Një ngjarje tronditëse është zbuluar se ka ndodhur gjatë ditëve të kaluara në aeroportin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut, pasi një kontrollor i trafikut ajror u dhunua teksa ishte në kullën e vrojtimit dhe kishte nën mbikëqyrje dhjetëra mjete fluturuese.

Raportohet se të enjten, më 4 janar, disa persona hynë të paautorizuar në qendrën e kontrollit të trafikut ajror dhe dhunuan një kontrollor të trafikut ajror teksa ai ishte në punë. Në momentin e ngjarjes në këtë hapësirë ajrore ndodheshin 36 avionë.

Dyshohet se në këtë incident janë përfshirë deri në tetë persona, ndërsa Prokuroria e Shkupit ka nisur hetimet.

Personat pas këtij sulmi besohet se janë anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të Maqedonisë së Veriut, një nga partitë kryesore politike në vend. Ditët e fundit ka pasur tension mes M-NAV dhe BDI-së.

Zyrtarët e M-NAV pohojnë se menaxherët e emëruar të BDI-së janë përpjekur të manipulojnë procesin e punësimit të kontrollorëve të trafikut ajror, duke punësuar aktivistë të pakualifikuar partiakë si kontrollorë të trafikut ajror, si favor politik, duke qenë se është një punë me pagesë të kënaqshme në vend.

Sindikata që përfaqëson punonjësit e M-NAV ka ngritur shqetësimin, duke pretenduar se përpjekjet e BDI-së po e vënë në rrezik sigurinë e sistemit të trafikut ajror. Tensionet janë shtuar ditët e fundit, me anëtarët në pushtet të BDI-së që pretenduan se presidenti i sindikatës së M-NAV i kërcënoi ata.

Të enjten, kryetari i sindikatës mbajti një konferencë për shtyp ku deklaroi se M-NAV do të ndalonte fluturimet në vend nëse BDI nuk tërhiqej nga planet e saj të punësimeve partiake.

Vetëm disa orë më vonë, tetë personat hynë në objektin e kullës së vrojtimit të paautorizuar dhe dhunuan një nga kontrollorët duke vendosur në rrezik edhe dhjetëra aeroplanët që ndodheshin në zonën ajrore të Shkupit./O.S

Lexo edhe :  Moti i keq përfshin Greqinë/ Përmbytje të mëdha në Rodos, ndalohet qarkullimi për 24 orë