Për herë të parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë, ndërsa Ukraina ndodhet në luftë me Rusinë që prej shkurtit 2022. Tirana do të jetë mikpritëse e një samiti për Ukrainën, ku padyshim fokusi do të vendoset tek lufta dhe mbështetja ndaj Ukrainës do të jetë fokusi i takimit mes Zelenskyt dhe liderëve të Ballkanit Përendemor, por nuk do të mungojnë as liderë të BE-së dhe zyrtarë të lartë të Brukselit. I pranishëm do të jetë presidenti Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, ku pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të shtetit. Më 29 shkurt, po në Tiranë do të mbahet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor. Lideri ukrainas pritet të mbërrijë në Tiranë në mbrëmjen e 27 shkurtit, ndërsa më datë 28, të mërkurën, do të marrë pjesë në samitin ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore. Në axhendën e tij, Presidenti i Ukrainës pritet të ketë disa takime bilaterale, mes të cilave me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla, megjithëse detajet e vizitës, nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht për shkak të nivelit të lartë të sigurisë mbi të cilin do të zhvillohet kjo vizitë. Pjesë e këtij samiti, përmes një video mesazhi do të behet edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, siç njoftoi vetë kryeministri Edi Rama nga Ankaraja më 20 shkurt. Punimet priten të zhvillohet në ambientet e pallatit të Kongreseve, aty ku do të mbahet ceremonia pritëse, ndërsa në përfundim të sesioneve të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.
Reagimi i Presidentit të Ukrainës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në prag të samitit që do të zhvillohet në Tiranë në datat 28-29 shkurt, ka falënderuar Shqipërinë për solidaritetin me Ukrainën. “Faleminderit për fjalët tuaja të mira dhe solidaritetin e palëkundur me Ukrainën, Bajram Begaj”, shkroi ai. “Ne vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë dhe presim me padurim sigurimin e një të ardhmeje paqësore evropiane si për vendet tona ashtu edhe për Europën në tërësi”, shtoi Zelensky në X, ndërsa ka ndarë postimin e Begajt. Begaj, ditën e shtunë me rastin e shënimit të dyvjetorit të luftës Rusi-Ukrainë shkruante: “Dy vjet pas agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë të Rusisë kundër Ukrainës, ne qëndrojmë me frikë nga lufta e guximshme e popullit ukrainas për liri, dinjitet dhe sovranitet. Ne mbetemi aleatë të palëkundur të Ukrainës, duke mbrojtur së bashku këto parime universale”, shkroi presidenti shqiptar në X.
Samiti i Ballkanit
Më datë 29 shkurt, do të vijohet me një tjetër samit, atë të Ballkanit Perëndimor ku do të marrin pjesë liderët e 6 vendeve të rajonit. Fokusi i këtij takimi do të jetë tek plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit europian, ndërsa pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.
Mbërrin në Tiranë Rossen Jeliazkov, takohet me Nikollën
Kryetari i Parlamentit të Bullgarisë, Rossen Jeliazkov, do të zhvillojë një vizitë zyrtare ditën e sotme në vendin tonë. Jeliazkov do të pritet nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla bashkë me delegacionin që e shoqëron. Pas takimit, Kryetarja Lindita Nikolla dhe Kryetari Rossen Jeliazkov do të bëjnë deklaratë për mediat.
Ministri Hasani niset drejt Gjenevës për takimin e lartë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani udhëton nga India drejt Gjenevës, ku në datat 26 – 27 shkurt do të mbahet takimi i Nivelit të Lartë i Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ). Vendi ynë merr pjesë në takim si vend anëtar i KDNJ-së me një mandat 3 vjeçar 2024-2026. Është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Ministri Hasani do të pritet nga Komisioneri i Lartë i OKB-së i të Drejtave të Njeriut, ndërsa do të takohet me stafin shqiptar të punësuar pranë OKB në Gjenevë si me ekipin e Misionit të Republikës së Shqipërisë. Ministri Hasani do të japë mesazhin e tij në emër të Shqipërisë në takimin e posaçëm të Grupit të Miqve për Llogaridhënien për Ukrainën.