Politikanët e ndarë përballë një kombi të bashkuar në stadium

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU

Nëse dëshiron të njohësh shqiptarët bashkë si një komb, shko në stadium kur luan kombëtarja! Provo dhe futu në “Air Albania” dhe aty do të shikosh që një komb prej 6 milionësh është përmbledhur në një ambjent me 22 mijë e 500 persona që qëndrojnë njëri pranë tjetrit. Vetëm aty mund të shikosh dhe takosh përfaqësues nga çdo qytet, apo krahinë, e në çdo truall etnik ku ka shqiptarë. Nga ata që vijojnë të banojnë aty ku kanë lindur dhe nga ata që e kanë lënë vendin e tyre, por vijnë të shikojnë ndeshjen aty ku njëkohësisht shohin të gjithë shqiptarët të bërë bashkë. Vetëm aty mund të shikosh dhe takosh shqiptarë nga Konispoli dhe Saranda; nga Vlora dhe Tepelena; nga Skrapari dhe Berati; nga Korça dhe Pogradeci; nga Lushnja dhe Fieri; nga Tirana dhe Durrësi; nga Malësia e Madhe dhe Shkodra; nga Kukësi, Dibra dhe Prizreni; nga Prishtina dhe Gjakova: nga Gjilani dhe Peja; nga Ferizaj dhe Mitrovica; nga Shkupi dhe Komanova; nga Tetova dhe Gostivari; nga Manastiri dhe Struga; nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja; nga Podgorica, Ulqini e Tuzi. Dhe sigurisht edhe shqiptarët që jetojnë cep më cep rruzullit nga Zvicra dhe Gjermania, nga Spanja, Anglia e deri në SHBA e Kanada e deri fare në Australinë dhe Zelandën e largët. Në asnjë rrethanë tjetër, në asnjë organizim të çfarëdo lloji nuk mund t’i bëjë shqiptarët bashkë nga çdo trevë në një ambjent prej 25 mijë metra katrorë që quhet stadium futbolli. Dhe i gjithë ky det shqiptarësh thërrisnin me një energji dhe jehonë që të bëjnë të dridhesh nga emocionet. Të përjetosh ndjesinë se aty brenda kësaj arene sportive ndodhet i gjithë kombi në miniaturë. Kështu ndodhi edhe të enjten që kaloi kur kombëtarja jonë e futbollit realizoi një nga ndeshjet e saj të denjë për vitrinë dhe për më tepër realizoi një fitore nga më të rëndësishme dhe historike. Një fitore me skuadrën e Çekisë as parashikohej e as ëndërrohej madje. Por, falë lojës fantastike në fushë dhe mbështetjes nga tifozëria e një kombi të tërë, ajo ndodhi. Madje në shifrat 3-0. Falë këtij rezultati pothuajse jemi një hap larg Euro 2024 që do të zhvillohet në Gjermani. Po përse kur luan kombëtarja e Shqipërisë dhe veçanërisht kur ajo arrin rezultate pozitive, shqiptarët bëhen një dhe ky rezultat çon peshë zemrat e të gjithëve që janë aty po e po, por edhe të atyre që e ndjekin nga televizori?

Në fakt, nuk kishte ndodhur më parë që ekipi i kombëtares së Shqipërisë të arrinte këto rezultate. Ne nuk jemi mësuar me suksese kaq të larta. Vërtetë kemi shkruar më parë në një Evropian si ai Francë 2016, por për ne sukses ishte thjesht që morëm pjesë. Rezultatet pozitive të atyre eleminatoreve ishin të vogla dhe një 3-0 në tavolinë ishte vendimtare në atë sukses duke përmendur disa humbje trishtuese në Shqipëri. Ndërsa aktualisht, kemi fituar ndaj çdo ekipi që kemi në grup, nuk kemi asnjë humbje në shtëpi dhe në çdo tur UEFA nxjerr si golin më të bukur perlat nga repertori i Asanit dhe Bajramit. Është meritë e padiskutueshme e trajnerit nga San Paolo i Brazilit, Sylvio Mendes Campos Junior, ose siç e njohim ne Silvinho. Një selektor që ka arritur të realizojë atë që nuk e ka bërë kush: Për herë të parë formoi një ekip kombëtar me përfaqësuesit më të mirë nga të gjithë trojet dhe njëkohësisht ka arritur të gjejë qendrën e rëndesës së shpirtit shqiptar. Në formacionin bazë ka futbollistë nga Prishtina, si portieri Etrit Berisha; Berat Gjimshiti nga Presheva; Mario Mitaj nga Malësia e Madhe; Arlind Ajeti nga Llapi; Elseid Hysaj nga Shkodra; Kristjan Asllani nga Elbasani; Ylber Ramadani nga Shtimja; Nedim Bajrami nga Tetova; Taulant Seferi nga Kumanova; Jasir Asani nga Shkupi; Sokol Cikalleshi nga Kavaja. Për të vijuar me rezervat Elhan Kastrati nga Kruma; Thomas Strakosha lindur në Athinë dhe me orgjinë nga Memaliaj; Ivan Balliu i lindur dhe rritur në Spanjë që vetëm pas interesit të kombëtares mësoi se është me origjinë shqiptare; Frederik Veseli lindur në Zvicër dhe me origjinë nga Gjakova; Keidi Bare nga Fieri; Klaus Gjasula nga Tirana; Myrto Uzuni nga Berati; Enea Mihaj lindur në Rohdos të Greqisë dhe me origjinë nga Pogradeci; Ernest Muçi nga Tirana; Mirlind Daku nga Gjilani; Qazim Laçi nga Peshkopia, Arbnor Muja nga Mitrovica. Pra, të 23 futbollistët e kombëtares përfaqësojnë të gjithë ata që janë në stadium dhe skuadra dhe tifozët përfaqësojnë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Përfaqësim më ideal se ky nuk e kemi parë më parë. Kurrë më parë kjo kombëtare nuk ka qenë kaq gjithëpërfshirëse dhe kaq përfaqësuese e të gjitha trojeve, por edhe e kolonive shqiptare të emigracionit. Aq e vlefshme është kjo sa mund të themi se këtij ekipi i rri shumë ngushtë togëfjalëshi “Kombëtarja e Shqipërisë”. Në fakt dhe në realitet, kjo është kombëtarja e shqiptarëve. Por, jo vetëm ekipi me 23 futbollistët në fushë dhe ata në stolin e rezervave, por edhe ata 22.500 tifozë në shkallët e stadiumit përfaqësojnë shqiptarët të të gjitha trojeve. Kjo nuk ndodh me asnjë kombëtare tjetër, në Eropë po se po, por as në botë. Ky fenomen dhe kjo mrekulli ndodh vetëm me shqiptarët. Më saktë me kombëtaren që zyrtarisht përfaqëson shtetin shqiptar, por që realisht përfaqëson shqiptarët kudo që ndodhen. Nuk e teprojmë të themi se të paktën për momentin kjo është kombëtarja A dhe ajo e Kosovës është kombëtarja B.

Lexo edhe :  Opozita e amnistisë!

SPEKTAKLI NË STADIUM

Nuk fillon dhe nuk mbaron me ndeshjen ajo që shohim në “Air Albania”. Grupimet e tifozëve janë zemra dhe shpirti i një atmosfere që është pak të themi që është elektrizuese. Sapo futesh në stadium shikon që “Tifozat kuq e zi”, “Plisat” dhe “Ballistët” janë plot zjarr. Menjëherë kupton që ajo që shihet aty është spektakël, sepse nuk mund ta quash thjesht një ndeshje futbolli dhe kaq. Ovacione dhe thirrje pa fund dhe të gjitha të dirigjuara me megafon dhe nën ritmin e daulles janë të pandërprera përpara, gjatë dhe pas ndeshjes. Dhe atmosfera elektrizohet akoma më shumë kur në qendrën e zërit të stadiumit transmetohen disa këngë që janë më shumë se patriotike si: “Mora fjalë”, “Kuq e zi”, apo edhe “Shqipëri o nëna ime” etj. Ndërkaq, kanë qenë dy kulme në pushimin e ndeshjeve kundër Polonisë dhe Çekisë. I pari këngëtari tropojan Gëzim Nika i ardhur enkas nga SHBA performoi disa këngë në pushim të ndeshjes me Poloninë dhe të enjten Shkurte Fejza në pushim të ndeshjes me Çekinë. Vetëm një hatërmbetje e vogël. Ende në stadium nuk kemi parë ndonjë këngëtar apo këngëtare nga Jugu i Shqipërisë.

DY SHTETE NË NJË STADIUM

Por kjo ishte pjesa e bukur dhe e mirë dhe që të bën mishin kokrra-kokrra. Por prisni! Si për ta bërë tipike shqiptare atmosferën mendojnë liderët e politikës. Nuk i ngjanë fare atij populli që rri bashkë aty në stadium duke treguar se sa larg njerëzve janë. Gjatë interprelancës në kuvend për miratimin e revolutës për Kosovën, rreth orës 12.00. kryeministri Edi Rama përmendi marrëdhënien e tij me Albin Kurtin që në pamje të parë dukej sikur ishte e zbutur. Tha Rama:

Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë se Haradinaj me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër. Ndërsa me Albinin nuk kam patur kurrë asnjë problem personal, madje e kam kënaqësi të bisedoj me të, por me kryeministrin aktual kam divergjenca botëkuptimore, se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar”.

Me këto fjalë të buta dhe miqësore dukej sikur Rama po hidhte një degë dafine ndaj Kurtit diçka po ndodhte mes tyre. Sikur akujt ishin shkrirë dhe do të ndodhte diçka. Kaluan disa orë dhe Albin Kurti lajmëroi në facebook se sapo ishte nisur nga Prishtina për të parë ndeshjen e Kombëtares së Shqipërisë dhe njoftimi vijonte se bashkë me të në makinë ishte edhe i biri i Adem Jasharit, Lulzim Jashari. Shkroi Kurti në faqen e vet në facebook:

“Bashkë me Lulzim Jasharin rrugës për Tiranë në përkrahje të Shqipërisë. Forca djema. Evropiani po na pret”.

Dhe kur të gjithë prisnim që i gjithë ai akull e gjithë ajo mosmarrëveshje dhe e gjithë ajo idhni mes Kurtit dhe Ramës të shkrihej nga një ndeshje futbolli, në fakt ndodhi e kundërta. Kryeministri i Shqipërisë qendroi në katin e parë të sektorit VIP duke patur në krah bashkëshorten Linda dhe presidentin e FSHF Armando Duka si dhe ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Në katin e dytë të të nëjtit sektor ishte Albin Kurti duke patur në njërin krah ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla dhe në tjetrin zëvendëskryeministren e Shqipërisë Belinda Balluku. Më keq, më rëndë dhe më turp nuk kishte! Ishte ironike gjithashtu që regjia u kujdes gjatë gjithë ndeshjes për të mos dhënë asnjë pamje ballore dhe as nga afër që të dukeshin të dy në një plan të vetëm. Pamjet që ne shohim sot në youtube ishin ose rastësore ose të filmuar nga tifozë të rastësishëm. Kjo ndarje dhe ky veçim kishte vetëm një fjalë: turp! Imagjinoni për pjesën e parë, suksesin e futbollistëve dhe atmoferën e krijuar nga tifozët, çfarë mendojnë ata që nuk na duan. Padyshim kanë skërmitur dhëmbët. Por, imagjinoni për pamjen e dytë, kur kanë parë dy kryeministrat shqiptarë që qendronin të ndarë në katet e ndryshme. Padyshim që janë lumturuar. Atë që nuk e bën politika, e bëjnë futbollistët dhe tifozët brenda një stadium të vetëm.

Të fundit

Samiti/ Ekspertja e ekonomisë: BE përpjekje për ta përfshirë Ballkanin Perëndimor në BE

Në një intervistë televizive, ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj u shpreh se ka përpjekje të shtuar për ta përfshirë...

A do të vizitoni Kosovën? Ja përgjigja epike e kryeministrit shqiptar të Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se nuk ka marrë ftesë ende për ta vizituar Kosovën. I pyetur nga gazetarët pse nuk e...

Çfarë po ndodh? Shkencëtarët ngrenë alarmin, shkurti i këtij viti më i nxehti në histori

Muaji shkurt i këtij viti mund të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në histori, me lulet që kanë lulëzuar më herët në...

“Do t’i ha hallvën”/ Nuk ndalet Erjola, vazhdon me Ledjonën planin kundër Ilnisës

Erjola me Ledjonën kanë qenë duke biseduar me njëra-tjetrën për planin që ato të dyja në bashkëpunim me Julin kanë thurur për Ilnisën dhe...

Reuters: Vuçiç nga Tirana jep ndihmë humanitare për Ukrainën, Zelensky e falenderon!

Presidentin ukrainas Volodymir Zelensky gjatë vizitës së tij në Tiranë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore u takua edhe me mikun e armikut të...

Lajme të tjera

Web TV