Një tjetër rast i rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një tjetër grua izolohej brenda në banesë nga bashkëshorti i saj. Gruaja mbyllej brenda katër mureve të shtëpisë dhe surverohej nga burri me kamera. Madje ai ushtronte ndaj saj edhe dhunë fizike.
34-vjeçari Asqeri M., kishte instaluar 3 kamera në dhoma të ndryshme të banesës dhe i përdorte për të vëzhguar lëvizjet e gruas së tij sa herë që largohej nga shtëpia dhe atë e kyçte brenda. 34-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Gazetari i Report Tv, Sokol Dema mëson se 34-vjeçari ishte kthyer nga Gjermania prej pak kohësh. Pas kthimit ai kishte shfaqur shenja dhune ku nisi të rrihte bashkëshorten e tij, e izoloi dhe e monitoronte me kamera.
Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në një familje.
Mbylli në banesë, bashkëshorten e tij, të cilën e mbikëqyrte me kamera, si dhe ushtroi dhunë ndaj saj, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./e.t