Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në sallën e Këshillit Bashkiak nxënësit me dhjeta të një tjetër gjimnazi të Tiranës. Bëhet fjalë për ekselentët e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët bënë pyetje dhe shkëmbyen ide për qytetin. Sipas kryebashkiakut, punët e së ardhmes do të jenë gjithnjë e më të lidhura me talentet dhe profesionet, ndaj kultivimi i një horizonti gjithpërfshirës tek të rinjtë dhe të rejat është çelësi drejt së ardhmes.
“Këtë besoj se ‘Sami Frashëri’ e ka bërë gjithmonë shumë mirë, pra kultivimin e një horizonti përtej hundës dhe egos tënde, të asaj që quhet bashkësi njerëzore dhe qytetin me të cilin i kemi lidhur fatet të gjithë. Fakti që gjeni kohë edhe për art, kulturë, edhe për punë vullnetare, edhe për të bërë muzeun e shkollës apo aktivitete të tjera, më bën vërtet të ndihem shumë krenar që shkolla e ruan ende këtë reputacion”, u shpreh Veliaj.
Në fund, kreu i Bashkisë vlerësoi faktin se investimi tek dija dhe vlerat njerëzore është investimi më i mençur që të rinjtë mund të bëjnë sot, për një “superqytet” të së ardhmes./e.t