Nesër mbahen zgjedhjet për kryetar bashkie në Kukës.
Policia e Kukësit ka njoftuar planin e masave të ndërmarra për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryebashkiakun e ri.
Masat e marra nga DVP Kukës, për zgjedhjet e pjesshme të datës 24 shtator 2023, për kryetarin e bashkisë Kukës.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës dhe Komisariati i Policisë Kukës, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së votimit, garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të subjekteve që marrin pjesë në këtë proces, si dhe për ruajtjen e objekteve dhe të materialeve që do t’i shërbejnë këtij procesi.
I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor.
Është miratuar nga KQZ-ja, lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës.
Gjithashtu, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë anagazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.
Është bërë instruktazhi i të gjitha forcave të Policisë, që janë të ngarkuar me detyra në kuadër të këtij procesi zgjedhor, në qytetin e Kukësit.
Punonjësve të Policisë iu është kërkuar të tregojnë profesionalizëm e korrektësi në detyrat e përckatuara në planin e masave përsa i përket marrjes në ruajtje të objekteve zgjedhore dhe të udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Kukës janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit.
Në këtë kuadër apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt./ S.M