Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe shprehin shqetësimin në lidhje me tensionet e krijuara në seancat e fundit në Parlamentin shqiptar.
Në një reagim për VOA, ambasada amerikane vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”.
Sipas SHBA “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.
Thirrjet për dialog vijnë dhe nga ambasada britanike, e cila u bën thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve. /O.S