Historia e tyre e dashurisë do të niste në vitin e largët 1998 gjatë një ndeshjeje futbolli për motive bamirësie, për t’u kurorëzuar në martesë më 4 korrik të 1999-s, në një ceremoni madhështore në kështjellën e Luttrellstown-it.
Që nga ajo kohë e deri më sot, të dy ia kanë dalë mbanë të jenë një ndër çiftet më të pëlqyera e më të diskutuara të tabloidëve të ndryshëm. E kemi fjalën për David dhe Victoria Beckham, çiftin ikonë për të cilin koha duket se nuk ka kaluar aspak. Ish-futbollisti dhe stilistja e njohur britanike janë prova se shprehja ‘Ata jetuan të lumtur përgjithmonë’, nuk ekziston vetëm në përralla, por edhe në jetën e përditshme.
Mirëpo gjërat nuk kanë qenë gjithmonëtë lehta për të dy. Janë përballur me akuza për tradhti dhe thashetheme të ndryshme, që vite më parë mund t’i kishin çuar drejt ndarjes. Në një rrëfim tejet të sinqertë, Victoria Beckham ka folur për trazirat emocionale që kaloi 20 vite më parë për shkak të tradhtisë së supozuar të David me Rebecca Loos.
Gjatë kohës kur Davidi luante me ekipin e Realit, pati thashetheme se ai e kishte tradhtuar Victoria-n me modelen holandeze. Ish-Posh Spice e përshkruan atë periudhë si më rraskapitësen e jetës së saj. Ndër të tjera, ajo shprehet: “Ishte periudha më e vështirë për të dy sepse ndiheshim sikur gjithë bota ishte kundër nesh. Ne ishim kundër njëri-tjetrit. Kur David luante akoma me ‘Manchester United’ na ndodhte shpesh të ndiheshim sikur ishim ne kundër të gjithëve, por ishim bashkë, ishim të lidhur, kishim njëri-tjetrin. Por në Spanjë, u shkëputëm plotësisht dhe ndihesha e izoluar nga ai dhe gjithçka që na rrethonte.”-tregoi ajo në dokumentarin e fundit të të shoqit.
Edhe David Beckham foli për krizën e tyre në 2003-shin, duke kujtuar se si ndiheshin. “Sa herë që zgjoheshim ndjenim se kishte diçka tjetër. Nuk po humbnim njëri-tjetrin, por po mbyteshim. Ndihesha i sëmurë fizikisht dhe emocionalisht. “-rrëfeu ai.
David tregoi se sa e rëndësishme ishte Victoria për të, duke vënë në dukje se ata duhej të luftonin për njëri-tjetrin, për familjen e tyre. Çifti gjeti paqe kur u zhvendosën në Los Angeles, ku David luajti për LA Galaxy./E.Ç