Nga Kosova tashmë kanë filluar të ikin edhe qytetarët që qëndrojnë mirë ekonomikisht. Më herët arsye për largim nga Kosova ishte gjendja e rënduar ekonomike, ndërsa tani Kosovën po e lënë edhe ata me gjendje të mirë materiale.Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), nëpërmjet një reagimi ka vlerësuar se numri i qytetarëve që po ikin nga Kosova, nuk ka qenë asnjëherë më i madh sesa tani.
Sipas tyre tani nga Kosova po largohen edhe qytetarët që kanë gjendje të mirë ekonomike.
“Përkundër të gjitha këtyre pengesave, asnjëherë nuk ka qenë më i madh numri i qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën sikur po ndodh tani. Më herët arsye për largim nga Kosova ishte gjendja e rënduar ekonomike ndërsa tani Kosovën po e lënë edhe ata me gjendje të mirë materiale”.
Ata kanë vlerësuar se pas 1 janarit të vitit 2024, kur do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën, ne vend do të ketë mungesë të punëtorëve.
“Në Kosovë, pas 1 janarit 2024 do të ketë mungesë të madhe të punëtorëve vendin e të cilëve po e zënë punëtorë të importuar nga shtetet aziatike apo të Afrikës por të cilët Kosovën e shfrytëzojnë vetëm si një mundësi për t’u larguar në shtetet europiane”, thuhet në reagim, ku shtohet se vendin e tyre “po e zënë punëtorë të importuar nga shtetet aziatike apo të Afrikës por të cilët Kosovën e shfrytëzojnë vetëm si një mundësi për t’u larguar në shtetet europiane”.
Sipas KMDLNJ-së gjendja ekonomike në Kosovë nuk është përmirësuar aspak, krahasuar me rritjen e inflacionit, që sipas tyre është mbi 4.2%.
“Mund të thuhet se kemi përkeqësim për faktin se Kosova është vendi i vetëm në rajon ku pensionet nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Në vendet e rajonit, brenda 36 muajve kemi rritje të pensionevekurse në Kosovë brenda këtij afati shteti ka intervenuar dy herë duke i dhënë nga 100 euro shtesë”.
Sipas tyre shteti nuk e trajton Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës si partner social dhe nuk po e përfillë asnjë kërkesë që e bënë shoqata.
Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se përfituesit e skemave sociale nuk janë aspak në gjendje më të mirë, madje nuk i mbulojnë as nevojat elementare.
“Nuk ka kategori sot në Kosovë, përveç politikanëve dhe përkrahësve të tyre që sigurojnë të ardhura me të cilën mund t’i përmbushin nevojat personale dhe familjare. Nuk mund të gjeni vend në rajon ku nuk ka pasur lëvizje apo intervenim të shtetit për të përballur këtë gjendje të rënduar ekonomike sikur që po ndodhë në Kosovë”.
Sipas tyre në këtë kohë po ndjehet një mungesë e punëtorëve “sidomos e një profili të kualifikuar të cilët kanë shkuar të punojnë në shtetet perëndimore”.
Këto shtete në kohën kur po përballen me mungesën e punëtorëve kanë krijuar rrethana lehtësuese për këto profile duke krijuar mungesë të punëtorëve në shtete nga rekrutojnë punëtorë.
Edhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) ka thënë ikja e punëtorëve nga Kosova është shqetësuese
Sipas SPSPK-së, mungesa e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë është më shumë se shqetësuese, këtë po e bartin në shpinë pronarët e kompanive por jo rrallë herë edhe vetë punëtorët e mbetur në punë, pasi që çdo ikje e punëtorëve nga vendet e tyre të punës, mungesën e tyre po duhet ta mbulojnë punëtorët e mbetur.
“Me çka atyre po u shtohet edhe me shumë barra e punëve në kompani. Po e përsërisim se ikja e punëtorëve është shqetësuese dhe arsyeja kryesore është mostrajtimi i duhur nga pronarët e kompanive dhe lënia anash nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen me dinjitet të kësaj kategorie”.
SPSPK-ja thotë se sot kemi një pagë minimale 170 euro në fuqi.
“Nuk kemi marrëveshje kolektive më shumë se pesë vite dhe as që flitet për të, nuk kemi sigurime shëndetësorë, nuk kemi gjykatë të punës, nuk kemi fond social, pra të gjitha këto të premtuara nga qeveritë e kaluara por edhe nga kjo e sotmja”.
Nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.
Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.
Parlamenti Evropian më 18 prill i ka thënë Kosovës po për liberalizimin e vizave, një ditë më pas u nënshkruar edhe marrëveshja për lëvizje të lirë të kosovarëve.
Marrëveshja do t’u mundësojë mbajtësve të pasaportës biometrike të Kosovës – më së voni nga 1 janari 2024 e tutje – të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180 ditore./Monitor/ S.M