Ish-drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Durim Toska u arrestua në Pogradec, pasi ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij. Në banesë i është gjetur edhe armë pa leje.
POGRADEC– Ish-drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Durim Toska u arrestua mbrëmjen e 2 dhjetorit në Pogradec. Lajmi për arrestimin e tij u bë me dije pas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, se Durim Toska ishte shkarkuar nga posti si drejtor.
Ai ka rënë në pranga pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Kjo e fundit është pajisur edhe më urdhër mbrojtje. Gjatë kontrollit që uniformat blu kanë ushtruar në shtëpinë e Toskës, i është gjetur edhe një pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin Durim Toska, 52 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./O.S