Gjykata turke ka miratuarekstradimin e Dritan Rexhepit në Shqipëri. Vendimi u mor sot, pasi Dritan Rexhepi akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Më 22 nëntor 2022, Shqipëria përcolli në Turqi kërkesën për ekstradimin e të konsideruarit ‘mbreti shqiptar i drogës’, pas arrestimit të tij në Stamboll më 10 nëntor 2023.
Krahas Shqipërisë, në garë për ekstradimin e Dritan Rexhepit ishte edhe drejtësia Italiane, pasi gjykata e Firences e kishte dënuar më 20 vjet burg për akuzën e trafikimit të kokainës nga Ekuadori në vendin fqinj.
Kush është Dritan Rexhepi
Rexhepi është një emër shumë i njohur i botës së krimit. Ai cilësohet si kapoja e kartelit që kontrollonte trafikun e drogës nga Ekuadori në Evropë.
Ai është skeduar nga disa shtete për aktivitetin e tij kriminal. Shqiptari, i cili është koka e kompanisë “Bello”, u kap në Ekuador me 278 kilogramë kokainë në vitin 2014 në një operacion të quajtur “Balcanes” dhe u dënua me 13 vite burg.
“Bossi” i drogës vuajti dënimin për disa vite, ndërsa aktivitetin e tij e kontrollonte nga burgu.
Rexhepi gjithashtu rezulton me skemë kriminale edhe në Belgjikë, Holandë, Spanjë, ndërsa është në kërkim edhe nga autoritetet italiane.
Krimet e Dritan Rexhepit
Autoritetet italiane e akuzojnë atë se ka urdhëruar të paktën dy vrasje gjatë qëndrimit në burg, në Ekuador dhe Shqipëri. Shqiptari ka mohuar përfshirjen e tij në këto krime.
Ndërsa në Shqipëri, Dritan Rexhepi, deri në vitin 2014, ishte në top listën e 10 më të kërkuarve nga Interpol Tirana.
Në Shqipëri ai është i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998.
Policia shqiptare e ka cilësuar asokohe si vrasësin e parë me pagesë.
Gjithashtu, SPAK e akuzon atë se ka urdhëruar rrëmbimin e 49-vjeçarit Jan Prenga në 17 janar të vitit 2020. Viktima nuk u gjet kurrë dhe supozohet se ka humbur jetën.
Në Barcelonë të Spanjës ai akuzohet se realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i Barcelonës.
“Bossi” i drogës ishte arratisur disa herë nga burgu. Në vitin 2008, ai u arratis nga burgu i Pavias në Itali, me makinën e një të moshuare. Si pasojë, u shkarkua i gjithë personeli i burgut.
Ai i shpëtoi policisë nga duart edhe në Shqipëri. Ai u arrestua në vitin 2006 në hollin e një hoteli në Tiranë me dy pistoleta në brez, por me ndihmën e një punonjësi policie që i la derën hapur, u arratis nga komisariati i Durrësit.
Në tetor të vitit 2011, dy muaj pasi ishte vënë në pranga, ai u arratis nga burgu në Belgjikë, së bashku me një tjetër të dënuar. Për këtë arsye ai është cilësuar edhe si “mbreti” i arratisjeve./E.T