Për të informuar e asistuar qytetarët dhe bizneset në përditësimin e identifikimit dhe hyrjes në portalin e-Albania, AKSHI ka publikuar një njoftim, shoqëruar me një udhëzues të thjeshtë e praktik.
Ndryshimi për të cilin po flasim ka të bëjë me një kod 6-shifror, fjalëkalim me një përdorim, i cili dërgohet në formën e sms në telefonin e përdoruesit dhe në adresën e tij të e-mail-it. Kjo vlen si për qytetarët edhe për bizneset, identifikimi në llogarinë e të cilëve në e-Albania, në vijim do të kryhet duke vendosur, përveç kredencialeve të tyre (NID/NIPT dhe fjalëkalimin) edhe një kod 6-shifror (fjalëkalim me një përdorim), që dërgohet në numrin e telefonit dhe adresën e-mail-it, në çdo rast identifikimi apo ndryshimi të fjalëkalimit.
Kurse qytetarët dhe bizneset të cilët, në llogarinë në portal, kanë deklaruar numër të huaj telefoni, kodin 6-shifror do ta marrin me e-mail, në adresën e regjistruar në llogarinë e tyre. Për këtë arsye, e mira do të ishte që qytetarët dhe bizneset të marrin masa për përditësimin e numrit të telefonit ose adresës së e-mail-it.
Për përditësimin e të dhënave në llogarinë e e-Albania, qytetarët dhe bizneset mund të bëjnë ndryshimin në rubrikën “Hapësira ime”, duke zgjedhur “Ndrysho të dhënat e llogarisë”.
Në çdo rast urgjence, pra nëse qytetarët dhe bizneset nuk mund të aksesojnë llogarinë e tyre në portal dhe nuk posedojnë më numrin e telefonit dhe adresën e-mail-it të regjistruar në llogari, ata mund të dërgojnë një e-mail në adresën elektronike helpdesk@e-albania.al dhe kërkesa e tyre do të trajtohet me prioritet nga stafi i e-Albania./O.S