Të udhëtosh do të thotë të heqësh dorë nga gjërat e vjetra dhe të zakonshme për të “përqafuar” të renë. Ju bëheni njerëz më të mirë brenda pak ditësh dhe përjetoni momente unike që ju bëjnë të ndiheni edhe më të gjallë duke harruar problemet, punët, angazhimet e përditshmërisë.
Pra, po: udhëtimi është një mënyrë praktike dhe e thjeshtë për të qenë më të lumtur.
Të shihni vende të reja, të mësoni për kulturën dhe mënyrën e jetesës së njerëzve të tjerë ju hap mendjen, duke zvogëluar njëfarësoj problemet dhe shqetësimet.
Sa herë që udhëtoni, përjetoni situata të reja, zbuloni anët e vetes tuaj që më parë ishin të panjohura, teksa ana emocionale pasurohet. Kjo është arsyeja pse udhëtimi ju bën më të lumtur, shumë më tepër sesa të bëni blerje, kjo sipas hulumtimit të publikuar nga Journal of Consumer Psychology.
-Emocioni zgjat me kalimin e kohës
Nëse blerjet na bëjnë të lumtur për momentin, gëzimi që lidhet me udhëtimin zgjat edhe më shumë me kalimin e kohës. Kjo konfirmohet nga një studim me titullin “A wonderful Life: Experiential Consumption and the Pursuit of Happiness” botuar nga Journal of Consumer Psychology, i cili shpjegon sesi udhëtimi, ndryshe nga gjërat materiale, udhëtimi lidhet me pjesën më të madhe të identitetit të një personi.
-Mbetet një kënaqësi e qëndrueshme
Thomas Gilovich, profesor i psikologjisë në “Cornell University”, shpjegon sesi kënaqësia që vjen nga objektet materiale është reale, por shumë e shkurtër, sepse ne mësohemi menjëherë me praninë e tyre. Udhëtimi, nga ana tjetër, përfaqëson një përvojë që na shpërblen në afat të gjatë dhe që fillon që nga momenti kur rezervojmë avionin për të mos mbaruar kurrë.
Udhëtimet, jo vetëm na bëjnë më të lumtur, por edhe më energjikë. 94% e njerëzve që shkojnë në një udhëtim kthehen me një rritje të konsiderueshme të energjisë. Vetëvlerësimi ynë rritet, marrëdhëniet personale bëhen më të lehta për t’u menaxhuar, ndërsa frika zvogëlohet./E.Ç