:
Emerimi Peshkop i At Theofanis (Arjan) Koja nga Filomenioni i Stambollit.
Deklarate e KOASH, Kishes Autoqefale Shqiptare për Theofan Kojen:
Ceremonia e pritjes te peshkopit te Kishes greke At Ilia Katre në Vater në Gazeten Dielli:
Postimi i At Foti Cici, “Janullatosi kap Vatren”:
Postim i At Foti Cici, Janullatosi, Patriakana dhe Arjan Koja:

Të fundit

Mallorca ndal në barazim Barçën në shtëpi, Vedat Muriqi fantastik me gol dhe asist

Mallorca rezulton “kockë” e fortë ndaj Barcelonës në javën e shtatë të La Ligës, duke barazuar me shifrat 2-2,...

Juventus mposht minimalisht Leccen dhe vijon ndjekjen ndaj Interit kryesues

Juventus-Lecce çelën javën e gjashtë të Serie A, me “bardhezinjtë” që fituan minimalisht, 1-0 në “Allianz Stadium”, ndërsa miqtë nga ana tjetër pësojnë humbjen...

Kurti: Në Bruksel, Vuçiç tha se Radojçiç do të bëhet “Adem Jashari i serbëve”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zbuluar detaje mbi deklarimet që ka bërë presidenti i Serbisë në takimin e 2 majit në Bruksel.  Me...

Pas disfatës në Kukës, flet për herë të parë Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë për disfatën në Kukës, duke vijuar me avazin e vjetër. Në një emision televiziv ai...

Basha akuzon Serbinë: Skenar sekret për të marrë nën kontroll veriun e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi ngjarjen më të fundit nga veri i Kosovës, ku një grup i armatosur sulmuan ditën e diel...

Lajme të tjera

Web TV