Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje mbi arresimin e rusit Igor Kokunov, i cili po mbahet në paraburgimin 313 në Tiranë. Lala shkruan se rusi u arrestua që me 28 gusht dhe lajmin ka marrë dhenë.
“Rusi Igor Kokunov po mbahet në paraburgimin 313 në Tiranë. Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e arrestit me burg me afat 40 ditor në pritje të kërkesës për ekstradim nga Moska ku është i dënuar për mashtrim dhe zhvatje….
Ai u arrestua me 28 gusht 2023 në piken e kalimit kufitar të Muriqanit!
Lajmi ka marre dhenë prej ditësh e ditësh, tani na dilka që shumë pak e dinë.-shkruan Lala.
Ndërkohë Lala ka publikuar edhe njoftimin e policisë për këtë rast.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Moscoë”, i zhvilluar nga shërbimet e PKK Muriqan dhe ato të DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Moskës.
I akuzuar nga autoritetet ruse, si përkrahës dhe bashkëpunëtor i një krimineli, vihet në pranga me qëllim ekstradimin, 59-vjeçari nga Rusia.
Krahas angazhimit për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan kanë vijuar kontrollet për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Moskës, u finalizua operacioni policor i koduar “Moscoë”, në vijim të të cilit u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasi I. K., 59 vjeç, banues në Moskë, Rusi.
Gjatë verifikimeve të imtësishme dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 59-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Moska, pasi autoritetet ruse i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi akuza se ky shtetas i ka dhënë ndihmë dhe ka bashkëpunuar me një autor veprash penale të rënda, në Rusi. Maksimumi i dënimit 15 vjet burg.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Moskën, për ta ekstraduar shtetasin I. K., drejt Rusisë.”-thuhet në njoftimin e policisë./ S.M