Dëshmia/Në 1955-ën u shemb galeria në kampin e Bulqizës, një mal me gurë zuri 2 të dënuar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!

(Viktor Hygo, “Njeriu që qesh“)

RINI E COPËTUAR          

                                                            Kushtuar familjes dhe shoqërisë,

                                                                                  Autori

BULQIZA

Në kamp puna ishte me tre turne. Punohej edhe të dielave. Pushimet javore i bënim me grafik gjatë gjithë ditëve të javës. Atë natë brigada e jonë, kishte turnin e tretë. Unë isha pushim. Po rrija i vetëm në kapanon duke lexuar një libër. Ishte romani “Për mbrojtjen e atdheut” i Foqion Postolit. Pas pak më këputi gjumi. Kishte kaluar mesnata, kur dëgjoj një zhurmë hapash dhe zërash që bisedonin. U ngrita dhe shkova te porta. Pashë doktor Isufin që nxitonte për diku.

– “Doktor, çfarë ka ngjarë”?!

– “Është shembur galeria numër dy, në zonën A”, – u përgjigj ai duke u larguar me shpejtësi.

Një e dridhur më përshkoi trupin. Ishte galeria ku punonte brigada e jonë. Mendja më vajti te Sadiku. Si të bëja?! Përjashta nuk dilja dot. Ishte e ndaluar. Më vinte shumë keq për këdo, që do ishte viktimë e këtij aksidenti. Por më shumë, natyrisht, më vinte keq për Sadikun. Si do t’i dilja përpara familjes së tij?! Çfarë do t’i thoja kur të më pyesnin?! Tërë atë natë e kalova pa gjumë, duke shëtitur poshtë e lart nëpër korridorin e ngushtë, që ndante shtretërit e kapanonit.

Të nesërmen dola përjashta dhe prisja të ktheheshin nga puna. Të them të drejtën, ndjeva një lehtësim kur pashë Sadikun. E pyeta se çfarë kishte ndodhur. Ai më tregoi, se kishte shpëtuar për një qime floku, nga vdekja. Ishte shembur një mal me gurë dhe kishte zënë nën vete Markun, një burrë rreth tridhjetepesëvjeç nga Lezha dhe Vasilin, një plak shtatëdhjetëvjeçar, nga Saranda. Të dy ishin të brigadës tonë.

Dy ditë e netë vazhdoi puna për gjetjen e tyre. Shpresonim ende se mos gjenim ndonjërin gjallë. Ishte një shpresë e kotë. I gjetëm të dy të sakatosur dhe pa jetë, nën peshën e gurëve. I varrosëm po atë ditë, brenda rrethimit të kampit, poshtë rrugës automobilistike, që kalonte në fund të tij.

Aksidentet në minierë, ishin të zakonshme. Në zonën D, punonin punëtorë të lirë. Brigadier, ishte një minator nga Bulqiza. Emrin nuk ia mbaj mend. Një natë atë fatkeq, e zuri galeria. E varrosën me një ceremoni madhështore. Edhe zonës, i vunë emrin e tij. Kurse për Markun dhe Vasilin, nuk u kujtua njeri. Ata ishin hedhur në koshin e harresës. Atyre tashti, nuk u dihen as ku i kanë eshtrat!

Adem Anamali, ishte nga Shkodra. Kishte një pasion të çuditshëm. Gjatë verës kapte gjarpërinj dhe luante me ta. I flisnin vazhdimisht që të mos merrej më, por nuk dëgjonte.

– “Unë jam rufai”, – thoshte duke mbajtur në duar gjarpërinjtë.

– “Ata më njohin mirë dhe më binden”!

Por ndodhi ajo që nuk pritej. Një nepërkë e pickoi në gisht. Ai nuk i vuri rëndësi. E mori me të qeshur, si zakonisht. Nuk vonoi shumë dhe dora filloi t’i enjtesh. Atëhere u kujtua të shkonte te doktori. Por ishte vonë. Helmi kishte depërtuar në gjithë trupin. Me gjithë përpjekjet e doktor Isufit, nuk mundi të shpëtonte. I mbylli sytë pas disa orësh. E varrosën pranë Markut dhe Vasilit.

                                                                             * * * 

Po qëndroja në qelinë e kampit. Isha dënuar, pasi dy ditë më parë, me nismën e doktor Isufit, kishim përgatitur një mbrëmje përkujtimore, me rastin e tridhjetepesë vjetorit, të Luftës së Vlorës. Në atë mbrëmje kishim recituar poezi nga Kudret Kokoshi, një poet i burgosur. Akoma i kam parasysh vargjet e poezisë që recitova:

NJË DITË VJESHTE 

“Unë pashë një ditë vjeshte, një flamur bërë çika çika,

Një flamur me shkab të zezë, që qe prerë me njëmijë thika,

Një flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar,

I përcjell nga disa burra, që të gjithë duke kënduar.

E përcillnin njëmijë trima, me shkopinj e krabë në dorë,

Kryet lidhur, gjokset thyer, unë i pashë një ditë në Vlorë.

Ata luftëtar legjende, ata lajmëtar lirie,

Që i dhanë fluturim shqiponjës, pas pesë shekuj robërie!

Oh, thanë zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!

Unë pashë një ditë vjeshte, epopen e vendit tonë”! 

Duke e recituar atë poezi, nuk e di se si prej syve filluan të më rrjedhin lot. Ishin lotët e dhimbjes për lirinë. Ishin lotët e dhimbjes për Vlorën time. Për këtë gjë, toger Ademi na dënoi një javë në birucë dhe tre muaj, të mos kishim takim me familjen.

Ndërsa rrija shtrirë në çimenton e birucës së errët, një kanarinë qëndroi në dritaren e vogël të saj dhe ia filloi këngës së bukur. Nuk e di, por ndjeva një kënaqësi të veçantë, një kënaqësi që rrallë herë e ndien, në ato kondita. Pas disa ditësh, kur dola nga qelia, shkrova poezinë e mëposhtme i frymëzuar nga kënga e kanarinës:

UNË DHE KANARINA

Në të qelisë dritare, kanarina kish qëndruar,

Kënga saja melodioze, ëmbëlsi e mjaltëzuar,

Unë rinja i mahnitur, këngën duke e dëgjuar,

Zemra ime njomëzake, u brengos e copëtuar.

Pse ky zog, ky zogth i bukur, nga kafazi kish shpëtuar?

Të qetësonte shpirtrat tona, gjithë plagë të mbuluar,

Gjithë plagë të mbuluar, trup dhe shpirt të sakatuar,

Ndarë nga bota e madhe, në hapsanën e mallkuar.

M’u kujtua jeta ime, si e zogut sapo lindur,

Ëndërroja për lirinë, dita ditës duke pritur,

Që të ndriste, oh një ditë, që të zbardhte një mëngjes,

Të mos ecnim më mbi ferra, të jetonim plot me  shpresë.

Porse shpresa ishte shuar, ferrat e kishin rrethuar,

Ëndrrat tona djaloshare, një mjegull i kish mbuluar,

Mua një djalosh i njomë, romantik, ëndërrimtar,

Më përplasi pa mëshirë, më futi gjallë në varr.

Po vështroja kanarinën, vazhdonte këngën e bukur,

Nuk e di sepse dhe unë, ndjeva veten më të lumtur,

Dy, tre thërrime në dorë, seç ia zgjas  me dashuri,

Ajo fluturoj atje, cicëroi ciu ci…

Mbylla dorën, mora zogzën e i putha bisht dhe ballë,

Përkëdhel puplat e saja, për çudi ndjeva një mall,

Një mall të madh për lirinë, për atë që më mungonte,

Për atë që dridhte zemrën, lot nga sytë më lëshonte

Ik o zog, zogëz e bukur, fluturo në qiell e lirë,

Qëndro larg nga kjo skëterrë, fluturo në botë të mirë,

Lerma mua errësirën, lermi prangat edhe lotin,

Qëndro larg nga botë e keqe, që mohoi edhe Zotin.

Kanarina fluturoi, lart në qiell duke kënduar,

Unë në qelinë time, po qëndroja i menduar,

Për çudi një ndjenjë tjetër, zemrën kishte gllabëruar,

Jam i lirë thash me vete, prangat s’më kanë robëruar! 

                                                                                 * * * 

Një ditë më drejtohet Xhelali, një djalë rreth tridhjetë vjeç nga Dibra:

Lexo edhe :  Dëshmia e vajzës nga Tirana që u internua në moshën 10 vjeçare: Mësuesja ime e pashpirt..

– “Sot më ka ardhë nana me cucën, në takim. Udhës kishin pjekë nji nanë prej Vlone. Atë s’e kishin lanë me u takue me të birin, pasi ishte dënue nga komanda. Nana vlonjate, i kishte dhurue nji pako me ushqime. Ju jeni i dënue. Shikojeni këtë pako, ndoshta asht jueja. Ndoshta ishte nana juej. Unë nuk mund ta mbaj. Nuk më takon”.

Ngrita supet. Ishim disa të dënuar dhe shumica ishim vlonjatë. Mund të kishte qenë edhe nëna e ndonjërit prej tyre. Hapa pakon dhe pashë se brenda kishte miell, makarona, oriz, vaj dhe dy rrota me dhjamë dele, brenda të cilave kishte copëra mishi të skuqur. Të tilla më dërgonin vazhdimisht kur vinin në takim. Në pako ishte gjithashtu edhe një listë e ushqimeve. Njoha shkrimin e tim eti.

Kuptova se kishte qenë nëna e ime. Megjithatë, nuk e dhashë veten. Më vinte rëndë t’i thoja se ishin të miat. Nëna ia kishte dhuruar asaj dhe unë nuk mund të dilja kundër dëshirës së saj

– “Jo, jo, nuk janë të miat”,- i thashë

– “Merri dhe t’i hash me shëndet. Ky është amaneti i nënës vlonjate”.

Xhelali u fut në kapanon. Mbas dy javësh mora një letër nga Besniku. E dërgonte me anën e një shokut të tij, që erdhi me një kontingjent të ri. Në të midis të tjerave shkruhej:

Vëlla i dashur!

Sot u takova me nënën. Kishte ardhur për takim. Ndjeva një kënaqësi të madhe. Prej këndej, do vinte të takohej me ty. Ishte e vetme. Mendova sakrificën e madhe që ajo bënte, për ne bijtë e saj. Kaq ditë udhëtim vajtje-ardhje, për të mos na lënë ne të vetmuar. Po t’i shkruaj këto radhë, pasi e di se ty tashmë të kanë mbetur, edhe pak muaj për t’u liruar. Do të të porosisja që ashtu si ke qëndruar gjithmonë, të vazhdosh të qëndrosh edhe kur të dalësh. Qëndroju pranë dhe mos u nda prej tyre. Ata tashmë janë pleq dhe kanë nevojë për ne. Boll telashe u kemi shkaktuar. Unë kam për të kryer edhe shumë vjet të tjerë. Megjithatë, ndjej një kënaqësi të madhe, kur e di se ti do të shkosh pranë tyre, së shpejti.

Të përqafoj dhe puth me mall së largu!

Vëllaj yt i shtrënjtë 

        Besniku 

Ky ishte një mesazh i madh. Vëllai mendonte për mua, sado larg që ndodhej. Një gjë e tillë, më jepte krah. Letra e Besnikut, më vërtetoi edhe një herë, se nëna kishte ardhur për të më takuar dhe nuk e kishin lejuar.

                                                                            * * * 

Më në fund mbërriti edhe dita e lirimit nga burgu. Mbrëmja e fundit që kalova në kamp do më mbetet në kujtesë. Ishte 10 dhjetori i vitit 1955. U mblodhën gjithë shokët te krevati im. Mungonte Myrtezai, që kishte disa muaj që ishte transferuar në Rinas. Toger Ademi, nuk ishte aty. Kishte ikur me shërbim. Morëm leje nga roja e brendshme, që të këndonim në darkë. Doktor Isufi, më jepte këshillat e fundit. Sadiku shkroi një letër të cilën e fsheha me kujdes. Shokët këndonin të shoqëruar nga disa vegla muzikore, që ndodheshin në kamp. Nuk mungonte as kënga labe. I pari ia mori Dervish Koshena, nga Dukati:

Hapni dritë o male, mos rrini në re,

Ti Baba Tomori, lësho një rrufe.

Mblidhuni vëllezër, ejani me ne,

Ti Baba Tomori, lësho një rrufe.

Le të nxjerrim armët që kemi në dhe,

Ti Baba Tomori, lësho një rrufe.

Të vemi në Vlorë, zjarr e batare,

Ti Baba Tomori, lësho një rrufe”! 

Pas mbarimit të çdo kënge, ngrihej një dolli. Zakoni e donte që dollitë të ngriheshin me raki. Por atje ajo mungonte. Atë  e zëvendësonin cigaret. Për çdo dolli hidhej një, dy apo tre cigare, orkestrantëve. Kisha plotësuar katër vjet, gjashtë muaj dhe gjashtëmbëdhjetë ditë burg.

Kur isha fëmijë, ëndërroja të bëhesha poet, shkrimtar apo aktor teatri. Burgu më ndërpreu një ëndërr të tillë. Në vend të shkollës së artit, ndoqa atë të burgut, një shkollë të tmerrshme, një ferr të vërtetë, që të mbyste me rrathët e tij. Ishe i rrethuar nga një uri e përjetshme, nga një vdekje që të rrinte e gatshme në çdo çast, për të të rrëmbyer.

Shtojini këtyre edhe torturat, për të cilat mund të flasin vetëm ata që i kanë provuar dhe do të keni tabllon e plotë të këtij teatri tragjik. Por burgu, pati edhe meritat e tij. Ai ishte një shkollë e vërtetë, një shkollë e një lloji të veçantë. Ai më mësoi disa të vërteta, të cilat do të kishin mbetur të panjohura, nëse nuk do të isha atje. Më mësoi të vërtetën e këtij vendi. Më njohu me ata burra, që rrallë i takon.

Ata më mësuan se si duhej të veproja, që të isha njeri. Për këtë, u jam mirënjohës për jetë. Tashti do të dilja në një botë tjetër. Si do të ishte ajo? Mos do të ndërroja burgun e vogël, me atë të madhin, që quhet Shqipëri?! Të presim dhe të shohim.

Nuk kisha mbushur akoma, njëzet vjeç. Kisha hyrë fëmijë pesëmbëdhjetë vjeç dhe tani po dilja burrë i pjekur. Kisha hyrë me mendime të tjera dhe tani logjika ime, kishte ndërruar. Ato vite burgu dhe personalitetet që kisha njohur atje, kishin formuar karakterin tim. Që nga ajo ditë, nuk mendoja gjë tjetër, veçse kur do të vinte dit,a që të ishim të lirë. Por a do të vinte vallë?!/Memorie.al

Të fundit

200 anëtarë të rinj i bashkohen PS-së në Njësinë 4, Veliaj: PS është si Luiza Gega

200 anëtarë të rinj i janë bashkuar Partisë Socialiste në Njësinë 4 dhe Drejtuesi Politik për Qarkun e Tiranës,...

A ndikon pozicioni i gjumit në shëndetin e zemrës?

Dihet tashmë se një gjumë i mirë dhe cilësor ndikon në shëndetin tuaj, veçanërisht atë të zemrës. Studimet kanë treguar se një gjumë i...

Kush janë të burgosurit e tjerë rusë që mund të kenë fatin e Navalnyt?

Kur autoritetet e burgjeve në Arktikun rus njoftuan për vdekjen e papritur të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, më 16 shkurt, ata thanë se...

Rihana performon në dasmën e miliarderit indian, u pagua 9 mln dollarë

Rihana, ylli i muzikës ndërkombëtare ka performuar në dasmën e djalit të një miliarderi në Indi. Ajo ka magjepsur të gjithë të ftuarit në...

Mbi 1 miliard njerëz në botë janë mbipeshë, sipas OBSH

Numri i njerëzve obezë në të gjithë botën i ka kaluar 1 miliard, kjo sipas një studimi të fundit të publikuar në “The Lancet”....

Lajme të tjera

Web TV