Nga Jakin Marena
Pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë në Shqipëri është ngritur në sistem që herët për shkak të korrupsionit të gjyqtarëve e prokurorëve, herë përmes pushimit të çështjeve nga ndikimi politik e herë dhe përmes hetimit e gjykimit të mangët që u është bërë këtyre çështjeve.
Ndonëse me shumë vështirësi, ‘reflekset’ e frikës së prokurorëve dhe gjyqtarëve ndaj zyrtarëve më të lartë që drejtësinë e kishin përdorur për qëllimet e veta e kundër rivalëve e kundështarëve politikë, drejtësia e re pak e nga pak ka nisur të hapet drejt çështjeve të mëdha. Madje dhe ndaj atyre që kanë kaluar shumë kohë e personat që i kanë në ngarkim, e dinë se janë të parashkruara dhe kanë shpëtuar nga ‘laku’ i tyre shtrëngues.
Një lajm i cili kaloi si pa vëmendje, me sa duket ka shqetësuar rëndë të kurruptuarit e politikës në këtë vend, jo për nga rëndësia se çështjes që përcillte, por nga mënyra se si u sërvir dhe nga koha për të cilën bëhet fjalë.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur 26 vite më parë, në atë mars tragjik 1997, për masakrën e ndodhur në Urën Vajgurore ku u vranë katër efektivë policie dhe u plagosën dy të tjerë. Dhe po 23 vite më parë ishte dhënë një vendim i formës së prerë për autorët e kësaj vrasjeje tronditëse për atë kohë, por dhe për këtë kohë, kur sillet në vëmendje.
Gjykata e Lartë këto ditë e riktheu këtë dosje të vitit 1997 për vetëm njërin prej nëntë të dënuarve me burgim të përjetshëm në atë kohë, çështje që do të rigjykohet pranë Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar. Pra nga drejtësia e re, në kohën më oportune për të, sipas shortit që pritet të caktohet dhe trupa gjykuese për këtë çështje, do ta rigjykojë.
Nga ana tjetër, prokurorja e cila ndoqi seancën në Gjykatën e Lartë, me shumë gjasa do të jetë dhe përfaqësuese e akuzës së SPAK, për ta rihetuar dhe për ta përfaqësuar gjykimin në themel.
Nuk po përmendim emra, pasi lajmi është dhënë në disa media dhe çdo përsëritje mund të shërbente si një moment bezdie për ata që na lexojnë, por ia vlen të ndalemi pikërisht në atë që përfaqëson rihetimi e rigjykimi i një çështjeje kriminale i shtrirë në një afat kohor prej 26 vitesh, pra në atë pranverë të tmerrshme të vitit 1997.
Dhe për të parë impaktin që ka krijuar te njerëzit që kanë në kurriz akuza për ngjarje të vjetra dhe që i mendonin se u ka kaluar koha e rihetimit dhe rigjykimit, për shkak se i mendojnë se janë të parashkruara, duke shpëtuar dhe mbetur jashtë ndëshkimit të drejtësisë pjesa më e madhe e ish zyrtarëve të lartë në Shqipëri të cilët kanë ‘ngjyer gishtin’ në korrupsion, ia vlen të marrin në shqyrtim sjelljen e vetëm një njeriu të tillë si përfaqësues i të gjithë të korruptuarve dhe të inkriminuarve në këtë vend: Sali Berishën.
Që atë ditë që u publikua lajmi, Berisha nuk kurseu akuzat në drejtim të SPAK dhe drejtësisë së re, duke i akuzuar për hetime dosjesh selektive, duke cilësuar të pafajshme nga akuzat familjen dhe ortakët e tij më të afërt, dhe duke deklaruar akuzën e preferuar të tij tashmë se prokurorët e gjyqtarët specialë janë të kapur nga kryeministri Edi Rama. Këtë ‘kapje’ të SPAK, Berisha si ‘non grata’ funksional që është, tenton ta argumentojë me akuza të tipit se ‘SPAK nuk ka hapur hetim ndaj Ramës për çështjen McGonigal’, ndonëse në SHBA çështja është mbyllur e arkivuar dhe ish zyrtari i lartë i FBI do të përgjigjet vetëm për marrjen e një borxhi prej 225 mijë dollarësh nga miku, bashkëpuntori i tij në FBI dhe ish zyrtar i shërbimit sekret shqiptar, Neza. Borxh të cilin sipas ligjeve të vendit të tij, duhej ta kishte deklaruar tek vendi i punës ku punonte.
Për hir të së vërtetës një shumë e tillë, po ta shohësh në konceptin e ‘dinozaurve’të korruptuar të politikës shqiptare që kanë përlarë miliona e miliona euro nga arka e shtetit, duke i vjedhur ato jo marrë borxh, nuk është asgjë përballë 230 milionë dollarëve të zhdukur pa nam e nishan nga Rruga e Kombit, miliona eurot e nxjerra nga demontimi i municioneve dhe mbi të gjitha nga shitja e fishekëve kinezë përmes dy sekserëve ‘adoleshentë’ amerikanë në Afganistan, duke mashtruar dhe Pentagonin që e përjashtonte kategorikisht përdorimin e këtyre municioneve të vjetra kineze.
Por biznesi i Gërdecit ku akuzohet Shkelzen Berisha se e kishte në pronësi, ia kishte gjetur anën dhe këtij ‘defekti’ duke pajtuar në fillim kompaninë e Kosta Trebickës dhe më pas një kompani tjetër për të fshirë etiketat kineze dhe ripaketuar fishekët, për t’i hedhur në tregun afgan. Ishte një fitim neto i lartë, pasi ata fishekë ishin të destinuar për demontim, dhe jo për ritregtim.
Por dhe çdo maskarallëk ka viktimat e veta. I tillë ishte dhe Kosta Trebicka që i dha ‘gojës’ më shumë se sa duhet. Dhe me gjithë këto kërcënime me jetë për të, e ‘nxorën për gjah’ të vetëm në pllajën e Korçës nga ku humbi jetën në një ‘aksident automobilistik’, me një shapkë Myzeqeje të vrarë në brez, që për çudi ishte ‘ngjitur’ deri në pllajën e lartë të Korçës. Dhe që me sa duket ata që u ‘kujdesën’ për të, njihnin thëllëzat dhe jo shapkat, ndaj nuk e sistemuan dhe rregulluan këtë detaj, që po të ketë vërtet vullnet nga drejtësia e re, mund të çojë tek hetimi me themel.
Meqë jemi tek shuma e marrë borxh nga McGonigal, nuk ishte asgjë përballë mbi 500 milionë eurove të aferës CEZ-DIA, të privatizimit të ish kompleksit “Partizani”, tek pastrimi i parave përmes Damir Fazlliç në Porto Romano, apo afera të tjera të këtij lloji, që kanë në themel shifrën e miliona eurove apo dollarëve. Madje janë më pak se gjysma e gjysmë milioni dollarëve që Kremlini hodhi për PD e Berishës, që të destabilizonte Shqipërinë dhe rajonin. Për pjesën e dukshme të themi. Por këto janë punë të drejtësisë së re, në momentin kur t’i forcohet ‘kocka’ dhe t’i hyjë dhe ish kryeministrit demokrat, familjes dhe ortakëve të tij me themel.
Dhe Berisha po luan me afatet kohore, kërcënimet dhe gjithçka tjetër, për t’i heshtur hetimet për këto dosje të rënda, duke ia dalë ndoshta deri më tani. Megjithëse i janë prishur planet dhe me të vërtetë është tërbuar nga shtrirja e hetimit deri më 1997, pavarësisht se ngjarja ishte e harruar pas 26 viteve të ndodhjes së saj. E dinte të parashkruar Berisha, megjithëse nuk ka ndonjë lidhje ndoshta direkte me të.
Ajo që e ka shqetësuar Berishën deri në dalje nga ‘binarët’ ka qënë fakti se SPAK po tregon se për të nuk ka asnjë kufizim kohor për të rihetuar dhe dërguar për gjykim çështje të ndodhura shumë kohë më parë. Pra SPAK po tregon se parashkrimi i veprave penale nuk ‘pi ujë’ më në punët e tij dhe hetimi mund të rifillojë për secilën çështje, pa limit afati kohor.
Berisha ka shumë zullume duke filluar nga viti 1997, që nga urdhëri për të bombarduar Jugun e vendit, madje dhe me Lëndë Helmuese Luftarake, krjimin e ushtrisë paralele me paramilitarë. Ka brënda dhe grushtin e dështuar të shtetit të 14 shtatorit 1998 pas vrasjes së Azem Hajdarit, ka brenda dhe përsëritjen e një tentative të tillë në vitin 2000, ka brenda dhe shpërthimin e punishtes së Gërdecit ku u vranë 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, ka Rrugën e Kombit, vrasjen e 4 demonstruesve të 21 janarit 2011, aferat e ndryshme të kryesuara nga CEZ-DIA dhe privatizimi i ish kompleksit “Partizani” nga familjarë të tij e zullume të tjera të këtij lloji, duke e nxjerrë të ‘zbuluar’ para drejtësisë me gjithë këto akuza të rënda mbi kurriz, pjesën më të madhe të të cilave i mendonte si të parashkruara.
Dalja e kreut të SPAK Altin Dumani një ditë më parë para mediave dhe deklarimi pikë për pikë se nuk do të kursejë askënd për asnjë çështje sado e thellë në kohë të jetë, e ka tërbuar akoma më keq Berishën, i cili mund të japë llogari për të gjitha ngjarjet ku ka pasur përfshirje direkte apo indirekte që nga marsi i vitit 1997. Sipas ‘cakut’ të vënë nga vetë drejtësia e re për rikthimin për hetim dhe gjykim të vrasjet së 4 policëve tek Ura vajgurore në vitin 1997, themi.
Por mbi të gjitha Berisha është frikësuar akoma më shumë nga të penduarit e drejtësisë. Për organizatat kriminale këta të penduar kanë bërë gjëmën, duke dërguar prapa hekurave grupe të tëra kriminelësh, përmes dëshmive të dhëna si bashkëpunëtorë të drejtësisë. Mediat po mbahen përditë me këto lajme, dhe Berisha, familjarët dhe ortakët e tij i përcjellin me zemër të ngrirë këto lajme.
E themi këtë sepse një pjesë e ish bashkëpunëtorëve apo personave që kanë qënë pjesë e këtyre aferave të Berishës por dhe ish zyrtarëve të tjerë të lartë jetojnë, janë të gatshëm që të dëshmojnë të vërtetën para drejtësisë së re. Kuptohet me statusin e të penduarit, që tashmë është kthyer në një trend dhe po çon në qeli shumë e shumë njerëz të krimit dhe të korrupsionit, lidhjet mes tyre dhe masakrës që u kanë bërë shqiptarëve dhe këtij vendi në përgjithësi.
Aq më tepër që tashmë Berisha është dhe ‘non grata” dhe një pjesë e të penduarve mund të vijnë dhe nga SHBA ku kanë marrë azil politik, duke deklaruar me zë dhe figurë se ndjehen të kërcënuar nga Berisha apo familjarët e tij. Këtu mund të përmendim ish shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare gjeneral Luan Hoxha, dëshmia e të cilit është zbardhur në kabllogramet e famshme që ish ambasadori i SHBA Uidhers dërgonte në Uashington.
Dhe gjeneral Hoxha mund të flasë dhe për drejtësinë shqiptare, pasi tashmë nuk ka frikë, është i mbrojur. Për të përfunduar tek dy biznesmenët amerikanë të municioneve, Efraim Deviroli dhe David Packouz, të cilët kanë deklaruar, biseda telefonike e tyre me Kosta Trebickën është zbardhur, se në takim për të biseduar për çmimin e fishekëve ishte prezent djali i kryeministrit të atëhershëm. Pra Shkelzen Berisha.
Duke qënë se ata tashmë e kanë kryer dënimin e tyre, duke qënë se dhe gazetari amerikan që publikoi ngjarjen, e bëri libër dhe film në Hollivud më pas “sypeshkaqenin”, ka fituar dy herë në të dyja shkallët në gjykatat amerikane përballë Shkelzen Berishës, i cili e paditi për shpifje, duke qënë se dhe Berisha është shpallur ‘non grata’ në SHBA e Britani, e konsiderohet si i tillë dhe nga vendet e BE e të rajonit, s’është çudi që ‘çunat’, Diverolit dhe Packouz, të ‘bilbilojnë’ dhe për drejtësinë shqiptare ato gjëra që kanë thënë përballë drejtësisë amerikane e ndoshta shumë më tepër, përmes ndonjë vidio-dëshmie nga divani i shtëpisë së tyre në SHBA. Familjarët e viktimave të Gërdecit i kërkuan dhe të premten që dy tregtarët amerikanë të fishekëve të thirren nga SPAK për të dëshmuar.
Pikërisht për këto arsye Berisha është më i trembur se kurrë, duke dhënë deklarata kontradiktore, por me sytë dhe veshët nga SPAK, i cili e ka bërë ‘def’ parashkrimin e veprave penale dhe që një ditë të bukur mund t’i mbërrijë në derë për ta ‘pyetur’ . Por me sytë dhe veshët dhe nga SHBA apo vendet e tjera, se kush nga të penduarit do ta ‘zgjidhë gjuhën’ dhe të rrëfehet për bëmat e tij.
Ndonëse me një ecje të ngadaltë, SPAK po na bën të besojmë pak nga pak se pandëshkueshmëria në këtë vend pritet të marrë fund, dhe ‘dinozaurët’ e krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri do të ‘parakalojnë’ para drejtësisë për të dhënë llogari për zullumet që kanë kryer në këto 32 vite. Sa më shpejt aq më mirë, por dhe me këtë hap, jemi shpresëplotë. Kanë nisur dhe e zënë në gojë emrin Berishës, dhe kjo s’është pak. Është një arritje për prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm.