Kombëtarja rumune e futbollin merr një dënim të rëndë për shkak të banerit të shfaqur nga tifozët e kësaj skuadre në sfidën me “dardanët” ku shkruhej: “Kosova është Serbi”.
UEFA ka vendosur ta gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 52 mijë euro dhe ndeshja e radhës e organizuar në shtëpi do të luhet me dyer të mbyllura.
Kështu, në vijim të sanksionit të diktuar nga UEFA, ndeshja Rumani – Andorrë, e planifikuar për 15 tetor, nga ora 21:45, do të luhet pa shikues.
Megjithatë, UEFA ka vendosur të lejojë hyrjen FALAS për fëmijët nën 14 vjeç, të organizuar në grupe, nga mjediset e arsimit parashkollor dhe shkollor, shkollat e futbollit, grupet e të rinjve të klubeve të futbollit, me vetëm një shoqërues për çdo grup me 10 fëmijë.
“Federata Rumune e Futbollit hedh poshtë sjelljen e papërgjegjshme të grupit të shikuesve nga sektori i jugut që çoi në ndërprerjen e ndeshjes me Kosovën dhe ripërsërit parimin sipas të cilit qeveriset futbolli në Rumani, përkatësisht mosndërhyrja e politikës në sport.
Gjithashtu, FRF dënon ashpër mesazhet provokuese me karakter politik, ideologjik, fetar apo fyes, të cilat janë kategorikisht të ndaluara në stadiume.
Njëkohësisht presim me interes nga organet kompetente rezultatet e hetimit ligjor sipas fakteve të kryera nga shikuesit që shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes me Kosovën,” shkruhet në një reagim të Federatës Rumune të Futbollit.