Reja quhet “tulla” sepse ka formë drejtkëndore dhe është shumë e dendur. Më parë mendohej se mbante më shumë se sa 100.000 herë sa masa e diellit. Dhe një re e tillë e dendur duhet të nxjerrë vazhdimisht yje të mëdhenj, sipas asaj që mendonin shkencëtarët, por kjo nuk po ndodh.
Tulla është inaktive dhe as vëzhgimet e fundit me teleskopin James Webb nuk zbuluan asnjë yll të ri të fshehur diku.
Të dhënat e reja nga teleskopi hapësinor tregojnë se përbërja e saj nuk është vetëm gaz. Në të ka prani të monoksidit të ngrirë të karbonit, shumë më të hershëm se sa përfytyrohej dhe në thellësi të saj formohet akull. Prania e monoksidit të karbonit është shkaku i ndryshimit të ngjyrës.
Një tjetër mister rreth akullit me monoksid karboni është temperatura. Zona është e ngrohtë, rreth 60 Kelvin ndërsa monoksidi i karbonit ngrin në temperaturën 20 Kelvin.
Pluhuri brenda tullës mund të jetë më i ftohtë se sa gazi, por sipas astronomit Adam Ginsburg, arsyeja mund të jetë uji i ngrirë që ‘ngërthen’ monoksidin e karbonit.
Përgjigja e kësaj është shumë e rëndësishme.
Akulli në një zonë si tulla mund t’i tregojë shkencëtarëve të dhëna të reja për sistemin diellor dhe planetin tonë. Akulli dhe uji erdhën në Tokë përmes kometave. Rrjedhimisht, aty ku ekziston akulli në univers dhe si formohet i ndihmon ata të kuptojnë nga vijnë kometat dhe si i kanë grumbulluar materialet që depozitojnë.
Sa i përket arsyes pse tulla nuk ‘lind’ yje të rinj, është shumë e rëndësishme të kuptohet gjendja fillestare e gazit për të marrë përgjigjet e duhura. Shkencëtarët thonë se duhet të ishte një ndër ‘inkubatorët’ më aktivë në galaktikë, por nga ana tjetër mund të mos jetë aq kompakte sa ata mendojnë ndërsa një version është se mund të jetë ende në gjendje gjumi dhe nuk ka ardhur ende momenti që të formojë yje të rinj./O.S