Komisioneri Varhelyi, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama tha se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të marrin 6 mld euro ndihmë deri në 2027. Rama pati një mesazh për Kurtin dhe Vuçic që të lënë pas konfliktet e së shkuarës në mënyrë që të mos humbasin nga mundësitë financiare të perëndimit
Në Samitin e Tiranës mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian u diskutua sërish për Planin e Rritjes së ekonomive të rajonit, ku në fokus ishte shpjegimi i detyrave që duhen përmbushur për të përfituar fondet e Brukselit. Platforma shihet si një metodë që do të përshpejtojë integrimin në BE të 6 shteteve, në dispozicion të së cilave vihet një fond prej 6 miliardë eurosh, deri në 2027. Shqipëria shpreson të përfitojë 1 mld Euro nga ky fond dhe Kryeministri Rama u tregua optimist se deri në qershor do të jetë gati. Komisioneri Varhelyi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama tha: “Shumica e reformave kanë koston e tyre financiare, por jemi të gatshëm të zbusim koston ndaj udhëheqësit e KE kanë vendosur, 6 mld euro duhet të ndihmojnë rajonin. Kjo është sasia e fondeve që i jepen vendeve anëtare. Deri në 2027 rajoni do marrë të njëjtin intensitet ndihme. Pas 2027 do ishte e vështirë që rajoni të thoshte nuk jemi gati akoma. Në 10 vite rajoni duhet të dyfishojë ekonominë”. I pyetur në lidhje me atë që mund të presin rajoni dhe Shqipëria vitin e ardhshëm, komisioneri tha se BE pret që vendet të sjellin vetë ide në lidhje me atë që duhet të ndryshohet. “Presim që rajoni të na sjellë ide se çfarë duan të ndodhë vitin e ardhshëm, ku janë pengesat për qeveritë dhe qytetarët, që të tregojmë ndryshime të prekshme për qytetarët. Financimet shtesë do jenë për përpjekjet që duan për reformat që vendet të vijnë në BE”, tha ai.
Integrimi
Kryeministri Edi Rama teksa foli për ndihëm ekonomike kishte edhe një mesazh për Kurtin dhe Vuçic që të lënë pas konfliktet e së shkuarës në mënyrë që të mos humbasin nga mundësitë financiare të perëndimit. Kjo mendësi e bllokimit të fqinjit, sipas eurokomisionerit Varherly, ka infektuar edhe Greqinë, e cila po vështirëson integrimin e vendit tonë për shkak të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri. Por zyrtari i BE nga Tirana dha shpresa që muajin e ardhshëm mund të ketë lajme të mira për hapjen e kapitujve të parë të negociatave mes Tiranës dhe Brukselit. Optimist ishte edhe Kryeministri Rama, i cili nuk hezitoi të parashikonte edhe afate për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. Samiti humbi shansin që të kishte pjesëmarrës 3 kryeministra shqiptarë së bashku, pasi Albin Kurti nuk arriti t’i bashkohet Edi Ramës dhe Talat Xhaferrit duke u mjaftuar vetëm me një video mesazh. Për kryeministrin Edi Rama është mendësia e rajonit pengesa më e madhe që do të duhet të kalojë Shqipëria për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Rama tha nga konferenca për mediat pas samitit midis BE dhe Ballkanit Perëndimor për planin e ri të rritjes se për diçka të tillë ishte rënë dakord edhe 10 vite më parë, por shkopinjtë nën rrota që fqinjët i fusin njëri-tjetrit dhe përplasjet me bazë politike e kanë mbajtur peng integrimin. “Pengesa e vetme më e madhe së cilës mund ti trembemi është mendësia midis vendeve të rajonit sepse siç e thashë më parë, ky plan i ri i rritjes sa i takon çfarë duhet të bëjmë në planin rajonal është saktësisht ajo që kemi rënë dakord në parim 10 vite më parë. Është saktësish çfarë jemi përpjekur të çojmë përpara me Ballkanin e Hapur dhe arsyeja që në 10 vjet nuk arritëm të përparonim aq sa do të donim ishte mendësia dhe ndërhyrja e çështjeve politike dhe retorikës së politikave të brendshme kundër interesave tona. Pra pengimi i qarkullimit të kamionëve është krejt kundër frymës së Procesit të Berlinit dhe shkronjës së planit të ri të rritjes.”, tha ai. Sipas kreut të ekzekutivit tanimë ka vend për optimizëm pasi deklarata e samitit të sotëm është firmosur nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Rama tha se ajo çka duhet bërë në vijim është puna e përbashkët për të ecur më shpejt drejt BE-së. Kjo sipas kryeministrit duhet të ndërlidhet edhe me reformat e thella në përshtatje me direktivat dhe legjislacionin e bllokut, që Shqipëria dhe çdo vend tjetër në rajon duhet të zbatojë deri në 2027. “Deri më tani shohim që ka vullnet të mirë, deklarata e përbashkët është miratuar nga të 6 vendet. Kemi rënë dakord të përqendrohemi fort te puna së bashku. Nëse do të jemi në gjendje ti bëjmë gjërat së bashku do të ecim shumë shpejt, nëse jo do të dështojmë të gjithë, sepse çdo gjë është e ndërlidhur. Nuk mund të pretendosh që të kesh një kosto transaksioni të njëjtë me vendet e Be dhe pastaj koston tjetër të transaksionit t’ia ngecësh fqinjit. Jo nuk funksionon. E dyta është puna e brendshme. Plani i rritjes nuk është i shkëputur nga reformat e vendeve anëtare. Plani i rritjes është një bashkudhëtar i procesit tonë të rezultateve në reforma. Si Shqipëri na duhet të ecim përpara me një valë të re reformash, që e kemi nisur.”, tha ai./kb