A ka një negociatë mes Tiranës zyrtare dhe Athinës zyrtare për pasuesin apo kujdestarin e ri të Bashkisë Himarë, referuar këtu njoftimit të kryeministrit për të larguar Jorgo Goron si një hap drejt zgjidhjes së ngërçit me Greqinë?”, ishte kjo një nga pyetjet që ju drejtua ministrit Hasani gjatë konferencës për mediat në bilancin e punëve të bëra për vitin 2023 dhe prioritetet për 2024-ën.
Duke mos preferuar të japë një përgjigje të drejtëpërdrejtë, ministri Hasani tha se shpreson që të gjitha problematikat të anashkalohen në vitin 2024 dhe Shqipëria të hyjë në Vitin e Ri me ide të qarta drejt të qënit një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian.
Igli Hasani: Ka negociata, ka ide, ka angazhim serioz nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje e cila do të japë një dinamikë të re për 2024-ën. Ne po vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona që angazhimi i Shqipërisë në raport me rrugën drejt BE të jetë sa më i qartë. Të gjitha detyrimet që kemi marrë përsipër të jenë të realizuara që në momentin e parë, organizimi i Konferencës së Dytë Ndërqeveritare të jetë një pjesë që do t’i lidhet të gjithë këtij kontributi që është dhënë deri më tani. Shpresojmë që në fillim të 2024-ës, Konferenca e Dytë Ndërqeveritare të realizohet dhe të gjitha problematikat të anashkalohen dhe ne të hyjmë në 2024-ën me ide të qarta drejt të qenit një anëtar i ardhshëm i BE. Ne na duhet të thellojmë reformat dhe të marrim përsipër detyrimet që ne vetë i kemi pranuar./O.S