Bazuar në informacionin zyrtar të ministrisë së Shëndetësisë, që i referohet datës 26 qershor 2023, në 24 orë kryhen afro 112 vaksinime ndërsa pjesa më e madhe e të vaksinuarve kanë kryer vetëm një dozë.

Ministria e shëndetësisë thotë se nga dozat e vaksinës antiCovid janë kryer 1,332,006 doza të para, 1,280,331 doza të dyta dhe 405,128 doza të treta.

Në total janë kryer 3.076.070 vaksinime antiCOVID.

Sipas ministrisë, numri i vaksinimeve të raportuara përfshin edhe vaksinimet e qytetarëve shqiptarë të kryera jashtë vendit dhe që janë të regjistruara në sistemet tona të integruara.

Ndërsa OBSH thotë se deri në datën 25 shtator 2023 në vendin tonë janë konfirmuar 334.726 raste me Covid-19 ndërsa janë shëruar 329.428 persona. kurse numri i vdekjeve nga Covid deri më tani është 3.602 persona.

Vaksinat e përdorura në Shqipëri janë Oxford-AstraZeneca (2 doza), Pfizer-BioNTech (2 doza), Sinovac (2 doza) dhe Sputnik V (2 doza).

Vaksinimi me dozën e tretë i ulët, fëmijët dhe të rinjtë e refuzojnë

Me ardhjen e sezonit të vjeshtës, ministria e Shëndetësisë ka nisur zbatimin e planit të masave për vaksinimin ndaj virusit të gripit. Sipas burimeve zyrtare të ministrisë, paralel me këtë plan, do të vijojë dhe vaksinimi për dozën e tretë të mbrojtjes ndaj Covid-19.

Por duket se interesi më i madh është ndaj vaksinës antigrip, ku grupmoshat mbi 65-vjeç janë ata që paraqiten më së shumti për kryerjen e saj.

Ndërsa për Covid, interesi për t’u vaksinuar ka rënë ndjeshëm.

“Në dallim nga vaksina antigrip që kryhet në personat kronikë që duan të kenë gjatë sezonit vjeshtë-dimër, një mbrojtje të lartë imunitare ndaj virozave të stinës dhe gripit, për vaksinën anticovid ka rënë interesi.

Lexo edhe :  Për një lëkurë elastike e plot shkëlqim, ja lista me ushqimet më të pasura me kolagjen

Tek fëmijët vijojmë të kemi shifra shumë të ulëta të vaksinimit ndaj Covid-19. Kurse për dozën përforcuese të vaksinës anticovid, më të interesuar janë moshat e treta, kurse të rinjtë nuk e shohin të nevojshme”, thonë mjekët specialistë.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se vaksina anticovid ka efektivitet, por e rëndësishme është doza përforcuese, sepse pas një kalimi kohe efektiviteti zbehet.

Sipas tyre, të gjithë personat mbi 60-vjeç, në këtë stinë duhet të vaksinohen njëkohësisht ndaj gripit dhe ndaj Covid-19 dhe kjo është mbrojtja më e mirë që përdor gjithë bota.

Burimet zyrtare nga ministria e Shëndetësisë thonë se bazuar në planin vjeshtë-dimër është siguruar vaksinimi falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 270 mijë qytetarë, ndërkohë që furnizimi me vaksinën ndaj Covid-19 vijon.

“Spitali Infektiv është ne gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate.

Përsa i përket masave të tjera kanë të bëjnë me përmirësimin më tej të survejancës ndërkohë që këtë vit do të shtohet edhe procesi i sekuencimit, gjithashtu është në përfundim edhe krijimi i sistemit të ri dixhital të vaksinimit, i cili do të menaxhojë më mirë gjithë procesin e vaksinimit”, thonë burimet zyrtare nga ministria e Shëndetësisë./   S.M