Dhjetori është një muaj super i zënë, me festa, dhurata, miq, familjarë që duhet të takosh, kushërinj që vijnë nga jashtë, 1001 angazhime dhe mbledhje me kolegët, të afërmit, përgatitjet për darkën e Vitit të Ri, shpenzimet…sado i bukur, sërish është i lodhshëm.
Është mëse e kuptueshme që të ndiheni sikur s’keni aspak energji, nerva dhe humor dhe kjo sepse ndoshta jeni duke përjetuar një “hangover social”, i cili vjen si rrjedhojë e ndërveprimit të tepërt me njerëz të ndryshëm. Pak a shumë, njëjtë si teprimi me alkoolin.
Smriti Joshi, psikologe në “Wysa” shprehet: “Një hangover social nuk është një gjendje klinike që mund të diagnostikohet, apo një term mjekësor. Është thjesht një frazë që përdoret për të përshkruar pasojat emocionale të shoqërimit intensiv me shumë njerëz. Ndjesia e mbingarkesës, lodhjes, ankthit dhe mendimeve jo të kthjellëta janë disa nga pasojat e hangover-it social”.
Ç’të bëni kur po përjetoni një hangover social?
Si fillim, mund t’u thoni “jo” ftesave të shumta që ju vijnë – Me disa njerëz mund të jeni vetvetja dhe të përshtateni 100%, me disa të tjerë e keni thjesht të vështirë dhe duhet të shpenzoni goxha energji për t’u dukur sikur po kaloni mirë. Ftesat e këtyre të fundit mund t’i refuzoni.
Merrni kohë për veten! – Qetësohuni, bëni një dush të gjatë, shihni një serial në Netflix, konsumoni një vakt të bollshëm dhe bëni diçka që ju kënaq dhe ju mbush me energji.
Shkruani dhe planifikoni – Shkruani ndjesitë tuaja në një ditar dhe përpiquni të mos e ngarkoni veten me më shumë se ç’mund të mbajë. Gjeni aktivitete argëtuese, që mund t’i bëni vetëm, si për shembull, pikturoni, shëtisni, lexoni etj./E.Ç