Victoria Beckham u zhgënjye disi nga bashkëshorti, David Beckham, kur për pak nuk ishte i pranishëm në lindjen e djalit të tyre sepse do të xhironte një reklamë për Pepsi-n me Jennifer Lopez dhe Beyoncé-n.
Në dokumentarin e ri në Netflix, “Beckham”, ish-anëtarja e Spice Girls (që njihej dikur si Posh Spice) tha se ishte shtatzënë me djalin e tyre Cruz, tani 18 vjeç, kur mjekët i thanë se duhej të kryente lindje cezariane.
Atëherë Davidi e njoftoi gruan se ai kishte një angazhim. “Çfarë do të thotë se do të xhirosh?” e pyeti Victoria yllin e futbollit.
“Seriozisht, jam gati të shpërthej! Unë jam në regjim shtrati! Po tallesh me mua? Ti do bësh një set fotografik të mallkuar me Jennifer Lopez, e cila është e mrekullueshme, por s’po lind një fëmijë?” i tha ajo e nervozuar.
Edhe pse David ishte në gjendje të ndryshonte datën e xhirimit, Victoria – e cila solli në jetë Cruz-in në një spital të Madridit në shkurt 2005 – ishte ende e zemëruar kur pa foto nga seti fotografik.
“Mbaj mend që isha shtrirë në shtrat, aspak në gjendje të mirë, le të themi. Dhe mbaj mend që dikush më tregoi faqen e parë të gazetës, ku ishte një foto e mrekullueshme e David mes Jennifer Lopez dhe Beyoncé dhe titulli ishte: ‘Çfarë do të thotë Posh?’ Më lejoni t’ju them se çfarë do të thoshte Posh,” i tha Victoria kamerës. “Posh ishte e inatosur.”/E.Ç