Mallorca rezulton “kockë” e fortë ndaj Barcelonës në javën e shtatë të La Ligës, duke barazuar me shifrat 2-2, në duelin ku heroi për vendasit ishte shqiptari i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili shënoi golin e avantazhit në minutën e 8-të dhe asistoi për golin e dytë të vendasve në minutën 45+3.
Ky ishte barazimi i dytë në 7 javë për katalanasit e Xavi-t, që kryesojnë përkohësisht kampionatin me 17 pikë. Ndërkohë në krahun tjetër, për Mallorcan ky ishte barazimi i tretë, teksa skuadra e Muriqit ka grumbulluar 6 pikë në 7 javë.
Për sa i përket Barcelonës, Raphinha barazoi fillimisht në minutën e 41-të dhe Lopez në të 75-tën.
Duelin e radhës Barcelona e luan në shtëpi ndaj Sevillas, ndërkohë që Mallorca luan në transfertë ndaj Rayo Vallecanos.