Rezultatet zyrtare, përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor, si dhe shpërndarjen e 250 vendeve në parlament, i bëri të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Pas përsëritjes së zgjedhjeve në 28 qendra votimi dhe shqyrtimit të të gjitha kundërshtimeve, komisioni deklaroi se procesi zgjedhor ka përfunduar. Sipas shifrave të publikuara, Partia Progresive Serbe (SNS) e Aleksandër Vuçiçit ka marrë 46.75% të votave dhe zë 129 mandate. Koalicioni “Serbia kundër dhunës”, i përbërë nga partitë e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë, mori 13.66% dhe zgjodhi 65 deputetë.
Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, e cila mori 6.55% të votave, do të përfaqësohet në parlament me 18 deputetë. Koalicioni i djathtë “NADA” (5.02%) dhe partia “Ne-Zëri i popullit” (4.69%) e teoricienit të konspiracionit, mjekut antivaksinues Branimir Nestoroviç do të kenë 13 deputetë.
Në parlamentin e ri, pakicat kombëtare do të përfaqësohen me 12 deputetë. Hungarezët zgjodhën gjashtë deputetë, myslimanët boshnjakë katër deputetë dhe pakica shqiptare dhe partia ruse zgjodhën nga një deputet.
Vihet re se opozita serbe nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve, duke denoncuar mashtrime dhe duke kërkuar përsëritjen e tyre./O.S