Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Matit, pasi akuzohet se për motive pronësie plagosi bashkëfshatarin e tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Zenisht.
Pas hekurave ra Mexhit Kolaveri, i cili akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vetëgjyqësia”.
NJOFTIMI I POLICISË
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zenisht, po ndodhte një konflikt mes dy shtetasve menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë ndërhyrjes në kohë, është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale shërbimet e Policisë, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin M.K., 46 vjeç, banues në fshatin Zenisht, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vetëgjyqësia”. Shtetasi M.K., për motive pronësie, është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta shtetasin L.S., 75 vjeç, banues në fshatin Zenisht, i cili si pasojë e dëmtimeve është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.