Mjekët vërejnë që kohët e fundit janë shtuar rastet e prindërve që shtyjnë në kohë apo edhe anullojnë vaksinën e fruthit.
“Fatkeqësisht kemi fëmijë që nuk vaksinohen. dhe ky është problemi që ne jemi sot në shpërthime të tilla për të cilat kemi kohë bëjmë apel. Shikojmë nga ana e prindërve, por edhe nga ana e mjekut që është përgjegjës që ka tendencë për ta spostuar si vaksinë. Të mos themi pastaj që kemi raste fare të pavaksinuar dhe fëmija regjistrohet në shkollë e kopsht dhe bëhet kontigjent për përhapjen e infeksionit.
Pas shpërthimit të infeksionit shihet një interesim më i madh dhe shpresojmë që viti 2024 të shoqërohet me një mbulesë vaksinale më të mirë të fruthit, pra të kemi përmirësim të situatës. Sepse të jemi të sinqertë kemi pas një ulje të vaksinimit në vitet 2022-2023”, tha mjekja epidemiologe, Erleta Hila.
Në raste të identifikimit të të prekurve nga fruthi mjekët këshillojnë izolim të rastit dhe konsultë të menjëhershme të të gjithë familjes.
“Rastet që identifikohen duhet të izolohen. Të kontrollohet nga mjeku jo vetëm fëmija por ed gjithë familja. Nëse familjarët rezultojnë të pavaksinuar është e nevojshme të bëhet një dozë vaksine”, tha mjekja.
Sipas specialistëve, fruthi është një infeksion i cili mund të shkaktojë pasoja të rënda në shëndet, ndërkohë që nuk ka asnjë të dhënë të studiuar dhe faktuar që ta lidhë vaksinën e fruthit me autizmin./O.S