Miratohen ndihma ekonomike dhe bonusi i qirasë
Pas parlamentit, zhurma dhe tensioni ka përfshirë edhe Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Në këtë mënyrë u miratua në mbledhjen e kësaj të mërkure ndihma ekonomike për familjet në nevojë, si dhe dhënia e bonusit të qerasë për familjet e evakuuara nga banesat e dëmtuara nga tërmeti i Nëntorit 2019.
Miratimi i këtyre vendimeve u bë vetëm me votat e mazhorancës në një seancë që zgjati më pak se 5 minuta, për shkak tensioneve të krijuara nga këshilltarët e opozitës që në nisje të mbledhjes.
Kryebashkiaku Veliaj shigjetoi këshilltarët e opozitës që sipas tij u bënë bashkë të majtë e të djathtë dhe nuk votuan vendimet për ndihmën ekonomike dhe bonusin e qirave për të pastrehët.
“Do ishte në nderin tuaj të kishit votuar ndihmën ekonomike dhe qiranë. Ju nuk keni as din as iman, asnjë gjë”, tha Veliaj.
Për shkak të tensioneve të krijuara, Këshilli Bashkiak vendosi përjashtimin e këshilltarit të opozitës, Endrit Brahimllari./O.S