Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, është shprehur se çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, i cili ndodhet i burgosur me akuzën për blerje votash, e ka zanafillën te vendimi i Berishës dhe Metës për ta kandiduar atë.
Komentet Spiropali i bëri në News 24, ku tha se çështja e “Belerit” i përket drejtësisë dhe nuk duhet të ndikojë në prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë.
“Është një çështje që zanafillën e ka te vendimi i Berishës dhe Metës për të kandiduar një njeri pavarësisht të shkuarës dhe dosjeve të tij. Është një gozhdë Nastradini që do shumë durim për t’u shkulur.
Nuk është çështje mes Greqisë dhe Shqipërisë, e minoritetit grek në Shqipëri, që është një komunitet që ka kontribuar njësoj si etnitë e tjera këtu, dhe që nuk ka asnjë dallim. Çështja Beleri është çështje e drejtësisë, dhe ne presim që të marrë rrugë dhe marrëdhënia mes dy vendeve të mos cenohet nga hije të së shkuarës dhe nacionalizma të dalë boje.
Ne nuk kemi asnjë debat, aq më pak me Greqinë. Janë debate të stisura dhe është rasti klasik i transmetimit të një problemi të brendshëm të opozitës shqiptare edhe në politikën tonë të jashtme, dhe këtë gozhdë duhet ta shkulim patjetër.
Është çështje e drejtësisë dhe s’më takon mua të vendos se kur del apo nuk del nga burgu një kryebashkiak që e konsideron veten grek apo shqiptar”, u shpreh ajo.
Po ashtu Spiropali u ndal edhe tek marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën, si dhe “përplasjet” mes kryeministrit Rama dhe Kurti.
Ajo deklaroi se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës, teksa shton se nuk preferon që të komentojë lidhur me vendimet e marra nga kryeministri Kurti për çështjet delikate në Veri.
“Shqipëria mbështet Kosovën pa asnjë rezervë në përpjekjen për t’u njohur dhe garantuar sigurinë e kufijve dhe integrimin e mëtejshëm.
U bë e qartë dhe në mbledhje e Këshillit të Sigurimit, ku Rama tha qartë se Shqipëria është avokatja më e fortë e Kosovës.
Pastaj qasjet për procesin e dialogut apo çështje të tjera, nuk besoj se janë për t’u diskutuar nga unë. Nuk kam asnjë koment për qëndrimet e Kurtit sepse ai e ka legjitimitetin dhe përgjegjësinë për këto çështje shumë delikate.
Për ne ajo që nuk ndryshon është se Kosova e ka fituar pavarësinë me gjak por dhe ndihmën e aleatëve, BE dhe SHBA, dhe që ne duhet të jemi në një linjë me ta kur hyjmë në negociata kaq delikate. Kosova duhet të njihet dhe të vazhdojë proceset integruese.
Ne do ta mbështesim kudo”, tha ajo./ S.M