Jude Bellingham e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer sezonin te Reali i Madridit dhe ka plane të mirëpërcaktuara për të ardhmen afatgjatë, duke supozuar se, të paktën për dekadën e ardhshme, ai synon të vazhdojë të veshë fanellën e bardhë.
Mesfushori anglez, 20 vjeç, u ble nga klubi “Merengues” te Borussia e Dortmundit për 103 milionë euro. Një transferim që mund të arrijë në 130 milionë euro në varësi të golave. Deri më sot, ai ka shënuar 10 gola në po kaq ndeshje për skuadrën e Carlo Ancelottit.
“Reali i Madridit është klubi ku unë dua të qëndroj për 10 ose 15 vitet e ardhshme të jetës sime. Më pëlqen të jem këtu dhe jam përmirësuar shumë që kur kam ardhur, nuk kam asnjë dyshim”, tha Bellingham pas fitores së Anglisë (3-1) ndaj Italisë, në kualifikueset e Euro 2024, duke falënderuar gjithashtu Carlo Ancelottin për mënyrën sesi e integroi në Madrid.
“Ancelotti më tha se pozicioni në të cilin luaj tani është ai ku më sheh. Më pëlqen liria që ai më jep dhe të qenët i rrethuar nga lojtarë me aq shumë cilësi më çon në një nivel tjetër”, – tha Bellingham.