A do ta motivojë opozitën izolimi i Berishës? A do ta humbë Berisha mandatin e deputetit? A do ta trondisë SPAK mazhorancën? A do të vijë ambasadori amerikan në Shqipëri dhe si pritet të jenë raportet e SHBA me qeverinë dhe opozitën?
Nga ROLAND QAFOKU
Viti 2024 sapo ka hyrë dhe çdokush kërkon të dijë për atë që pritet të ndodhë në Shqipërinë politike në 12 muajt e vitit. Por a mund të parashikohet politika në vendin tonë? Të paktën ngjarjet që janë të lidhura me zhvillime të programura, me afate, apo edhe skandenca edhe mundet. Gjithsesi, mbështetur në indikatorë të dukshëm dhe të padukshëm, në rrjedhime llogjike të disa ngjarjeve në proces si dhe në sjelljet e disa liderëve politikë, mund të bëjmë parashikim për të paktën 10 çështje që pritet të shënjojnë Shqipërinë politike në vitin 2024.
- A do të krijojë izolimi i Berishës një lëvizje mbarëpopullore? Që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, kryetari i PD-së së Rithemelimit është në arrest shtëpie dhe pothuajse çdo ditë një grup mbështetësish qendrojnë në rrugën poshtë dritares së apartamentit të tij duke hedhur parrulla kundër qeverisë dhe drejtësisë. Por me atë që kemi parë këto ditë ky suport nuk është i tillë që PD të motivohet, të organizohet dhe të rritet për t’u shndërruar në një lëvizje masive. Gjasat janë që kjo situatë të vijojë pak a shumë kështu dhe mundësia më e madhe është që në qershor Sali Berisha të humbasë edhe mandatin e deputetit. Fraza e një mbështetësi gjatë këtyre tubimeve përpara gazetarëve “tu pa, tu bë” është simbolika se e ardhmja e këtij grupimi nuk pritet të ndikojë dhe diktojë për të zgjeruar dhe për të diktuar në politikë. Mjafton të shikosh se me izolimin e tij në arrest shtëpie nuk ka asnjë reagim ndërkombëtar për të kuptuar se izolimi i tij nuk mund të motivojë mbështetësit dhe anëtarësinë e Partisë Demokratike. Ajo që pritet të ndodhë gjatë vitit 2024 është sfumimi i këtyre protestave dhe një pozitë juridike më e rënduar ndaj Berishës.
- A do të vijojë SPAK të trondisë politikën me arrestime të tjera? Viti 2024 pritet të ketë finalizime të disa çështjeve në hetim të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Arresti në shtëpi ndaj Sali Berishës është ngritja e stekës së këtij institucioni e cila shkatërroi mitin e pandëshkueshmërisë ndaj politikës dhe pritet që edhe në 12 muajt e vitit të ri kjo të vijojë me të njëjtin temp. Mbështetur edhe në disa çështje që janë në proces, pritet që në pranga të shikojmë ministra, ish-ministra, drejtorë, ish-drejtorë dhe figura publike, ndërkohë që SPAK gjatë vitit 2024 do të jetë sërish institucioni i vitit dhe kreu i saj, Altin Dumani, do të jetë personazhi i vitit. Me goditjet që ka bërë SPAK ka krijuar tashmë një pol të rëndësishëm në jetën sociale në Shqipëri duke bërë atë që nuk ishte bërë në më shumë se tri dekada, të trondisë politikën. E njëjta linjë do të vijojë edhe gjatë këtij viti.
- A do të trondisë SPAK qeverisjen e Edi Ramës? Po. Në një bilanc të thjeshtë Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka goditur më shumë personazhe nga e majta qeverisëse se sa nga e djathta në opozitë. Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, disa ministra dhe kryetarë bashkie me urdhër arreste kanë bërë që mazhoranca të shkundej jo pak. Por masa e arrestit në shtëpi ndaj Sali Berishës ishte shenja se askush nuk është i paprekshëm dhe si e tillë, jo vetëm në kampin blu, por edhe qeverisja ka pësuar tronditje të madhe. Kjo pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2024. Me urdhër arresti pritet të përfundojnë disa funksionarë të mazhorancës dhe kjo do të krijojë një situatë vërtetë jo komode për qeverinë. Kjo do të shoqërohet me dorëheqje, shkarkime, zëvendësime të ministrave dhe eksponentëve të rëndësishëm të kësaj mazhorance që do të jenë nën goditjen e SPAK dhe kjo do ta trondisë rëndë qeverinë Rama.
- A do të nisë punën ambasadori i ri amerikan në Shqipëri? Madje kjo pritet të nisë shpejt. E sigurtë është që gjatë vitit 2024, diplomacia e SHBA në Shqipëri nuk do të vijojë me Të Dërguar me Punë, por me ambasadorin e emëruar. David Kostelancik i duhet të kalojë edhe një procedurë tjetër formale për të vijuar më pas punën si shefi i ambasadës amerikane në Tiranë dhe kjo do të sjellë shumë zhvillime gjatë vitit 2024. Prezenca e tij në kryeqytetin shqiptar pritet të sjellë instesifikimin e punëve të diplomacisë amerikane që janë krijuar prej shtatë muajve që nga largimi i ambasadores Yuri Kim. Ndërkaq, impenjimi i tij pritet së pari të shoqërohet me qendrime të pandryshuara ndaj Sali Berishës për statusin e tij non grata. Por kjo nuk do të thotë që automatikisht Kostelancik të përkëdhelë qeverinë. Ajo që pritet me interes është qendrimi amerikan ndaj mazhorancës dhe gjasat janë që SHBA do të lëshojë një lumë kritikash për problemet që ajo po has në menaxhimin e situatave veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit dhe nivelit të demokracisë.
- A do të krijojë Partia Demokratike zyrtare opozitën e fortë në Shqipëri? Ndonëse me një boshllëk të madh pas izolimit të Sali Berishës, Partia Demokratike zyrtare nuk pritet që të jetë ajo zëvendësuesja e kësaj zbrazëtie. Me një kryetar si Lulzim Basha që zhduket kur duhet të jetë më prezent se kurrë, në vend që të mbajë qendrime kur është izoluar kreu historik i opozitës dhe pikërisht ai prej të cilit është në politikë, nuk mund të presësh më shumë se fraza “pas disa ditësh, për këtë çështje do organizoj një konferencë për shtyp”. Pavendosmëria, kompleksi dhe mungesa e aftësisë për të qenë lider politik, e kanë shndërruar Lulzim Bashën në një administrator legal që nuk di të administrojë. Edhe viti 2024 nuk pritet që të sjellë supriza për të, ndaj tij. Partia Demokratike që zotëron vulën do të vijojë të endet në vetkënaqësinë e saj sipas parimit “i mjafton vula për të qenë në politikë” dhe kaq.
- A do të arrijnë partitë e reja në Shqipëri të zëvendësojnë opozitën e shpartalluar? Jo. Në situatën që ndodhet PD çdokush mendon se partitë e reja, me politikanë të rinj, kanë shansin të hidhen në sulm për të qenë ato zëvendësuesit e kësaj hapësire. Si Adriatik Lapaj, Endri Shabani dhe Arlind Qorri kanë shansin e artë ta tregojnë këtë veçanërisht në vitin 2024 që është edhe një vit parazgjedhor. Por me atë që kanë treguar deri tani shanset janë minimaliste që partitë e tyre të vogla t’i kthejnë në lëvizje popullore. Të shoqëruar me shumë dilema, pa shumë qendrueshmëri, pa konsekuencë dhe pa afruar rreth vetes të rinj dhe të reja që të kenë aftësinë të marrin në dorë fatet e vendit, prej tyre nuk pritet ndonjë çudi. Duket se qëllimi i tyre është të kapin vetë ndonjë mandat deputeti dhe kaq. Ndërkohë që masa e njerëzve pret prej tyre të ngrejnë popullin në këmbë, ata mezi arrijnë të motivojnë edhe grupin e tyre që më shumë janë lidhje familjare, shoqërore dhe humoristike se sa grupime qytetarësh që kërkojnë ndryshim.
- A do të ketë Shqipëria një opozitë të fortë në vitin parazgjedhor? Viti 2024 është një vit parazgjedhor dhe rregulli e do që partitë politike të ndezin motorrat e për zgjedhjet parlamantare që do të zhvillohen në vitin 2025. Ajo që ka interes në këtë situatë është të kuptojmë nëse opozita ka krijuar kushte që mund të kryejë një rrotacion në pushtet. Dhe kjo nuhatet që një vit përpara zgjedhjeve. Por a mund të jetë viti në vijim preludi i një ndryshimi të tillë? Shanset që kjo të ndodhë janë minimaliste. Ashtu siç kisha parashikuar, projekti për krijimin e Federatës së Opozitës dështoi që në nisje dhe vendi është në prag të shpërbërjes totale të opozitës. Gjasat janë se ndonëse ka një mijë e një probleme Partia Socialiste shkon e sigurtë drejt fitimit të mandatit të katërt. Sigurisht që një gjë tillë nuk i bën mirë Shqipërisë. Një Shqipëri pa opozitë nuk është një Shqipëri e mirë. Për këtë nuk duhet të fajësojmë qeverinë, por vetë opozitën që e çoi veten në këtë situatë që sot dëmton vendin.
- A do t’i lëkunden Edi Ramës pozitat si kryeministër? Kjo është çudia e asaj që po ndodh në Shqipërinë politike. Fakti që qeveria ka mjaft probleme, nuk përkthehet që ajo të vendoset në vështirësi. Gjatë 12 muajve të vitit në vijim nuk pritet që kryeministri Rama të vendoset në vështirësi të tillë që të largohet nga posti. Në shtator, ai futet në vitin e 12-të të qeverisjes dhe tashmë, mes 33 kryeministrave në 111 vjet shtet, mban i sigurtë skeptrin e kryeministrit i dyti më jetëgjatë në detyrë pas Mehmet Shehut që qendroi në detyrë 27 vjet. Çfarëdo të ndodhë gjatë vitit 2024, qoftë në mazhorancë dhe qoftë në opozitë, Edi Ramës nuk i rrezikohet posti. Ndonëse me shumë andrralla dhe defekte, ai pritet të shkojë drejt mandatit të katërt që do ta bëjë atë polikanin me bilancin më pozitiv personal pas vitit 1990 në Shqipëri.
- A do të krijojë qeveria stabilitet ekonomik gjatë vitit 2024? Duke përjashtuar turizmin që është ngritur në fluturim, gjatë vitit 2024 parametrat e tjerë të ekonomisë pritet të jenë të ulta. Ndonëse vetë kryeministri dhe ekspertët e qeverisë trumpetojnë me të madhe se ekonomia shqiptare është në ditët e saj më të mira, realiteti nuk është i tillë. Ikja masive e të rinjve nga vendi, krijimi i polaritetit në shtresat e popullsisë për sa i përket të ardhurave dhe goditja që i është bërë shtresës së mesme, janë plagë që do të thellohen edhe gjatë vitit 2024. Gjasat janë që edhe në 12 muajt në vijim qeveria të mos kuptojë që baza e një ekonomie normale dhe të kënaqshme nis duke stabilizuar shtresën e mesme dhe jo duke mbështetur vazhdimisht një grup të vogël të pasurish.
- A do do ta vendosë BE në presion qeverinë e Edi Ramës? Ndonëse me të drejtë si çdo kryeministër paraardhës nuk mbart fajin përse Shqipëria nuk po bëhet anëtar i BE-së, vendet e unionit, gjatë vitit 2024, mund ta vendosin nën presion kryeministrin Edi Rama për disa çështje. Ajo më kryesorja do të lidhet me nivelin e demokracisë në vend që nis nga ajo grumbullimi i shumë pushteteve dhe mungesa e demokracisë parlamentare. Shenja e parë u dha gjatë vitit 2023 kur përfaqësues të BE-së kritikuan qeverinë për ndalimin e ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare si dhe lirinë e medias. Por, ndonëse pa të drejtë, Rama mund të vijojë të vihet në presione dhe për çështjen Beleri nga Greqia, e cila do të përpiqet të bllokojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE./E.T