Shpendi Topollaj
Për të përcaktuar poetët, ndoshta askush para tyre nuk është shprehur më qartë se Samuel Beketi që i quante ata “shqisat e njerëzimit” dhe Robert Frosti i cili i konsideronte thjesht “një gjendje”.
Dhe në atë “botë të mbyllur brenda një njeriu”, siç i pëlqente t`i krahasonte poetët Viktor Hygoi, bashkohen ngushtësisht si shqisat e të tjerëve që ai mbart, ashtu edhe gjendja e vetë atij, pra si ndjenjat humane ashtu dhe emocionet.
Poeti nuk shkruan për vete; ndofta poezitë e pashkruara të tij, d.m.th. meditimet poetike që nuk janë hedhur në letër, janë më të bukurat dhe më të paarritshmet. Por ne i gjykojmë dhe vlerësojmë ata nga ajo që shohim e dëgjojmë. Natyrisht që poeti duhet të hyjë në lëkurën e lexuesve, t`u këndojë gëzimeve, halleve, dëshirave të tyre, por edhe ata duhet ta vënë veten në rolin e tij.
Vetëm te ky mirëkuptim qëndron bukuria e të kuptuarit dhe shijuarit të poezisë. Se poetët as e shohin dhe as e shprehin njësoj jetën në shumanshmërinë e saj. Mesazhet e tyre estetikisht ata mund t`i japin edhe duke u marrë me diçka në dukje pa rëndësi.
I japin jetë një gjetheje, një guri, një zogu, një reje, një peme, një burimi, kuvendojnë me ta si të barabartë dhe nuk e kanë për gjë që këtë bashkëbisedim ta shtrijnë te liqeni, te pylli, te mali, te deti, te qielli. U drejtohen atyre si të ishin njerëz, si t`i kishin shokë e miq të vjetër. U flasin atyre ndofta ashtu sikurse nuk do të flisnin me njeriun e vërtetë. Përdorin me ta metafora, figura letrare, krahasime pa pasur frikë se do të keqkuptohen prej tyre. Me pak fjalë, ndihen komod në ballafaqimin me ta.
Dhe referimi te natyra nuk është diçka e re. Ajo është e lashtë, ndoshta sa vetë vjershërimi. Dhe ja këtë metodë përdor edhe autorja Teuta Dhima te libri i saj në dy gjuhë “Përse mendohet një luledielli”. E lexon poezinë me të njëjtin emër dhe nuk je i sigurt në je para një bime a para një gruaje. Për më tepër, vetë poetja në rast se do të zgjidhte të ishte lule, do të preferonte të ishte luledielli.
Se kështu ajo do të mund t`i gëzohej çdo rrezeje të lëshuar nga qielli, por kokën jo, nuk do ta mbante ulur kurrë. Sido që ajo as vetë nuk e di përse e ul kokën. Ndofta është grindur me vetë diellin, ndofta dhe mendohet.
Por çfarë mendon, askush s`e di. Pra, kështu bisedohet vetëm me shoqen e ngushtë, e cila sidoqoftë e fsheh brenda vetes një mister. Dhe te ky mister qëndron poezia. Se është ashtu sikurse ajo pohon te “Udhës për te ty”, ku udha për tek e vërteta qenka e vështirë dhe e shtruar me kalldrëm, dhe para të vërtetës, njerëzit druhen.
Se ja, edhe hëna që këputet si kopsë e argjendtë dhe detit pa zhurmë i ra në gji, si dy të dashuruar të vjetër, nuk flasin. Vetë vajza kërkon fare pak dhe e gjen zgjidhjen te një lule: “Më mendo. / A mundesh, apo një lule violë / ta sjell për të më kujtuar”. Dhe kur kërkon ta duan, po luleve i drejtohet: “Më duaj. / Shumë, aq sa zemra të regëtijë fort / e dëshira për mua të të shpërthejë trupit / si petalet erëmira”.
Gruaja vishet bukur se “mbi palë të fustanit i lodron vesa e mëngjesit”. Nga ana tjetër, “pemët mbi pellg, ngjajnë me gra flokëlëshuara në erë”.
Ato ashtu si gratë, kur shihen mbi pellg, e dinë se janë me të vërtetë të bukura. Kurse te “Simfonia e diellit”, “Rrezet si gishta të artë bien mbi tastierë”, kurse “pulëbardhat përplasin krahët pareshtur, / të palodhurat dirigjente…”. Te një mike, “trishtimi i fytyrës shkundet si pluhur yjesh të zbehtë”.
Poetja edhe gjendjen e saj shpirtërore e lidh me natyrën: “Pranvera ime më ngroh në shpirt / më vesh sythash si një pemë e zhveshur / shtron gjelbërim mbi tokën e thatë / bën që dimri mos të më duket aq i gjatë”. Ja si e shfaq gjendjen në poezinë e saj Teuta: “I ëmbël ky rravgim / nëpër udhët e viteve / që veshur janë me mall”.
Ne, rrugët i përfytyrojmë me baltë, me pluhur, me asfalt por kurrsesi veshur me mall. Ky është ai shikimi i veçantë që vetëm poeti e ka. Ajo edhe kur ka për t`i përcjellë dashurinë e saj Anës, hënëzës së saj, i thotë: “Vetëm ti, mund t`i rrish përballë trëndafilit / pa provuar drojë”. Dhe mjaftohet duke e quajtur atë “Vajza – lule, lulja – njeri”.
Te “Ritual’ ajo e shndërron sërish edhe mëngjesin në njeri: “Ka mëngjese që nuk fshijnë dot / gjurmët e natës. / Iu ngarkohen mbi shpinë / ditëve të lodhura nga rinisjet”. Te “Prit varkë!” ajo ndien një boshllëk dhe i dhimbset si të ishte një plak mjeran “Një varkë e përmbysur në breg / (që) më kujton verën e shkuar, / mes dëborës që vendin zbardh / ka mbetur si një premtim i harruar”.
Pastaj në krijimet e saj ndeshim edhe poezi mjaft interesante kushtuar vendlindjes, Vlorës, për të cilën thotë: “Kudo shkoj, ajo më ndjek pas, / por jo thjesht si një emër. / Vlorë, je e shtrenjtë për mua / të kam këtu në zemër”. Dhe pastaj ajo shkon më tej. Kështu, ngaqë i ka lënë mbresa të veçanta porteti “Vajza me perlë në vesh” i shekullit të XVII – të nga piktorit gjerman Johan Vermerit (Johannes Vermeer) që tani në tetor ka 391 vjetori e lindjes, ajo gati sa nuk përlotet teksa “Shumë të quajtën Mona Liza e veriut / edhe pse buzëqesh si erë jugu e ngrohtë, / Vajzë me vëth perle, misterioze mbete / emrin edhe sot, nuk ta gjetën dot”. Piktori edhe vetë u zbulua shumë vonë, në 1866.
Poetja kujton me mall babanë e saj që i mungon, dhe që i dha më të madhin bekim: emrin Teutë. Po ashtu i ngre himn djalit të saj, himn që është aq emocional sa do ta jap të plotë: “Davide: Mikelanxhelo të gdhendi në mermer / unë prej trupit tim të solla në jetë ty. / Ai me daltë e unë me dashuri, / të dy kemi bërë nga një mrekulli. / Shtatoren e tij të gjithë e adhurojnë / i kanë thurur himne e dedikime / ndërsa ti i miri im / përherë do të jesh mbret në zemrën time”.
Dhe së fundi poetja deklaron se është në kërkim të një dallëndysheje që veroren mbi degë ta var, bashkë me dëshirën që ajo me vete ta marr. Patjetër që edhe ne kemi të drejtë të shpresojmë që enigmën e kësaj dëshire e kemi gjetur; ajo do të vijojë të krijojë dhe përhapë ngado poezitë e saj plot shqisa dhe gjendje, pra plot emocione dhe mesazhe për bukurinë e jetës. E gjithë kjo e bën që edhe vdekjes të mos i trembet, pasi: “Mes të këtushmes dhe të përtejmes, / kufijtë janë zbehur, / ka të vdekur që kujtohen ende, / ka të gjallë që me kohë kanë vdekur”.