Në Bashkinë Kukës u zhvilluan dje zgjedhjet e pjesshme lokale ku morën pjesë në votime 44 % e zgjedhësve. Në 74 qendrat e votimit nuk u shënuan incidente të rënda, por ka pasur akuza për praninë në qendrat e votimit të zyrtarëve lokalë. Në mesnatë pritet të nisë numrimi i votave ku në garë janë Albert Halilaj i PS-së dhe Emri Vata nga koalicioni Bashkë Fitojmë i kryesor nga Sali Berisha, Ilir Meta dhe Nard Ndoka.
Video seksualo-korruptive e ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici detyroi qytetarët e kryeqendrës së verilindjes së vendit që brenda pak muajve të drejtohen dy herë në kutitë e votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre. Procesi nisi në orën 07.00 të ditës së djeshme dhe u mbyll në orën 19. 00, pa shumë incidente. Megjithatë ajo që u vu re ishte votimi familjar në masë të konsiderueshme në shumë qendra votimi por edhe disa akuza nga opozita sidomos për praninë e zyrtarëve lokale në disa qendra votimi. Zgjedhësit patën mundësinë të votojnë në 74 qendra votimi, 1 prej të cilave është ngritur në institucionin e paraburgimit të qarkut Kukës. Për identifikimin e zgjedhësve u implementua Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 74 qendra votimi, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje. Gjatë ditës janë raportua pak raste ku pajisjet e identifikimit të zgjedhësve nuk kanë funksionuar, por pas ndërhyrjeve ka vijuar procesi normalisht. Për sa i përket komisioneve të qendrave të votimit, në 37 qendra votimi 4 anëtarë të komisionit ndahen mes PD-së dhe PL-së. Ndërsa në 37 qendra të tjera të votimit përbërja e komisioneve të qendrave të votimit është me 3 anëtarë të propozuar nga PS, 3 anëtarë të propozuar nga PD dhe 1 anëtar të propozuar nga PL. Për sa i përket grupeve të numërimit, do të ngrihen 5 grupe numërimi ku 2 anëtarë të grupit të numërimit do të jenë nga PS, 1 anëtar nga PD dhe 1 anëtar nga PL. Këto zgjedhje do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 25 457 496 lekë. Kujtojmë se në këtë qark përsëriten zgjedhjet, pas shkarkimit të Safet Gjicit nga posti I kryebashkiakut, për shkak të një videoskandali në zyrën e tij. Në zgjedhjet e pjesshme vendore në Kukës u votua vetëm me një fletë votimi për kandidatin e bashkisë. Sipas KQZ-së të regjistruar në listat e votimit janë 45 946 zgjedhës, 22 174 prej të cilëve janë votuese femra dhe 23 772 janë votues meshkuj. Pas mbylljes së procesit të votimit, kutitë që mbajnë verdiktin qytetar u dërguan në KZAZ ku në mesnatë nis numërimi i kutive. Procesi mendohet se do të ecë më ritme të shpejta pasi edhe administrate e KQZ-së është vendosur në Kukës dhe pritet të ndërhyjë për çdo vonesë të mundëshme dhe janë gati disa grupe numërimi. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, nga Kukësi ku po vëzhgon nga afër procesin zgjedhor, tha në një deklaratë për mediat se nuk janë raportuar probleme teknike. Celibashi theksoi se janë raportuar disa shqetësime nga ana e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për persona që shënonin emrat e votuesve në disa qendra votimi. “Ardhja ime këtu në Kukës nuk lidhet me ndonjë shkak që lidhet me problematika të mundshme ardhja ime këtu në Kukës. Thjesht kemi ardhur me një ekip të madh për të asistuar për aq sa mund të ketë nevojë gjithë pjesën e administratën zgjedhore që merret me administrimin e procesit zgjedhor. Nga çfarë është raportuar nuk rezulton se ka pasur probleme në aspektin teknik të zhvillimit të procesit. Janë prezantuar disa shqetësime nga përfaqësues së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në lidhje me prezencën në disa qendra të votimit të personave që mbanin shënim zgjedhësit që shkonin për të votuar. Kemi shkuar në këto qendra, të paktën në atë kohë nuk ka rezultuar që ka pasur njerëz dhe në përgjithësi nuk ka raportim për problematika. E kemi adresuar si shqetësim.“, tha Celibashi
Koalicioni ‘BF’: U shantazhuan votuesit
Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ në Kukës ka denoncuar Partinë Socialiste se në terren ka lëshuar patronazhistët e saj për të shantazhuar qytetarët që sot votojnë për kryetarin e ri të bashkisë. Me video dhe foto, “BF” ka nxjerrë pamjet e personave që sipas tyre pyesin dhe mbajnë shënim të gjithë emrat e atyre që votojnë, ndërsa theksojnë se ata nuk janë të autorizuar që të qëndrojnë pranë qendrave të votimit. “Patronazhistët e Rilindjes sot janë në krye të detyrës, edhe pse në kundërshtim me ligjin. Drejtorë shkollash, Hipotekës, apo dhe institucioneve të tjera, janë në krye të detyrës , për të devijuar dhe kontrolluar votat. Ata janë fotografuar në qendrat e votimit. KQZ e thotë qartë se nuk lejohen me kodin zgjedhor brenda ambienteve të qendrave të votimit. Ne do t’i paraqesim në OSBE-OHDIR faktet dhe provat, dhe në prokurori të gjitha këto raste të patronazhistëve. Pa zgjedhje të lira, nuk ka zgjedhje.”, thanë në një deklaratë për mediat, përfaqësues të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’. Ndërkohë, fotot e atyre që nga koalicioni akuzohen si patronazhistë janë bërë në kopshtin nr. 1 dhe në Shkollën ‘1 Qershori’.
Basha: qytetarët presin ndëshkimin e korrupsionit në nivelet e larta
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ndali turin e tij të takimeve në Zall Herr të Tiranës, ndërsa bisedoi me fermerët e zonës, ku dëgjoi prej tyre problematikat me të cilat ata përballen çdo ditë. Mungesa e mbështetjes nga fondet e bujqësisë, mungesa e tregut dhe rënia e fuqisë blerëse, janë shqetësimet bazë të fermerëve për të cila kreu demokrat tha se marrin zgjidhje kur ti jepet fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet e larta. “Kënaqësi të bashkëbisedoja me banorë të Zall Herrit në Tiranë. Ata përballen sot me vështirësi të shumta që nga mungesa e mbështetjes për bujqësinë, mungesa e tregut dhe vendeve të punës, rënia e fuqisë blerëse etj. Edhe fondet që akordonte BE për bujqësinë u pezulluan sepse babëzia e kësaj qeverie, nuk ndalet para abuzimit edhe me lekët që jep Europa. Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realiteti sot në Shqipëri. Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet e larta, është fillimi i fundit të tranzicionit dhe ndryshimi i vërtetë që shqiptarët presin”, – shkruan Basha në postimin e tij./kb