Pas 48 orësh: Nikotina fillon të zhduket. Nikotina dhe nënproduktet e saj të dëmshme fillojnë të eliminohen përgjithmonë nga trupi. Mbaresat nervore të ndryshuara – nga këto substanca – për shkak se receptorët e tyre janë të ndjeshëm ndaj nikotinës – fillojnë të rindërtohen dhe riparohen.
Pas 48 orësh: fillojmë sërish të shijojmë shijet. Sythat e shijes së duhanpirësve, zakonisht më të sheshtë, më të pakët në numër dhe më pak të ndjeshëm se ata të joduhanpirësve, fillojnë të fitojnë sërish ndjeshmëri. Ushqimi më në fund duket më i shijshëm, edhe nëse një pjesë e këtij dëmi mund të jetë e pakthyeshme tek duhanpirësit kronikë.
Pas 72 orësh: fillon koha më e vështirë (për vullnetin). Është momenti më i vështirë i tërheqjes së nikotinës, me dhimbje koke, të përziera, dridhje, ngërçe, simptoma ankthi dhe depresioni (të njëjtat simptoma prekin edhe ata që përpiqen të bëjnë pa substanca të tjera të varësisë, si kafeina). Lajmi i mirë? Nëse tejkalohet, rruga është tatëpjetë.
Pas një muaji: zvogëlohet rreziku i diabetit. Rreziku i zhvillimit të diabetit të tipit 1, disa lloje të kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare tashmë ka rënë. Sa i përket diabetit, arsyeja është e thjeshtë: nikotina duket se ndërhyn në funksionimin e insulinës (për shembull, duke e bërë të vështirë për diabetikët që pinë duhan rregullimin e saj). Lënia e duhanit ndihmon në rikthimin e kontrollit të niveleve të glukozës në gjak.
Pas 3-9 muajsh: Mushkëritë fillojnë të “pastrohen”. Qelizat që rreshtojnë traktin respirator dhe të cilat dridhen dhe transportojnë mbeturinat dhe papastërtitë lart, fillojnë të reformohen pasi nikotina ka ulur funksionalitetin e tyre, duke rritur ngecjen e mukusit dhe shfaqjen e infeksioneve respiratore. Kolla përfundimisht pushon, ndërsa kapaciteti i frymëmarrjes rritet.
Pas një viti: Rreziku i sëmundjeve të zemrës tashmë është përgjysmuar. Rreziku i zhvillimit të sëmundjeve të zemrës për shkak të atheromave, pllakave të yndyrës, proteinave dhe indeve që bllokojnë muret e arterieve, zvogëlohet përgjysmë.
Pas 10 vjetësh: rreziku i kancerit të mushkërive përgjysmohet. Rreziku i zhvillimit të kancerit të mushkërive është përgjysmuar në krahasim me atë të atyre që nuk e kanë lënë duhanin.
Pas 15 vjetësh: as rreziku i sulmit në zemër nuk ekziston më. Rreziku i sulmit në zemër bëhet i barabartë me atë të dikujt që nuk ka pirë kurrë duhan (me të njëjtin stil jete).
Natyrisht, lista e përfitimeve nuk është absolute dhe duhet të ndryshojë nga personi në person. Disa dëmtime të mushkërive mund të jenë të përhershme dhe pasojat e pirjes së duhanit varen edhe nga sa kohë keni pirë duhan dhe nga numri i cigareve të konsumuara në ditë. Në çdo rast, edhe nëse lënia e duhanit është e lodhshme, siç mund ta shihni, ia vlen./ Përshtati në shqip nga Focus.it, E.T