Pjesë e hetimit 4 kompanitë kryesore, gjatë vitit të shkuar nënproduktet e qumështit u rritën me 38%
Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se ka hapur një hetim të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Institucioni njofton se Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të fundit mori në shqyrtim procedurën hetimore ndaj ndërmarrjeve Erzeni, Gjirofarma, Lufra, SHaka Boboshticë në tregun e prodhimit të nënprodukteve të qumështit, djathë dhe gjalpë.
Duke iu referuar analizës së tregut, rezulton se sjellja e ndërmarrjeve me pjesë të konsiderueshme tregu, mund të përbëjë abuzim me pozitë dominuese, sipas nenit 9 të ligjit Për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj këtyre katër ndërmarrjeve në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit si pasojë e rritjes së fortë dhe e njëkohshme e çmimit të nënprodukteve të qumështit. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022–31 dhjetor 2023.
Hapja e hetimit të thelluar është vendosur në vijim të një procedurë të hetimit paraprak në tregun e prodhimit të nënprodukteve të qumështit. Hetimi u hap në muajin shkurt të vitit të kaluar, për të vlerësuar sjelljen e ndërmarrjeve në periudhën kohore nga 1 Janar 2022 deri në 31 Mars 2023.
Nga monitorimi i tregut që Autoriteti zhvilloi në atë periudhë, pas raportimeve në media për rritje të paralajmëruar të çmimeve, rezultoi se çmimet e nënprodukteve të qumështit, kryesisht djathit të bardhë, djathit kaçkavall dhe gjalpit ishin rritur deri në 38% nga disa prej ndërmarrjeve./O.S