Të lënduarit janë dërguar në spitalin e Lushnjës për mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se shkak i aksidentit është mosrespektimi i rregullave në qarkullim.
LUSHNJE– Një aksident rrugor është raportuar ditën e sotme pranë mbikalimit në Savër, në aksin nacional Lushnje–Fier.
Mësohet se dy automjete janë përplasur me njër-tjetrën dhe se si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur lehtë 4 persona, një nga drejtuesit e automjeteve, një shtetase italiane, e cila ishte pasagjere dhe 2 fëmijë, nxënës shkolle.
Të lënduarit janë dërguar në spitalin e Lushnjës për mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se shkak i aksidentit është mosrespektimi i rregullave në qarkullim.
Sipas policisë dy automjetet po lëviznin në korsinë nga Lushnja në drejtim të Fierit. Një nga drejtuesit ka dashur të kthehet për në Savër, por është përplasur nga mjeti tjetër që vinte nga e njëjta korsi.
Një nga shoferët është Bilbil Zeqo, i cili kishte në automjet tre nxënës, nipërit e tij dhe po i dërgonte në shtëpi, kur është goditur në anën e derës nga mjeti tjetër që drejtohej nga Oliks Stefanaj nga Berati i cili ishte me të fejuarën e tij, një shtetase italiane. Policia po merr në pyetje dy shoferët për të sqaruar rrethanat e aksidentit./I.S