Ajo ishte Lili, një elegancë virtuoze

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Ajo ishte elegante deri në marrëzi, jo vetëm në trupin e saj por dhe në ide gjithfarësh. Ajo ishte gocë Tirone por me origjinë nga Kosova e largët, me shqiptarët e të cilës na ndante kloni dhe ushtarët serbë të armatosur nëpër piramida. Ajo ishte simboli i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, po aq sa Besim Zekthi, Enver Birko, Besim Jazexhiu e Rexhep Çeliku. Vetëm se ishte femër dhe e vetmja me një emër aq të madh.

Dhe të gjithë së bashku kanë bërë histori në skenë, si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Por në 5 shkurtin e vitit 2024, Liljana Cingu, – e njohur kudo si Lili e Ansamblit, – e braktisi jetën tokësore. Shumëkujt prej saj i mbetën kujtimet si dhe shumë fotografi. Unë ruaj si kujtim një intervistë, që u botua në gazetën “Shekulli” në 27 janar të vitit 2014. Pra, 10 vite më parë.

U takuam tek dera e pasme e Pallatit të Kulturës, atje ku artistët ngjisin shkallët për në dhomat e provave apo për t’u futur në prapaskenë. U ulëm në kafen më të afërt. Mund të kisha ndezur diktofonin dhe ta regjistroja, por e kam bërë shumë rrallë këtë punë. Në praktikën time si gazetar e kisha bezdi të regjistroja intervistat. Sepse në psikikën time ishin ngulitur fort që ai mjet mund të përdorej lehtësisht për politikanët, të cilët janë mjeshtra të fjalës dhe thonë ç’të duan e nuk dinë se ç’thonë. Por për personalitetet e artit ishte e mira të shtroheshe në një bisedë të gjerë e të gjatë dhe të merrje shënime me laps e letër. Modë e vjetër. Po ç’rëndësi ka moda tek e fundit. E rëndësishme është ajo që mbetet.

Unë nxjerr lapsin nga xhepi dhe Lili një cigare nga paketa. “Mua më lejohet, qoftë dhe për shkak të moshës, – më tha duke buzëqeshur. – Por për vajzat e reja që aspirojnë të bëhen balerina ai është armik dhe rreptësisht i ndaluar”.

Asokohe ishte 64 vjeç dhe përveçse merrej me trajnimin e brezave më të rinj të valltareve po përgatitej seriozisht për një recital të sajin, sepse pak më vonë koha përkonte me 65 vjetorin e saj të lindjes. Dhe ishte vetëm 16 vjeç kur iu desh të kërcente përkrah legjendës tjetër të valles shqipe: Besim Zekthit. Por kot nuk thonë se tek e fundit mosha është vetëm çështje numrash, ndaj Lili ishte krejt në formë për të kërcyer e për të mbajtur një koncert të tërin. Ishte aq e lehtë dhe e zhdërvjelltë, por skenën dhe platenë mund ta bënte të dridhej po aq sa vite më parë.

Fillimet e saj në ansambël kanë qenë duke vallëzuar me partnerë të ndryshëm. Por shumë shpejt ëndrra e saj u realizua me punë të palodhur, djersën, dhe siç më është shprehur vetë ajo: dhe me ndihmën e koreografëve e mjeshtërve si: profesor Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Besim Zekthi. Ata bënë që talenti im, puna ime, ëndrra ime, të arrinte aty ku unë dëshiroja, soliste me solistët virtuozë: Besim Zekthi e Rexhep  Çeliku. Në atë kohë me dinjitet u formua treshja, siç jemi cilësuar edhe nga mediet… “Zekthi, Cingu, Çeliku”.

Më tha se karrierën e kishte të mbushur me shumë çaste të bukura, por më i veçantë kishte mbetur ai çast kur në moshën 19-vjeçare, në prani të 20 mijë spektatorëve, në qafën e saj u vendos Gjerdani i Artë.  Nuk ishte trofe lufte, por forcë dhe elegancë interpretimi. Bëhet fjalë për festivalin e famshëm të Dizhon-it në Francë dhe ceremonia drejtohej nga vetë kryetari i Festivalit.

Lexo edhe :  “Kodi i Da Vinçit”, një triller dramatik për të zbardhur një mister hermetik

Dhe çfarë do të shkruaja asokohe për “Shekulli”-n? Gërmoj në arkivën time dhe gjej gazetën. Një hyrje e ndarë në dy pjesë, praktikë e përhershme e punës time. Në pjesën e parë, në një mënyrë disi më letrare kisha shkruar këto reshta: “Majat e gishtave të saj dukej sikur nuk donin të rëndonin mbi tabanin e skenës dhe as të preknin në të. Ndërsa shputat e këmbëve uleshin me lehtësi dhe ngriheshin njëherazi si të ishin krejt pa peshë. Askush nuk e ndjente fërkimin e tyre me shtresë plastike e cila ishte shtruar mbi dyshemenë prej dërrase të skenës dhe frymëmarrjen që kontrollohej me ritmin e muzikës, gjithashtu se ndjente kush. Ajo ishte krejt e lehtë…”.

Dhe fill pas saj të ndarë më retiçenca niste pjesa e dytë.

“…Francezët e Dizhon-it filluan të thërrisnin fort “Viva Albania” kur në gjoksin e kërcimtares së re shqiptare u vendos “Gjerdani i Artë” i Festivalit. Edhe pse trofeu i takonte gjithë Ansamblit, në mënyrë krejt spontane, a ndoshta të përllogaritur që në hapin e parë, kryetari i jurisë, i qetë dhe i pandikuar nga thirrjet frenetike të publikut, u drejtua për nga më e reja e grupit që kishte dalë në skenë me simbolet kuq e zi, valltarja 19-vjeçare, Liljana Cingu”.

Ishte vitit 1970. Dhe vetëm një vit më pas, në vitin 1971, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve mori një ftesë për të bërë një turne në të gjithë Kosovën. Ndaj Lili Cingu do shprehej me të njëjtin ndjesi si 43 vite më parë: “Ndjeva shumë emocione që do prekja tokën e vendlindjes së babait tim. Ndarja e kufijve në ato vite ishte e pabesueshme. Na u realizua ëndrra të shkelnim në tokën tonë, të takonim njerëzit e gjakun tonë, me të njëjtën gjuhë e kulturë të përbashkët”.

Dhe kaq sa për nostalgji.

Liljana Cingu ishte “Mjeshtre e Madhe” dhe “Nderi i Kombit”. Por më së shumti njihet si “Mbretëresha e valles shqipe”. Dhe do të vazhdojë të mbahet mend si e tillë për shumë më tepër kohë sa mund ta imagjinojmë ne.

Të fundit

200 anëtarë të rinj i bashkohen PS-së në Njësinë 4, Veliaj: PS është si Luiza Gega

200 anëtarë të rinj i janë bashkuar Partisë Socialiste në Njësinë 4 dhe Drejtuesi Politik për Qarkun e Tiranës,...

A ndikon pozicioni i gjumit në shëndetin e zemrës?

Dihet tashmë se një gjumë i mirë dhe cilësor ndikon në shëndetin tuaj, veçanërisht atë të zemrës. Studimet kanë treguar se një gjumë i...

Kush janë të burgosurit e tjerë rusë që mund të kenë fatin e Navalnyt?

Kur autoritetet e burgjeve në Arktikun rus njoftuan për vdekjen e papritur të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, më 16 shkurt, ata thanë se...

Rihana performon në dasmën e miliarderit indian, u pagua 9 mln dollarë

Rihana, ylli i muzikës ndërkombëtare ka performuar në dasmën e djalit të një miliarderi në Indi. Ajo ka magjepsur të gjithë të ftuarit në...

Mbi 1 miliard njerëz në botë janë mbipeshë, sipas OBSH

Numri i njerëzve obezë në të gjithë botën i ka kaluar 1 miliard, kjo sipas një studimi të fundit të publikuar në “The Lancet”....

Lajme të tjera

Web TV