Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar të premten se blloku e ka caktuar një takim për të martën e ardhshme, 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve.
Stano tha se në takim, i cili zhvillohet në Bruksel, do të bisedohet për çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.
“Do ta kemi takimin e radhës në kuadër të dialogut të martën. Janë ftuar për këtë takim kryenegociatorët për të vazhduar diskutimet aty ku kishim mbetur pas takimit të fundit“, tha Stano.
Kryenegociator i Kosovës është Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është Petar Petkoviç. Më herët të premten, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit në lidhje me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ai theksoi se shpreson një gjetjen e një zgjidhjeje urgjente për këtë çështje të martën në Bruksel.
“Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, tha Escobar për REL-in.
Banka Qendrore e Kosovës e filloi zbatimin e një rregulloreje të re nga 1 shkurti, e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret për pagesa me para të gatshme, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb./O.S