Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se Shqipëria mori nismën për krijimin e “Aleancës Humanitare” në OKB dhe deri tani janë siguruar 11 miliardë dollarë donacione. Si po e shfrytëzon Shqipëria drejtimin e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB dhe nismat që pritet të trajtohen me liderët botërorë.
Si vend drejtues në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Shqipëria propozoi krijimin në OKB të “Aleancës Humanitare”, fondet e të cilës do të përdoren për emergjenca humanitare në vende të ndryshme të botës. Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka folur për këtë nismë e cila sipas propozohet për herë të parë në historinë e Këshillit të Sigurimit, e madje nga një vend anëtar i përkohshëm siç është Shqipëria. Kreu i qeverisë tregoi edhe pse ndërmori këtë nismë, e cila sipas tij ka marrë jetë nisur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit që goditi vendin tonë, ku miq aletatë u gjendën pranë me ndihma. “Kur u goditëm nga tërmeti qemë të bekuar se patëm miq dhe nuk na lanë vetëm as Bashkimi Europian, as Turqia, nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga shumë të tjerë të cilët na ndihmuan ndërkohë që qysh prej momentit të parë ishte e jashtëzakonshme të shihje ekipet e shpëtimit të vinin nga mbarë Europa e madje dhe nga Izraeli për të të ndihmuar me shpëtimin e njerëzve që ishin ende gjallë nën rrënoja”, tha Rama. Megjithatë Rama theksoi në takim se vlera për të përballuar emergjancat humanitare llogariten në rreth 55 miliardë dollar, por deri më tani kjo nismë ka siguruar rreth 1/5 e nevojave. “T’i japim jetë një platforme që çdokush në këtë botë donatorësh, kompanish e vullnetarësh mund të marrin informacion për nevojat, për kë po bën çfarë, për ku është e nevojshme ndihma dhe sigurisht, përmes kësaj platforme të mobilizohen më shumë financime sepse ajo çfarë kemi arritur të kuptojmë gjatë këtij ushtrimi është se në fakt, nevojat në nivel humanitar janë shumë më tepër sesa 55 miliardë këtë vit dhe ajo çfarë është mbledhur është më pak se 11 miliardë”, tha Rama. Teksa tha se gjithë vendet mike nuk na lanë vetëm, kryeministri tha se në mbështetje të qytetarëve të goditur nga tërmeti erdhën ndihma edhe nga shqiptarët që jetojnë kudo nëpër botë. Kjo është e veçanta ynë tha Rama, teksa u shpreh se jemi një komb i vogël, por me dy shtete, Shqipëria dhe Kosova. “Po kështu ishte e jashtëzakonshme të shihje vetë shqiptaret nga të gjitha vendet ku jetojmë, sepse ne jemi një rast mjaft i veçantë sepse jemi një komb i vogël, por me dy shtete, Shqipëria dhe Kosova dhe shqiptarët jetojnë kudo dhe ju e dini ndoshta më mirë se unë se nëqoftëse doni të hani mirë, shkoni në një restorant të mirë shqiptar në Neë York dhe gjithë ndihma prej tyre ishte e jashtëzakonshme”, tha Rama.
Rama: Qëllimi është I madh, por jemi modestë
Ndonëse një vend i vogël, Rama u shpreh se Shqipëria ka arritur të krijojë sinergjinë e duhur me organizatat e mëdha, ndërsa bëri me dije se iniciativës së Shqipërisë i është bashkuar edhe ‘Google’ dhe ‘Future’. “Ne po bëjmë në mënyrë mjaft modeste pjesën tonë dhe po përfitojmë nga kjo mundësi për të shfrytëzuar maksimalisht të qenit anëtar të Këshillit të Sigurimit, por ne nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi Shqipëria. Kështu që edhe pse jam shumë i gjatë, jemi shumë të vegjël për të imponuar ndonjë gjë apo për të udhëzuar botën drejt diçkaje. Ne thjeshtë besojmë që deri më tani ia kemi dalë të krijojmë sinergjinë e duhur me këto organizata shumë të mëdha, shumë më të mëdha se ne, siç thashë me “Future”, Google është futur në këtë aleancë që do të thoja është një start-up, është fillestare dhe me shprese dhe të tjerë do të bashkohen me ne”, tha Rama.
Rama shpjegoi edhe si funksionon kjo platformë.
“Çdo kush mund të sjellë jo vetëm paratë, donacionet por edhe njohuritë sepse Google mund të kontribuojë shumë për shembull, sa për t’ju dhënë një shembull me aspektin teknologjik. Dikush tjetër mund të kontribuojë shumë në aspektin e shpërndarjes dhe kështu me radhë, pra ngritja e një platforme ku të gjithë mund të kenë qasje, ku të gjithë mund të informohen, ku të gjithë mund të shohin në mënyrë transparente kush bën çfarë dhe sa është nevoja për të çuar diku dhe sa është nevoja për të shpenzuar në një vend tjetër. Është diçka shumë e mirë për të pasur diçka në nivel sistemi, që nuk është herë pas here e njëjta situatë ku ndërkohë që ndodh katastrofa e madhe të gjithë vrapojnë lartë e poshtë pa e ditur çfarë bëjnë të tjerët apo çfarë mund të bëjnë të tjerët. Në botën ku jetojmë nuk duket sikur do të bëhet më mirë, duket sikur do të bëhet gjithmonë e më keq kështu që duhet të përgatitemi shumë më mirë për të përballuar të gjithë këtë bela”, tha Rama. E themeluar në vitin 2005 nga Presidenti Bill Clinton, “Clinton Global Initiative” CGI mbledh liderë shtetesh nga mbarë bota, si dhe aktorë të rëndësishëm të fushave të ndryshme në një përpjekje të përbashkët për të hartuar dhe zbatuar zgjidhjet më të mira për sfidat emergjente me të cilat përballet sot globi, të cilat në takimin e këtij e vit u fokusuan në ndryshimin e klimës, rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe barazinë shëndetësore. Takimi 2023 u përqendrua në përpjekjet për të ruajtur dhe çuar përpara progresin e bërë në këtë drejtim, pavarësisht vështirësive që dalin, duke ndërmarrë angazhime konkrete për reagimin ndaj fatkeqësive, rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë. Kryeministri Rama ishte pjesë e njërit prej paneleve të “Clinton Global Initiative”.