test

Ngjarja e rëndë në burgun e Peqinit/ Përse u zgjodh Sokol Mjacaj për eliminimin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala  do të trajtojë ngjarjen më te fundit të kronikës, ku i dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj, vrau një të dënuar tjetër në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit.

Ku ndër të tjera janë të përfshira dhe dëshmitë e punonjësve dhe drejtuesve të institucionit.

Në pjesën e dytë të dokumentarit janë trajtuar disa nga ngjarjet më të bujshme ndër vite në burgje, duke filluar nga vrasje, tek arratisje në tentativë, arratisje të dështuara si dhe arratisje të kryera.

Emri i Sokol Mjaçaj, gati ishte zhdukur nga qarkullimi, që nga ajo mbrëmje e 3 Korrikut 2015, kur ai qëlloi për vdekje dy turistë çekë në fshatin Prekal të Dukagjinit, me qëllim grabitjen e sendeve të tyre personale. Që nga ajo datë dhe deri në ditën e shpalljes së vendimit për burgimin e tij të përjetshëm, askush nuk kishte dëgjuar më për këtë djalë, për profilin e tij gjakftohtë.

Gati si në një harresë që u vjen më shumë përshtat natyrave të tyre flegmatike, ashtu si dhe u rikthye emri i tij në vëmendje, mesditën e 15 Dhjetorit 2023, kur sërish gjakftohtë, eci i pa shqetësuar dhe me hap të ngadaltë në ambientin e ajrimit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, dhe po me aq qetësi thirri në emër viktimën e tij të radhës, futi armën brenda dritares së qelisë së tij dhe me po aq pa droje iu përgjigj apelit, teksa qëlloi tri herë ndaj tij duke e lënë të vdekur.

Ekzekutim që jo vetëm nuk ishte dëgjuar ndonjëherë brenda burgjeve shqiptare, por tronditi rëndë edhe sigurinë në këto institucione, ku masat duhet të ishin më vigjilente se kudo.

“Nga kryerja e veprimeve hetimore deri në këto momente rezulton se, më datë 15 Dhjetor 2023 rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, shtetasi Sokol Mjaçaj (i dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë) ka gjuajtur me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit tjetër të dënuar Arben Lleshi duke e lënë të vdekur dhe Indrit Shaqja, duke e lënë të plagosur. Më pas ky shtetas ka kanosur me këtë armë punonjësit e shërbimit si dhe është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara.”, thuhet nga hetimet.

Por si ndodhi ekzekutimi i Arben Lleshit, dhe përse u zgjodh Sokol Mjaçaj, një i dënuar siç thamë me burgim të përjetshëm, për të kryer elemiminin e tij?

Ishte ky një krim, i ndodhur sipas dëshmisë së dhënë nga Mjaçaj, pas refuzimit që Arben Lleshi i kishte bërë qëndrimit të tij në sektorin ku ky i fundit kishte qelinë apo ishte një atentat mafioz i organizuar nga persona të cilët kishin konflikte të hapura jashtë burgut me Arben Lleshin?

Kush ishte Arben Lleshi dhe pse jashtë burgut ai kërkohej të eliminohej me çdo kusht? Cila është historia e tij e përplasjes me fisin Hoxha, që ka shkaktuar në harkun kohor të 10 viteve të fundit, shumë të vrarë, të zhdukur dhe të rrëmbyer.

“Nga këqyrja në ambientet e godinës së përshtatur për takimet me familjarët është gjetur një armë zjarri me numër J132766 ku brenda në fole u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja me kapsollë të goditur. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë marrë me tampon steril njolla me ngjyrë të kuqe të cilat janë të ngjashme si ato të gjakut njerëzor. Po kështu është këqyrur dhoma e akomodimit të Sokol Mjaçaj, ku u konstatua se tualeti ishte jo i montuar mirë dhe kaseta ishte jashtë funksionit.”, thonë hetimet.

Sipas dinamikës së zbardhur të krimit të ndodhur mesditën e datës 15 Dhjetor në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, vetëm një orë para se të kryente vrasjen, Sokol Mjaçaj ndodhej në ambientet e ajrimit të këtij burgu, bashkë me të dënuar të tjerë. Ndërsa Arben Lleshi ndodhej në qelinë e tij, të cilën thuhet se e ndante bashkë me të dënuarin tjetër me burgim të përjetshëm, Indrit Shaqja. Pikërisht në orën 13.52, Sokol Mjaçaj mendohet se teksa ndodhej në ajrim është drejtuar për në sektorin nr.3 të burgut të Peqinit.

Edhe pse ky nuk ishte sektori i tij, çuditërisht ai nuk është ndaluar në drejtimin e tij nga asnjë prej rojeve të sigurisë së institucionit, por ka vazhduar të ecë i qetë për metra të tërë, deri te qelia ku ndodhej Arben Lleshi. Aty ku thuhet se është ndalur dhe pasi e ka thirrur ne emër, me të parë që viktima e tij është afruar pranë dritares së qelisë, ka drejtuar armën e tipit pistoletë dhe ka qëlluar me disa plumba ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend, por duke lënë të plagosur edhe të burgosurin tjetër, Indrit Shaqja.

“Nga hetimet deri në këto momente rezulton se, më datë 15 Dhjetor 2023 rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, shtetasi Sokol Mjaçaj (i dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë) ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit tjetër të dënuar Arben Lleshi duke e lënë të vdekur dhe Indrit Shaqja, duke e lënë të plagosur. Më pas ky shtetas ka kanosur me këtë armë punonjësit e shërbimit si dhe është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg”, thuhet në hetime.

Ashtu sikurse kreu krimin gjakftohtë, Sokol Mjaçaj kishte menduar gjithçka me hollësi, ose dikush pranë tij ishte kujdesur për çdo detaj, se si ai të vepronte qoftë gjatë vënies në zbatim të planit për vrasjen e Arben Lleshit, por edhe se si të tërhiqej në një qeli dhe të kërkonte nga aty, që të vinin ta takonin drejtuesit e lartë të policisë dhe të burgut.

Një mënyrë kjo me siguri e menduar nga ai, jo vetëm për t’i shpëtuar dhunës së gardianëve, por edhe të burgosurve të tjerë, që mund të ishin lidhur me Arben Lleshin dhe mund ta keqtrajtonin në atë moment.

“Më datë 15 Dhjetor 2023 rreth orës 13.52 minuta kam qenë në ambientet e zyrës. Gjatë kësaj kohe kam dëgjuar në radio se diçka po ndodhte në godinën B, në ambientet e ajrosjes, dhe se duhej thirrur menjëherë ambulanca. Në këtë moment kam dalë nga zyra dhe jam nisur për në regjimin e brendshëm, aty ku kam parë se dy të dënuar ishin plagosur me armë zjarri. Nga punonjësit e policisë të planizuar për ajrosje dhe takimet me familjarët mësova se i dënuari Sokol Mjaçaj, ishte tek dhoma e takimeve dhe kishte armë me vete. Pasi afrohem tek dera, i burgosuri më tha që; ‘Dua prokurorin se dua të dorëzoj armën’. Kjo ishte e vetmja kërkesë që kishte.

Pas shumë negociatash, bashkë me drejtorin e përgjithshëm shkuam, i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç i thamë ne”, ka dëshmuar Kamber Hoxha, drejtor i IEVP Peqin.

Në dëshminë e tij të parë të dhënë për hetuesit, Sokol Mjaçaj, ashtu siç pritej u tregua fjalëpakët, madje indiferent, duke krijuar një histori aspak të besueshme për oficerët e policisë, ashtu si edhe për armën e krimit.

“Shkuam me shpejtësi dhe unë u afrova i pari te dera hyrëse, me qëllim për ta hapur. Në këtë moment Sokol Mjaçaj më drejtoi një armë zjarri, të llojit pistoletë dhe më tha: ‘Shef mos u afro! Mos hy në gjak me mua, se nuk kam gjë me ty’.

I kërkova t’a ulte armën dhe të flisnin për të sqaruar rrethanat, pasi aktualisht nuk e dija se çfarë kishte ndodhur. Në këtë kohë, u afrua Drejtori i Institucionit, i cili më urdhëroi ta mbyllja derën dhe vazhdoi të komunikonte me të dënuarin, duke i bërë thirrje vazhdimisht që të qetësohej dhe të ulte armën”, ka deklaruar Qani Muça, specialist i Regjimit të Posaçëm Biz-41.

Por ndërsa bëri këtë deklarim, e dyshimtë ishte se si ai kishte mundur të siguronte një armë të tillë dhe mbi të gjitha ta mbante atë të paekspozuar ndaj rojeve të sigurisë në institucion dhe a ishte e mundur mbajtja e armës nga një i burgosur pa dijeninë të një renegati brenda radhëve të gardianëve të burgut të Peqinit?

Sipas grupit hetues, Sokol Mjaçaj, lëvizte i armatosur brenda ambienteve të burgut të Peqinit për afro 20 ditë, por deri më tani është bërë e pamundur të mësohet se nga kush e kishte siguruar ai këtë armë.

“Nëninspektor Indrit Dubali, shkurtimisht në mënyrë të përmbledhur, na sqaroi se i paraburgosuri Sokol Mjaçaj, kur kishte dalë nga fusha e ajrimit për të shkuar në dhomë, nga dritarja e dhomës ku ka ndodhur ngjarja, kishte komunikuar me të dënuarin Indrit Shaqja dhe i kishte kërkuar që të thërriste, për të komunikuar, të dënuarin Arben Lleshi.

Sapo ishte afruar i dënuari Arben Lleshi te dritarja, Sokol Mjaçaj e kishte qëlluar me armë. Njëkohësisht, i kishte drejtuar armën edhe punonjësit të vëzhgimit, Indrit Dubali, duke i kërkuar që të hapte portën për të dalë nga pjesa e ajrimit.

Nëninspektor Indrit Dubali, nën kërcënimin e armës, kishte hapur portën dhe i burgosuri i armatosur kishte vrapuar në drejtim të ambienteve të takimeve të Godinës B, duke u futur brenda tyre, ku edhe e gjetëm ne. Ndërkohë pas tij kishin shkuar, duke vrapuar edhe disa të dënuar të tjerë, shokë me të dëmtuarit Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja.

Në lidhje me kontrollin e elementëve të sigurisë, kontrolli i fundit është kryer ditën e martë, por nuk di të them se kush kanë qenë personat që e kanë kryer. Këtu dua të theksoj se kontrolli i ditës së martë kryhet nga specialisti i regjimit përkatës dhe vetëm ai i ditës së shtunë kryhet nën drejtimin e Shefit të Policisë. Unë nuk kam marrë pjesë asnjëherë në kontrollin e ambjenteve ku kanë qenë të akomoduar të dënuarit e mësipërm, pasi kam kryer kontrollin e Seksionit të Paraburgimit dhe të Regjimit të Posaçëm”, ka deklaruar më tej Qani Muça, specialist i Regjimit të Posaçëm Biz-41.

Pavarësisht bindjes së ndryshme të hetuesve, Sokol Mjaçaj vazhdoi t’i qëndrojë idesë së tij se Arben Lleshin e vrau sepse kishte sherr me të, kjo sipas tij, pasi ai nuk e kishte pranuar në sektor.

“Sokol Mjaçaj, që nga koha që unë erdha i komanduar në detyrën e drejtorit të IEVP Peqin në datën 22 Nëntor 2023, e kam gjetur të akomoduar në godinën e cilësuar si godina e 41-Biz. Ku ai ishte i akomoduar aty i vetëm në dhomë.

Për shkak se 41-Biz do të hapej, dhe duhet të boshatiseshin sektorët ku ishin të akomoduar rreth 20 të burgosur, Sokol Mjaçaj e kemi sistemuar në katin e dytë të godinës B. Nga komunikimet që unë pata me punonjësit e ajrosjes m’u tha që Sokoli u kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe në dhomë. Ai ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në sheshin e ajrosjes. Dhoma ku janë dy të dëmtuarit është dhoma e parë, majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajrimit.”, ka dëshmuar  Kamber Hoxha, drejtor i IEVP Peqin.

Pasi kreu krimin Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë, por organi i akuzës, ka dyshimet e veta se Sokol Mjaçaj e kreu ekzekutimin kundrejt pagesës, dhe se vrasja lidhet me të shkuarën e errët të viktimës, Arben Lleshi. Hasmëri të pambyllura që duket se ai i kishte lënë jashtë qelisë së burgut, ku po vuante dënimin për burgim të përjetshëm.

“Sokol Mjaçaj ka qenë më parë në godinën A, dhe 3 muaj më parë ai është kaluar në Godinën B, hyrja nr.2. Katër ditë më parë ai është akomoduar në dhomën nr.9, në katin e dytë, sektori nr.1. Gjatë këtij akomodimi ai është shoqëruar nga një punonjës grup sigurie dhe sendet e tij ai i ka marrë vetë në dorë nga dhoma ku qëndronte.

Ajo që dua të them është se kontrolli i dhomës dhe ai fizik i Sokol Mjaçaj është bërë rreth 1 muaj e 15 ditë më parë, ku nga kontrolli nuk u konstatua asnjë send i kundraligjshëm. Takimi i fundit që Sokoli ka bërë ka qenë rreth 3 muaj më parë dhe më sa më kujtohet takimin ai e ka kryer me kunatën ose me vëllain. Për sa i përket Arben Lleshit, ai ka qenë i akomoduar në katin e parë, Sektori nr.2, godina.”, thuhet në dëshminë e Vilson Shimës, Shef i Regjimit.

Ekzekutimi mafioz i Arben Lleshit brenda qelisë, çoi grupin hetues edhe në prerjen e 18 fletëarresteve, ku të shoqëruar u bënë punonjës aktualë të policisë së burgjeve, ish-drejtues të saj, si edhe zyrtarë madhorë në detyrë të këtij institucioni. Ndërkohë që për Sokol Mjaçaj, kishte një urdhër për vendosjen e tij në regjimin e rreptë Biz – 41, të firmosur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Urdhër të cilit Sokol Mjaçaj i parapriu, duke shpejtuar krimin dhe shkrehur armën ndaj Arben Lleshit, para se të izolohej në regjimin që do ti pamundësonte më pas për një kohë të pacaktuar të kryente brenda burgut lëvizje të ndryshme.

“Në momentin që ndodhi ngjarja rreth orës 13:45 min, unë isha tek ambientet e takimeve. Ku aty kam dëgjuar në radio se kërkonin ‘Ndihmë nga grupi i sigurisë së burgut’. Sokol Mjaçaj rrinte brenda dhomës së takimit, pashë vetëm që kishte diçka të zezë në dorë por nuk e pashë mirë, pasi ishim të trembur.

Mesa mbaj mend takimin e fundit e ka pasur nga mesi i muajit Shtator, me vëllain e tij Paulin Mjaçaj dhe me një Valentina Mjaçaj, nuk e di se çfarë e kishte. Sokoli nuk mbahej për tip që hynte në konflikte. Di që rrinte vetëm në dhomë”, ka dëshmuar Brunilda Hyra, shoqëruese në regjimin e brendshëm.

Por për ti kthyer Arben Lleshit, cila është e shkuara e tij që e çoi atë drejt këtij fundi, të pamenduar për të?  Gjithçka duket se nis në vitin 2012, atëkohë vetëm 26 vjeç, Arben Lleshi jetonte në Britaninë e Madhe, aty ku ai thuhet se kreu një krim të përbindshëm. Sipas mediave britanike, ai ishte i përfshirë në ekzekutimin dhe më pas përçudnimin e trupit të Agim Hoxhës, një tjetër shqiptari që ndërkohë jetonte në Angli. Trupi i të cilit pasi ishte vrarë, ishte gjetur më pas i shkrumbuar në një makinë, ku në lidhje me këtë ngjarje, në pranga në atë kohë ra edhe vëllai i Arben Lleshit, i cili thuhet se e ndihmoi për fshehjen e provave.

Mediat angleze shkruanin në atë kohë se viktima ishte vrarë në një tjetër vend nga ku më pas u gjet i shkrumbuar në makinë. Dyshimet më së shumti u ndalën te prishja e pazareve të drogës, por edhe te origjina e autorit dhe viktimës, të cilët thuhet se vinin nga e njëjta zonë në Shqipëri, Mati, ndërsa jetonin dhe punonin bashkë. Çka çoi në mendimin e tyre të parë, se arsyeja që çoi drejt këtij krimi monstruoz ishte prishja e pazareve, në punët që ata kishin nisur së bashku në trafikimin e lëndëve narkotike.

Arben Lleshi, u gjykua dhe u dënua për këtë krim, nga një gjykatë në Angli, por katër vite më pas në vitin 2016, ai u ekstradua në Shqipëri, për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në vendlindjen e tij. Por duket se fisi Hoxha, nuk i’a fali kurrë fisit Lleshi, humbjen e të afërmit të tyre. Madje menjëherë pas vrasjes së Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe, dhe prangosjes së Arben Lleshit si autor i këtij ekzekutimi, ata nuk vonuan të marrin hak ndaj rrethit të ngushtë të familjarëve të tij, këtë herë duke e zhvendosur skenën e krimit, nga Anglia në Shqipëri.

Viktima e parë e këtij shpagimi, do të ishte Xhavit Lleshi, xhaxhai i Arben Lleshit, që në këtë moment vazhdonte të ishte ende në gjykim në shtetin britanik. Ai u ekzekutua në vitin 2013, në vendin e quajtur Pujkë, në Burrel, por në ngjarje të tilla nuk ka shenja barazimi dhe kjo u pa edhe në sagën e gjakut që pasoi më tej midis dy familjeve. Këtë herë, tri vite më pas, viktima e radhës do të ishte vëllai i Xhavitit, Hajredin Lleshi, ose xhaxhai tjetër i Arben Lleshit, i cili u ekzekutua në maj të vitit 2016, por mëria dhe tërbimi i fisit Hoxha ndaj atij Lleshi, duket se nuk do të ndalej me vetëm këto dy viktima.

Shënjestra e radhës do të ishte Artan Lleshi, djali i Hajredinit, njërit prej xhaxhallarëve tashmë të vrarë të Arben Lleshit, i cili u rrëmbye në rrethana të paqarta në vitin 2017, në qytetin e Burrelit, ku në atë kohë ai thuhet se u pa për herë të fundit në Kamëz për t’u zhdukur më pas pa gjurmë. Të njëjtin fat duket se pati në vitin 2020, edhe 22-vjeçari, Klevis Lleshi, djalit i Xhavitit, xhaxhait tjetër të Arben Lleshit, të vrarë katër vite më herët.

Lexo edhe :  Prezantohet në Panairin ndërkombëtar EUROSATORY makina e parë ushtarake shqiptare 'Shota'

Shumë gjak dhe për një vrasje në Britaninë e Madhe, e cila në harkun kohor të 10 viteve, fundin e pati me ekzekutimin e vetë atij, që ishte nismëtari i kësaj sage të përgjakshme, nga një dorë, dhe mbi të gjitha brenda burgut, nga e cila ai nuk e priste kurrë.

“Unë në momentin e ngjarjes isha jashtë në ajrosje dhe po prisja të futeshin të burgosurit në sektorin nr.1. Në orën 13:50 dëgjova një zhurmë që erdhi nga kati i parë i burgut. Në këtë moment pashë që u kthye pas i burgosuri, Sokol Mjaçaj me një armë në dorë, të cilën e drejtoi drejt meje. Ai m’u drejtua me fjalët: ‘Hap derën kryesore të ajrimit, se përndryshe do të vras’.

Nën kërcënimin e armës u detyrova të hap derën, pasi u tremba dhe u hutova. Në momentin që hapa derën ai vrapoi rreth vendit ku bëhen takimet dhe guzhina. Nuk dinte ku të shkonte, kërkonte një mënyrë për t’u arratisur. Vrapova pas tij me 2 të burgosur të tjerë për t’a ndaluar, konkretisht me shtetasit Indrit Shaqa i cili ishte i plagosur dhe Tomorr Çaushin”, ka dëshmuar Indrit Dubali, vëzhgues ajrimi në burgun e Peqinit.

Por kjo ngjarje e ndodhur brenda një burgu të sigurisë së lartë, e para në llojin e saj, në mënyrën se si u krye ekzekutimi, sipas hetuesve, nuk do të kishte ndodhur nëse do të merreshin masat e duhura të kontrollit ndaj të burgosurve, gjë mesa duket në rastin e Sokol Mjaçaj, jo vetëm nuk ka ndodhur, por rregullorja është shkelur hapur dhe në kundërshtim të plotë me ligjin. Dhe kjo shkelje ka ndodhur edhe ditën kur Sokol Mjaçaj, doli për ajrim dhe duhej të kthehej në qelinë e tij.

“Nuk kam asnjë dijeni në lidhje me armën nëse Sokoli e ka marrë diku apo i’a ka dhënë dikush. Me rregullore të dënuarit kur dalin ose hynë në ajrim kontrollohen nga grupi i sigurisë dhe specialisti i trupës, por në mungesë të tyre në rastin konkret nuk janë kontrolluar.”, thuhet në dëshminë e Gani Muçës, nëninspektor IEVP Peqin.

Por është ende e pashpjegueshme, përse autoritetet e këtij institucioni, në këtë rast IEVP Peqin, nuk kishin zbatuar ende urdhërin për vendosjen e Sokol Mjaçaj në regjimin 41 bis, por ky urdhër u desh fillimisht të shpërndahej nëpër media, një orë para se Mjaçaj të kryente krimin. Dhe ky i fundit të shpejtonte kryerjen e ekzekutimin të Arben Lleshit.

“Në vijim të veprimeve hetimore ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga aty për në dhomën e tij në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme”, thuhet në hetime.

Po kështu një tjetër shkelje e konstatuar nga grupi hetues, është edhe fakti se Sokol Mjaçajt, nuk i është bërë kontroll as gjatë shoqërimit nga njëra godinë në tjetrën, çka rrit edhe më shumë dyshimet se ai është ndihmuar në këtë aksion të tij për të ekzekutuar Arben Lleshin, edhe nga punonjës të shërbimit të brendshëm.  Pasi pa ndihmën e tyre do të ishte e pamundur që Sokol Mjaçaj, jo vetëm të siguronte armën me të cilën kreu krimin, por edhe të shëtiste i qetë me këtë armë gjatë lëvizjeve të tij, nga njëra godinë në tjetrën.

“Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është vendosur së fundmi, ndaj të dënuarit Sokol Mjacaj rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale sikurse parashikon skema e sigurisë. Por akoma më rëndë është edhe fakti që ngjarja e rëndë e ndodhur në këtë burg nuk u raportua nga zyra e informacionit në këtë IEVP, duke u tentuar të fshihet si ngjarje, ose për ti dhënë një tjetër dinamikë, çka e rrit edhe më shumë peshën e fajit të autoriteteve të këtij burgu. Por edhe të mundësisë së manipulimit të fakteve.

“Skaneri ka qenë me defekt që nga data 21 Nëntor 2023 dhe është rregulluar vetëm 3 apo 4 ditë para se të ndodhte krimi. Monitorimi kryhet me kamera sigurie dhe me punonjës policie të cilët bëjnë vëzhgimin nga sipër. Unë kam komunikuar me Sokolin për rreth një orë e gjysëm, pasi ai u fut tek dhoma e takimit. Në komunikim ishte shumë i qetë. Ai më tha se armën e kam futur para një muaji dhe se e kishte mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit. Ai tha se unë e bëra këtë kur mora lajmin nga mediat që u futa në 41-Biz”, ka dëshmuar më tej drejtori i IEVP Peqin, Kamber Hoxha.

Sokoli gjatë kësaj kohe ka pasur takime me vëllain e tij dhe një person me inicialet I. R, që është prezantuar si kushërira e tij, por çfarë i ofruan porositësit, Sokol Mjaçaj, që të vriste Arben Lleshin në qeli? Çfarë sigurie ka marrë ai në këmbim, për të kryer këtë krim, kur ai dihet që është i dënuar me burgim të përjetshëm, dhe asgjë nuk mund ta shpëtonte nga vuajtja e këtij dënimi, me të cilin cilin nga qelia e ndan vetëm vdekja? Çfarë kanë zbuluar ata nga natyra e tij introverte, që mund të ketë siguruar ata se ai është personi i duhur brenda qelisë që mund ta çojë deri në fund me sukses të plotë, porosinë e tyre, për të eleminuar Arben Lleshin.

Qëllimi i tyre i fundit ndoshta i një hakmarrje të gjatë, ku i fundmi objektiv i tyre ishte pikërisht Arben Lleshi, i cili është ekzekutori i njeriut të tyre të afërt në vitin 2012 në Britaninë e Madhe. Ndoshta për të kuptuar përse porositësit shkuan te emri i Sokol Mjaçaj dhe te natyra e tij gjakftohtë dhe besnike në kryerjen e krimit, duhen parë ndoshta mënyra se si kreu dy krimet e tij të para, në një moshë fare të re, por edhe fakti që ishte i pamëshirshëm kundrejt çdo objektivi, pa u ndalur as te fëmijët.

Kjo po të shikosh edhe krimin e parë që ai kreu, në vitin 2010, kur ai ishte vetëm 15 vjeç, ku ai vrau një të mitur, shtetasin me iniciale A. L. në fshatin Shalë të Dukagjinit, teksa kulloste bagëtinë, me qëllimin e vetëm për ti grabitur një varëse floriri që ai mbante në qafë. Krim për të cilin ai u dënia me vetëm katër vite burgim, por vetëm një muaj pasi ishte liruar nga vuajtja e këtij dënimi, Sokol Mjaçaj, kreu një tjetër krim, këtë herë të dyfishtë. Ai zuri pritë në rrugë dhe vrau në mënyrë gjakftohtë dy turistët çekë, Michal Svatos (Mihal Svatos) dhe Ana Kosinova, të cilët ndërkohë po udhëtonin në rrugën e Dukagjinit, në fshatin Prekal, në malësinë e Shkodrës, ku edhe këtë herë në qendër të akuzave u vendos drejtësia dhe një vendim i dyshueshëm i Gjykatës së Shkodrës, që e kishte lënë Sokol Mjaçaj, të ishte lirë.Pavarësisht krimit të tij të parë, ku kishte vrarë një të mitur, pasi fillimisht Mjaçaj ishte dënuar me 10 vite heqje lirie, si bashkëpunëtor në vrasjen e një fëmije.

Një vendim i dytë i Gjykatës së Apelit të Shkodrës i 4 janarit 2013 e reduktoi dënimin e Mjaçajt nga 10 në 4 vjet burg, duke i dhuruar lirinë një muaj para se të kryente vrasjen e dy turistëve çekë, Michal Svatos (Mihal Svatos) dhe Ana Kosinovës. Mjaçaj pohoi në dëshminë e tij se kishte si qëllim grabitjen e makinës së turistëve çekë, ‘por i vrau ata nga frika se mos i merrnin armën’.

Por atentati i fundit vdekjeprurës ndaj Arben Lleshit nuk ishte i pari në radhë për të, brenda burgjeve në Shqipëri dhe ndoshta pikërisht për këtë fakt, masat e sigurisë ndaj jetës së tij duhet të ishin të shtuara. Pesë vite më parë ai u plagos me thikë brenda burgut të Peqinit dhe ndoshta që këtu duhet të kishte një hetim më të thelluar se kush ishin të interesuar për elemiminin e tyre. Para se me siguri të njëjtët porositës të gjenin një tjetër ekzekutor dhe një formë efikase, këtë herë me armë zjarri, për të kryer eleminimin e tij, ashtu sikurse edhe ndodhi.

Ekzekutimi i tij ishte një nga eliminimet më të bujshme të ndodhura ndonjëherë në një nga burgjet shqiptare. Ishte ora 15.00 e datës 9 Mars të vitit 2000, ku Ilir Bardhi, po shfrytëzonte si zakonisht orën e tij të ajrimit. Ai nuk kishte shumë kohë që ishte izoluar në repartin e sigurisë së Lartë në burgun 313 në Tiranë, ku po vuante dënimin, kur një plumb i vetëm snajperi, i ardhur nga jashtë rrethimit të burgut, i mori jetën, pa i dhënë asnjë mundësi shpëtimi. Një vdekje e shpejtë dhe e sigurte, që nuk i la asnjë mundësi shpëtimi, por edhe një ekzekutim tipik mafioz, i padëgjuar më parë në një institucion shqiptar të vuajtjes së dënimit.

Sipas rrëfimeve të mëtejshme të autorëve të mbetur gjallë të kësaj ngjarje, Ilir Bardhi u ekzekutua si formë hakmarrje për vrasjen që ai kishte kryer ndaj Medion Shehut dhe Denis Ginës, dy personazhe të rëndësishëm të krimit në vitet ’90 në Tiranë. Edhe kjo një ngjarje që tronditi atë kohë Tiranën, pasi ekzekutimi i tyre u bë me antitank pranë fushës së druve në lagjen Allias në kryeqytet.

Porositësi i vrasjes me snajper nga jashtë burgut të Ilir Bardhit u bë pikërisht shoku i tyre i ngushtë, Alban Dani, i cili edhe ky u gjet i vrarë në makinën e tij në plazhin e Durrësit, i vrarë, vetëm 5 ditë pasi kishte kryer ekzekutimin brenda burgut të Ilir Bardhit.

Plani i vrasjes ishte përpunuar ditë më parë nga Alban Dani, që kur më 22 Qershor të vitit 1999 njeriu që kishte vënë në shënjestër, Ilir Bardhi, bashkë me Genc Ferhatin, i kishin vrarë atij dy miqtë më të ngushtë, Medion Shehun dhe Denis Ginën. Ilir Bardhi pritej që të dilte para trupit gjykues brenda pak ditëve. Por Albanin e ka shqetësuar fakti se ai ‘dinte’ shumë, pasi dikur kishin qenë shokë. Mosmarrëveshja mes tyre kishte lindur për pazaret e prishura të trafikut të drogës.

Një nga bashkëpunëtorët e Alban Danit në vënien në jetë të planit për të vrarë Ilir Bardhin, ishte Roland Kostari, i cili u arrestua menjëherë pas krimit.

Sipas hetimeve që u kryen në atë kohë plani ishte i mirëmenduar në detaje dhe për të mos në rënë në sy të autoriteteve, Alban Dani dhe Roland Kostari kishin zgjedhur një apartament përballë burgut, për të pasur shikim të lirë nga dhoma e ajrimit brenda burgut.  Alban Dani ka përgatitur skenarin, për realizimin e të cilit ka kërkuar edhe ndihmën e Roland Kostarit, ky i fundit njihej që prej një viti me të. Albani kishte siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit në fshehtësi, nga dorezat e farmacisë, të cilat policia i ka sekuestruar në makinën e tyre, deri te snajperi i markës ‘Zigzajer’ i pajisur me silenciator. Ndërkohë që një makinë, tip Fiat Croma, qëndronte poshtë godinës trekatëshe, ku ata ishin vendosur. Alban Dani kishte marrë çdo informacion të nevojshëm për Ilir Bardhin brenda burgut. Si edhe për orën e ajrimit. Duke qenë se preja kishte qenë dikur miku i tij, ai vendosi që ta eliminojë vetë.

Banesa nga ku u qëllua Ilir Bardhi kishte pozicionin e përshtatshëm për të realizuar vrasjen. Alban Dani ishte informuar për gjithçka, orarin kur të burgosurit dalin nëpër dhomat e ajrimit, si dhe vendi ku ishte vendosur njeriu që kërkonte të vriste. Roland Kostari u arrestua vetëm pak minuta pasi kreu me Alban Danin, vrasjen e Ilir Bardhit. Duke treguar më pas edhe si ky i fundit organizoi të gjithë skenarin për vrasjen e atij, që deri pak kohë më parë ishte miku i tij.

“Albani kishte vënë dylbinë në sy dhe kishte parë në dhomën e ajrimit përballë, ku kishin dalë katër të burgosur. Midis tyre ishte edhe Ilir Bardhi, që ndërkohë po pinte cigare. Ndërsa pas tij, vetëm pak metra më tutje qëndronte Genc Ferhati, autori tjetër i vrasjes  së Denis Ginës dhe Medion Shehut, të cilët u ekzekutuan me antitank në fushën e druve, në Allias. Pasi e futi Ilir Bardhin në shënjestër, Alban Dani tërhoqi këmbëzën e snajperit, duke e goditur në shpatullën e djathtë Ilir Bardhit.”, thuhet në dëshmi.

Menjëherë pasi kryen ekzekutimin, Alban Dani dhe Roland Kostari zbritën me shpejtësi shkallët dhe u futën në makinën e tyre ngjyrë gri të errët, që i priste te dera e pallatit dhe më pas u zhvendosën drejt unazës, por sapo dolën në kryqëzim, një furgon iu preu rrugën. Roland Kostari doli të vrapojë apo ai u arrestua nga forcat e policisë që u ishin vënë nga pas Kostarit. Ndërsa Alban Dani, arriti të largohej pa u kapur nga policia, për tu gjetur i vrarë 5 ditë më pas në makinën e tij në Durrës.

Por vrasjet brenda apo jashtë burgut, nuk janë të vetmet fenomene që kanë shoqëruar burgjet shqiptare në këto 30 vite, arratisjet spektakolare kanë qenë pjesë e këtij mozaiku. Si ajo e Nëntorit të vitit 2013, në burgun e Drenovës në Korçë, ku 7 të dënuar, nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, si edhe pasi qëlluan me breshëri kallashnikovi për mos afrimin e rojeve, thyen rrethimin për t’ia mbathur në liri.

Në Nëntor vitit 2013 të dënuarit Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lula dhe Artur Gora nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, dhe pasi qëlluan me breshëri kallashnikovi për mos afrimin e rojeve, ikën nga burgu i Drenovës. Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, u arrestuan në një magazinë në periferi të Prrenjasit. I dënuari tjetër Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij.

Tre të arratisurit e fundit Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lula u kapën nga policia greke në kufirin shqiptaro-grek, pak ditë pas arratisjes. I arratisuri kryesor në këtë tentativë, ishte Admir Tafili, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për plagosjen e ish-shefit të krimeve në Malësinë e Madhe, Prelë Pjetrushi, ngjarje e ndodhur në vitin 2001. Po ashtu dhe për vrasjen e dy vëllezërve të oficerit të policisë, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, në Mars të vitit 2012.

Admir Tafili është vëllai i Genc Tafilit, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje për të cilën ka qenë i dyshuar edhe vetë 38-vjeçari. Admir Tafili ndodhej në burg që nga korriku i vitit 2002, kur policia mundi ta arrestonte atë të plagosur, por, në Mars të vitit 2012, pas një leje të dyshimtë që i dhanë për të dalë nga burgu i Shënkollit në Lezhë, për të cilën u arrestuan dhjetë zyrtarë të këtij burgu, ai u arratis nga shtëpia e tij dhe vrau vëllezërit e ish-shefit të krimeve.

Pas vrasjes së dyfishtë në Shkodër, Forcat Speciale RENEA arritën ta arrestonin në një lokal në Tiranë. Pas arrestimit në muajin prill të vitit 2012, Tafili u dërgua në burgun e Fushë-Krujës, ku është njohur me Fran Marashin. Dy të dënuarit u transferuan në burgun e Drenovës, nga ku mundën të arratisen sërish. Tafili kishte deklaruar shpeshherë nga burgu se duan t’i vrasin familjen, duke dhënë një paralajmërim për arratisjen e tij, por ndër të gjitha arratisjet nga burgut, apo ato të mbetura në tentativë, më spektakolaria ishte e ajo e Gaxhait, apo me emrin e tij të vërtetë, Gazmir Braka. I njohur për krimet e tij të shumta gjatë vitit 1997 në Vlorë, i cili nga burgu 313 ku ndodhej në vitin 2005, po përgatitej nëpërmjet një tuneli që kalonte poshtë qelisë së tij, të fitonte lirinë, por që fati i tij i keq ishte se pikërisht në momentin e fundit, kur plani ishte drejt finalizimit dhe nuk i kishte mbetur shumë kohë nga liria e shumëpritur, krisjet e tokës u pikasën nga rojet e sigurisë në burg.

Ish-drejtori atëkohë i Burgut ‘Mine Peza’ ku vuante dënimin Gaxhai, kujton se sapo kishin përfunduar mbledhjen e mëngjesit, kur panë që toka ishte plasaritur dhe më pas zbulimi suprizues se poshtë këmbëve të tyre, brenda burgu, ishte hapur një tunel.

Një tunel që më pas u zbulua se fillonte jashtë burgut në një dyqan të maskuar lulesh dhe përfundonte në brendësi të institucionit të vuajtjes së dënimit.

“Ata e kishin filluar atje tunelin, sepse duke punuar me lulet kishin mundësi të maskonin edhe dheun që hiqnin çdo ditë. Gjatësia e tunelit ishte 20-22 metër deri tek zyra e oficerit të informacionit. Pra edhe 11 metra ata do të shkonin te objektivi. Por ata ka gabuan sepse u ngritën në lartësi. Tuneli kishte 3 metër thellësi, i lartë sa të merrte njeriun. Ata kanë punuar me mjete rrethanore”, ka deklaruar Femi Sufaj, ish-drejtor i burgut.

Por edhe pse Gaxhai dështoi në këtë arratisje, personat që e ndihmuan për të hapur tunelin nga jashtë burgut, nuk u mësuan kurrë. Ndërkohë që ata janë edhe sot anonimë, edhe pse vetë Gaxhai mori një tjetër dënim për tentativë të dështuar arratisje.

Të fundit

Macron kërkon nga shkollat franceze të luftojnë antisemitizmin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kërkoi të mërkurën nga shkollat të mbajnë “një orë diskutim” këtë javë për racizmin...

Basha zbulon skenarin e ‘fshehtë’ të Bardhit/ Pret të marrë PD-në pasi të ikë Berisha

Deputeti Lulzim Basha i ftuar në një intervistë televizive, tha se nëse logoja e vula e PD-së mbeten peng të lojërave të Ramës me...

Emri/ Emërohet Drejtori i ri i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave

Ditën e sotme, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, është emëruar Drejtori i ri i Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave,...

Françeska Murati shoqe me Sara Gjordenin? Ish-miss Londra zbulon të vërtetën

Pas mbarimit të Big Brother VIP, Françeska Murati nisi një rrugëtim të ri në emisionin ‘She’s On Top’, si anëtare e jurisë së programit.Ajo...

Mark Rute do të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, zëvendësues i Stoltenberg

Kryeministri holandez në largim Mark Rutte do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s, pasi të 32 anëtarët e aleancës ranë dakord...

Lajme të tjera

Web TV