Nga Simon Puta*
Memoriali i vendosur në qendër të qytetit Fushë- Arrës, i cili i kushtohet Qeverisë së Përkohshme Shqiptare të krijuar 27 prill 1911. Ndryshe ajo është quajtur edhe ‘Qeveria e Kimzës’, për shkak të emrit të fshatit ku u kijua.
Qeveria e Kimzës ( e quajtur “e Përtashme Shkipeniis) ishte qeveria e parë e organizuar që shpalli zyrtarisht Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane
Për herë të parë që nga vdekja e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeu, një tubim i organizuar i përfaqësuesve nga bajrakët e veriut mori pjesë në krijimin e një qeverie të bashkuar. Ata rridhnin nga vendbanimet Spaç, Fan, Gojan, Orosh, Kushnen, Kthellë, Shkodër, Dibërr, Mërtur, Berishë, Shalë, Shosh, Thaç, Toplanë, Theth dhe Nikaj.[2]
Kreu i qeverisë së Kimzës, avokati dhe aktivisti arbëresh Terenc Toçi, kërkoi të bënte një kryengritje “revolucionare” nga veriu në jug për “të pasur një frymë të vetme, një flamur, njëkohësi veprimi dhe disiplinë dhe për të bindur botën e qytetëruar të ndërhynte në interesat tona”. Toçi zgjodhi rajonin autokton të Mirditës për të formuar një bërthamë kombëtare “që do të shërbente edhe si shkëndijë për një lëvizje mbarë shqiptare. Qeveria e Kimzës ishte e para qeveri shqiptare që ngriti flamurin kombëtar dhe kërkoi Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Para dy vjetësh, aktivistë kombëtare që nga Arbëreshët e Italisë dhe vendas, u mblodhën dhe bënë të mundur ngritjen e një memoriali përkujtimor në qendër të qytetit të Fushë Arësit.
Ditët e fundit, në një mëngjes të zakonshëm, qytetarët e qytetit Verior që jetojnë bashkë me historinë dhe me memorialin e Qeverisë së Kimzës, e gjetën veprën përkujtimore të dëmtuar: goditur me sende të forta dhe lyer i tëri me bojë të zezë. Në këtë qeveri bënin pjesë krerë të nga trevat e Veriut të Shqipërisë, katolikë e myslimane, qëllimi i të cilëve ishte që të krijohej një bërthamë kombëtare e cila do të vinte në lëvizje aksionin për pavarësi në mbarë vendin.
Dhunimi i memorialit të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Fushë- Arrës kushtuar kësaj ngjarjeje madhore, duket sa e thjeshtë aq edhe thjesht një veprim anti- kombëtar. Kjo nuk nderon asnjë njeri, madje ka shkaktuar edhe shqetësim te banorët e zonës.
Po çfarë ndodhi pas kësaj?
Çfarë pritej e çfarë ndodhi?, shtrohet pyetja.
Pritej që autoritetet shtetërorë dhe përfaqësues të qytetarisë së zonës, të jepnin shpjegime pse ndodhi. A mund të jetë kjo thjsht marrëzi e dikujt, apo është një akt që provokon ndjenjën kombëtare të banorëve të zonës të cilët krenohen me historinë e tyre në shërbim të kombit?
Por kjo nuk ndodhi.
Madje nuk ndodhi edhe që përfaqësues të zgjedhur apo edhe zyrtarë të lartë të qeverisjes lokale të deklarohen ‘të papajtueshëm me aktin’, si edhe të shpallin qëndrimin e tyre. Autori i aktit të dhunimit të memorialit historik duhet të zbulohet, sepse kjo është e shëndetshme edhe për qytetarinë e zonës.
Dëmtues të tillë të veprave historike, etnografike, kulturore, etj., që dëshmojnë vlerat dhe shpirtin e popullit, sigurisht që ka kudo; por edhe që zbulohen lehtësisht. Zbulohen lehtësisht sepse akti i tyre prek shumë njerëz dhe vetë pjesën e përbashkët të qytetarëve: Respektin dhe dashurinë për atdhetarët e mëdhenj që nuk kursyen asgjë për të mirën e kombit.
Po kur këta nuk zbulohen?
Atëherë dëmi bëhet edhe më i madh se sa dhuna mbi memorialin e Qeverisë Kimza. Dëmi nis e shtohet duke filluar që nga hamendjet, paragjykimet, prapamendimet dhe keqinformimet. Disa mendojnë se kjo dhunë mbi veprën u krye me qëllim meqë ‘jemi në Fushë Arrës’, dmth në Veri. Disa thonë se ‘Mirditën nuk e lënë të qetë, por e provokojnë’. Dëmi që shkon deri të paragjykimet mbi ndarjet fetare dhe krahinore, e bëjnë edhe më të hidhët ngjarjen.
Kjo është arsyeja pse kërkohet të zbulohen autorët e dhunimit të simboleve kombëtare. Jemi një komb që e krijojmë dhe e duam vlerën, prandaj edhe e mbrojmë.
Veçanërisht kohët e fundit po dëshmohet se shqiptarët, siu në Jug edhe në Veri, po i bashkojnë vlerat e tyre me qytetërimin perëndimor europian; ashtu sikurse edhe aspironte Qeveria Kombëtare e Përkohshme e Kimzës.
*Simon Puto, ish deputet i Parlamentit.