Nga Leonard Veizi
Çfarë po ndodh me Historinë e Popullit Shqiptar?
Deri në vitin 1990 kishim një histori që mbante vulën e Akademisë së Shkencave. Praktikisht nuk kishin ndonjë mundësi për të marrë dhe një variant tjetër të historisë tonë. Sepse tek e fundit historia nuk është shkencë ekzakte dhe ndonjëherë i njëjti dokument interpretohet në mënyra të ndryshme.
Por sot, në epokën e digjitalizimit, mundësitë janë të shumta. Janë përkthyer historitë e Shqipërisë, nga autorë të huaj, që kanë punuar e i kanë kushtuar jetën kësaj historie. Janë hedhur në treg dhe histori të shkruara nga historianët tanë.
Por gjithsesi, Historia e një kombi nuk mund të mbetet në dorën e një personi. Prandaj janë grupet e punës. Prandaj dhe historianët profilizohen: njëri për lashtësinë, tjetri për mesjetën e i treti për kohët e reja. Dhe kështu jemi më afër mundësisë për të pasur një histori të asaj që e mendojmë si perfekte.
Por ç’po ndodh?
Po jetojmë një kohë bombardimi, me “news” e “fake news”. Dhe herë-herë, duke lexuar këto informacione pa doganë, ndihem aq krenar që jam shqiptar, dhe po ashtu ndihem i poshtëruar dhe fatkeq që kam lindur në këtë tokë. Se duke vërtitur lugën në çorbë çfarë nuk gjen.
Shyqyr të u shpikën rrjetet sociale, dhe liria e mendimit është e garantuar me ligj, dhe secili ka dymenë e vet për të thënë të vërtetat historike. Ndaj kush ka qejf e i le m’zemër me i fut një status.
-Shqiptarët janë populli më i vjetër në planet… e galaksi, – flasin mitomanët, që kohët e fundit po i fryjnë zjarrit me kacek që të marrë sa më shumë.
-Shqiptarët erdhën nga Kaukazi, – ia thek një lëtyrë që në të vërtetë as për veten nuk e di çfarë shtetësie ka e jo më kombësie.
-Janë barinj e kanë ardhur nga malet, në fushë se i vrau turku, – thotë tjetri, që me sa duket nuk ka ditur të bëjë gjë tjetër veç të ruajë delet, por që dhe atje në stan ia paskan çuar linjën e internetit as sa të bëjë një status e të duket fort i mençëm.
Një tjetër thotë që, shqipja është gjuha më e vjetër në botë e prej saj rrjedhin të gjitha gjuhët e tjera. Ca të tjerë thonë se “është e vjetër por jo aq e vjetër”. Me demek është ca më e re.
Ore po kush i vuri metrin e ta masë??? Pastaj, me çfarë njësie e masni mor aman? Jo për gjë por ta blej dhe një unë e ta kem në shtëpi për çdo rast.
Pastaj vjen ana tjetër e medaljes së historianëve analfabetë. Ia plas i pari: U gjet në hartë në arkivat e Rusisë, ku Shqipëria kufizohej me Rusinë e me Anglinë.
Bravo!
Ore po kush e gjeti, se sa për hartë, në epokën e sotme e qan vet në kompjuter. Ngjyen me të kuqe gjysmën e Evropës dhe sipër i vë emrin: Iliricum.
Nejse, iku kjo punë, nisën like dhe komentet. E të keqen si vlon kazani. Kot nuk thotë ai i Gjati.
Pastaj vjen tjetri e pëlcet bombën: U gjet një dokument në arkivat e Vatikanit. Shqipëria vendi… i 1100 çudirave.
Hallall. Po si e qysh…? Se arkiva e Vatikanit nuk është si qela e priftit të fshatit që mund të shkosh e t’i lutesh: Aman të kam rixha më bëj derman, hape ca defterin të gjej kur kam lindur se nuk e mbaj mend e ma kërkojnë ata të censit për regjistrim.
Dhe nuk po zgjatem më. Por ndodh që pikërisht këto sharlatanizma hapin debate pafund e qindra komente vërshojnë lumë. Njerëz që në shkollë kanë marrë ose 4 ose 5 në lëndën e historisë, tani të “thajnë piten” dhe të bëjnë historinë e kulluar të shqiptarëve dhe të atyre përreth tyre.
Gjithë ditën në rrjete sociale kompetentët flasin për historinë. Dhe dalin patriotë të kulluar… si Sali Protopapa, që hipte në makinat e gjermanit e bënte humor burgu:
-Ku je mor gjysmë opinge…?
Dhe qyfyret e historianëve autodidaktë shqiptarë nisin kështu: “Nigjo këtu se s’janë aq t’thjeshta këto punë. Se gjermoni i tha talionit…” Po ku e dëgjove mor aman se çfarë i tha. I paske pas veshët pipëz.
Ky monolog është i barasvlershëm si të thuash: Beni i tha Titit… Ose më thjesht akoma, Xoni i tha Zyfit: ec e i fusim nji dorë peskaç, kush fiton merr në prikë Shqipërinë.
Ja ta gëzosh!
Jaaaaallah.
Shqipëria shkëmb graniti…
Që je qejfli historie nuk do të thotë që ashtu në stratosferë ku nuk mbushesh dot me oksigjen të dalësh në përfundime. Madje të përflasësh emrat më të njohur të historisë e gjuhësisë shqiptare duke ua zhvlerësuar punën shumëvjeçare me një frazë të vetme që të lë me gojë hapur e pa tekst: Hë mo se ia ka futur kot.
-Kush kështu… Shiko se mos më ngatërron me ndonjë tjetër?
Se në fakt plot ia fut ti, pasi ke lënë turnin e tretë të rojes së garazhit ku parkohen makinat.
-Roje, sa profesion fisnik!
Epo ja kjo është historia që roja u bë mjek popullor e i shëronte njerëzit o me patkua kali o me atë të gomarit.
-Unë me këtë fener ndaloj trenin moj zonjë jo barkun e këtij.
Por kështu është kur ngatërrohen hekurat me anatominë e njeriut. Dhe historinë me qyfyret e tavolinës së Tymit.
Albanologjia nuk është një shkencë që ti në liri e sipër e krahason me tavllën, ku mund ta luash kush ka dëshirë. Se dhe po u rrahe në “mars”, nuk i prish punë njeriu.
Në fakt historia përveçse duhet zbuluar edhe duhet certifikuar. Dhe për këtë punë ka institute. Fjala vjen. Që Lini në Pogradec është vendbanimi i më i vjetër në Evropë u certifikua pasi u bënë dhe analizime pa fund. Kësaj historie tanimë i është vënë vula dhe s’ka burrë që e lëviz më.
Por që “amerikoni i tha në vesh grekut”… këtë ku e morën vesh shqiptarët që punojnë me tre turne dhe futën me vrap në Facebook, si kanë lënë turnin e natës.
-M’nigjo mor jahu se e di mirë kët punë. Sa t’kina gjermonin dhe amerikonin, s’pjerdhim fare.
Ndërsa historianet e vërtetë janë strukur nëpër arkiva, me qëllim që të nxjerrin ndonjë dokument me vlerë. Përndryshe ç’kuptim ka.