Amnistia Penale
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka hedhur akuza ndaj opozitës se gënjejnë para mediave për Amnistinë Penale. Ai tha se në tavolinë i është dhënë “ok” për Amnistinë Penale, ndërsa në media, sipas tij, përgënjështruan veten. Ai tha se opozita po bën një lojë politike
Mazhoranca “u pre në besë” nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha sa i takon Amnistisë Penale. Të paktën kështu është shprehur ministri i Drejtësisë Ulsi Manja gjatë një komunikimi me gazetarët në qytetin e Vlorës. Edhe pse e vetme nuk mund të sigurojë 84 votat e nevojshme për të miratuar “Amnistinë Penale”, mazhoranca thotë se nuk do të pranojë asnjë kusht të vendosur nga fragmentet e opozitës në këmbim të votës. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i dha një përgjigje pretendimeve të tyre se qeveria kërkon të lehtësojë dënimet edhe për zyrtarët e lartë të dënuar nga Gjykata e Posaçme. “Vënë kushte për votën për amnistinë.
Mazhoranca dhe komisioni i ligjeve e çuam draftin në kuvend dhe ky draft nuk amniston asnjë zyrtar të dënuar për korrupsion dhe të dënuar nga GJKKO dhe që është hetuar nga SPAK”, tha Manja. Një përgjigje e pati edhe për Lulzim Bashën duke thënë se nuk i duan votat e tyre me kushte, pasi nuk mund të ketë amnisti për ata protestues që kanë shkatërruar prona me dhunë apo kanë goditur policët për shkak të detyrës. Sipas Manjës ata janë zjarrvënës që kanë kryer krime të rënda. Manja shtoi se janë gati të ulen në diskutime për propozimet e opozitës për amnistinë penale, por duke theksuar se nuk duhet të bien ndesh me parimet e amnistisë.
“Ne duam votat e gjithë deputetëve. Kërkon të amnistohen jo protestuesit, po zjarrvënësit. Çlidhje ka një njeri që është dënuar për shkatërrim prone me zjarr, çlidhje ka një njeri që është dënuar për goditje për shkak të detyrës të një polici, çlidhje ka me protestuesit një njeri që është dëbuar për shkelje të rregullave për lëndët plasëse. Këtu nuk është amnisti për protestuesit, por për njerëz që kanë kryer krime të rënda në këtë vend. Jemi të hapur që të ulemi në sallën e Kuvendit dhe për kërkesa racionale, që nuk bien ndesh me parimet e amnistisë dhe që siguron një balancë mes amnistisë si akt human dhe veprimtarisë së sistemit të drejtësisë, jemi gati të ulemi të bisedojmë por nuk pranojmë kushte për një gjë që nuk na takon vetëm ne. Secili nga deputetët e ka një votë për ta dhënë për këtë ligj q është një akt human”, vijoi Manja.
Sipas rregullores së Kuvendit, ministri theksoi se drafti nuk kthehet më në Komisionin e Ligjeve, por tha se janë të hapur për amendamente të opozitës që mund t’i bashkëngjisin në sallën plenare kur të futet në rend dite amnistia. Ministri tha se do kalojë në Kuvend kur t’i kenë votat. “Këtë bëri komisioni i ligjeve por kjo nuk mund të jetë shkak për të thënë s’ka amnisti. Është në rendin e ditës së Kuvendit. Rregullorja e kuvendit i ka të përcaktuara, s’ka pse kthehet më në komision.
Nëse do ketë amendamente është salla e seancës plenare. Kjo nuk përjashton mundësinë që kur të sigurohen votat të futen në rendin e ditës. Nga kjo amnisti nuk amnistohet korrupsioni, shpërdorimi i detyrës dhe asnjë i dënuar i dënuar nga GJKKO dhe i hetuar nga SPAK”, tha Manja. Amnistia Penale u tërhoq nga rendi i ditës të enjten në parlament për shkak të mosdakordësisë me opozitën për 84 votat e nevojshme, megjithatë mazhoranca ka treguar sigurinë e plotë për votimin e këtij projektligji së shpejti.
Akuza opozitës
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka hedhur akuza ndaj opozitës se gënjejnë para mediave, duke thënë se në tavolinë, deputetët të caktuar i kanë premtuar se do ta votojnë amnistinë penale dhe më pas në deklarata për shtyp thonë s’do e votojmë. “Ata që nuk e kanë hallin e vet te dera nuk ja qajnë hallin dot tjetrit. Harrojnë që me atë votë përfitojnë rreth 700 të dënuar në burg.
Është nderi i parlamentit që tu japin mundësitë të bashkohen me familjarët. Si ish-prokuror kam parë shumë gënjeshtarë, në politikë po njoh edhe gënjeshtarë që ndryshe thonë para mediave dhe ndryshe thonë në tavolinë. Në tavolina thonë zot ministër do e votojmë amnistinë, sa dalin para mediave dalin te veshi i gënjeshtrës. Këtë kam thënë dje sepse një nga shtysat për të pasur një ligj amnistie kanë qenë edhe indicet që deputetët të grupeve politike që marrin nga zonat e tyre. Tani vinë aty dhe kanë hallin se kush do e thyejë i pari këmbën për të hyrë në parlament”, tha Manja.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja thotë se opozita nuk po e voton amnistinë për arsye politike. Nga Vlora ai komentoi edhe skenarin e bllokimit në Kuvend nga Rithemelimi, duke thënë se dy grupet e PD vijnë në kuvend e shohin njëri-tjetrin se kush do i japë fund bojkotit se kanë frikë se do quhen tradhtari politik. “Të gjithë flasin për amnistinë, politikanë, analistë media por askush nuk dëshiron të lexojë të vërtetën që është e shkruar në ligjin e amnistisë. Arsyeja përse nuk duan është politike. Opozita është jashtë sallës së parlamentit, ka 3 muaj që nuk është në normalitet për shkak të qëndrimit të opozitë, ka një grup tjetër që bën sikur vjen dhe shohin pjesën tjetër dhe kanë hallin se kush do e thyejë i pari bojkotin për t’iu kthyer seancës në normalitet se do quhet ‘tradhtari’ politik”, tha Manja.