Luftë kundër SPAK, gara mes krimit të organizuar dhe politikës së inkriminuar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Koktejli Krimi i Organizuar-Politikanët e Inkriminuar përbëjnë kërcënimin numër një ndaj prokurorëve të SPAK. Deklarata e drejtuesit Altin Dumanit se është kërcënuar me jetë familja e një prokurori ka sjellë në vëmendje se ka nisur goditja ndaj kësaj strukture në atë që quhet Lufta e Madhe e SPAK. Por a mund të godasin këtë strukturë bandat e kriminelëve pa mbështetjen e politikës? Një analizë mbështetur edhe në shembuj e jetës së heronjve të luftës ndaj mafias italiane, Giovanni Falcone, Pier Luigi Vigna dhe Pietro Grosso.

Nga ROLAND QAFOKU

Pas 4 vjetësh nga ngritja e SPAK, lajmet që dalin prej andej, në jo pak raste janë shumë herë më me interes publik se sa ato të politikës. Së fundi, një deklaratë e kreut të këtij institucioni Altin Dumani se ishte kërcënuar me jetë familja e një prokurori i kaloi përmasat e një lajmi të zakonshëm. Por edhe më shumë e fortë ishte deklarata pasuese, se, sipas Dumanit, shqetësues më i madh ishte kërcënimi nga krimi i organizuar dhe jo kërcënimi nga politika. Ne rastin më të mirë duket një konkurencë mes krimit të organizuar dhe asaj pjese të politikës së inkriminuar se cili prej tyre do ta mposhtë SPAK. Kush prej tyre do ta frikësojë, ta dobësojë, ta imponojë, pse jo, ta kontrollojë atë. Por në rastin më normal, ajo pjesë e inkriminuar e politikës me krimin e organizuar përbëjnë një koktejl që japin dhe marrin, ose më saktë fare, bashkëpunojnë ngushtë për ta arritur këtë qëllim. Nëse një prokuror kërcënohet dhe i rrezikohet jeta nga krimi i organizuar, afërmendsh që brenda këtij aksioni të zi ka edhe politikanë që në një formë apo tjetër e kanë mbështetur këtë kërcënim. Por edhe nëse ka politikanë që kërcënojnë dhe rrezikojnë jetën e prokurorëve të SPAK, padyshim që me ta dhe pas atyre janë pjesëtarët e krimit të organizuar. Ky është një binom që nuk ka ndarje të përkufizuar aq qartë nga studiuesi Umberto Santiano:

“Mafia është subjekt politik me kuptim të dyfishtë. Në radhë të parë sepse paraqet karakteristikat kryesore të grupeve politike: një rregullore, një shtrirje territoriale, ushtrimin fizik të përbashkët, një aparat administrativ për të siguruar vëzhgimin e zbatimit të rregullave dhe të ushtrimit të përbashkët. Në radhë të dytë sepse mafia është njëkohësisht prodhuese dhe prodhim i politikës, domethënë përcakton ose ndihmon në marrjen e vendimeve dhe në përzgjedhjen që kanë të bëjnë me menaxhimin e pushtetit dhe shpërndarjen e burimeve. Në radhë të tretë me të ashtuquajturën krime politiko-mafioze duke dërguar përfaqësuesit e saj në institucione dhe duke kontrolluar aktivitetin politiko-administrativ.

Krimi i organizuar është kërcënimi planetar numër një në Botë. Për Shqipërinë ca më shumë. Dhe beteja e drejtësisë me të ishte e pritshme. Tashmë në Shqipëri SPAK nuk është një fjalë e re në fjalorin e gjuhës shqipe, apo një metaforë që e pasuron këtë fjalor. SPAK është një institucion që në jo pak raste ka bërë të dridhen më të fortët e krimit dhe të fortët e politikës. Kur ata prokurorë të kësaj strukture u betuan në presidencë me dorën mbi kushtetutë besohet se ishin të vetëdijshëm për çdo rrezik. Ndryshe ai që nuk e ka imagjinuar me rrezik jete këtë punë, nuk duhet të jetë pjesë e SPAK. Si mendohej që do të luftonte SPAK krimin e organizuar dhe politikanët e inkriminuar pa patur asnjë rrezik? Si mendohej që prokurorët e kësaj strukture që do të arrestonin ata që deri dje ishin “untouchable” të vijonin një jetë të qetë? Si mendohej që prokurorët që do të mbyllnin në qeli kriminelët më të rrezikshëm dhe pjesëtarët e bandave që i kishin shpëtuar drejtësisë do të ishin imunë? Si mendohej që prokurorët që do të arrestonin politikanët që kanë grabitur paratë e shtetit do të ishin në paqe me ta? E kundërta do të thoshte që SPAK nuk do të bënte gjë tjetër vetëm se do të përsëriste atë që ishte bërë në Shqipëri që nga vitit 1990 kur drejtësia dhe krimi ishin një.

LUFTA ME ARMË NDAJ PROKURORËVE QË LUFTUAN MAFIAN

Marrim për analogji se si është luftuar krimi i organizuar në shtetet që kanë arritur jo pak suksese. Nëse ka një vend në të cilin kanë rënë dhjetra dëshmorë të kësaj lufte, herë e humbur por në shumë raste e fituar nga drejtësia, kjo është Italia. Ndërsa emblema e luftës ndaj mafias italiane ishte padyshim Giovanni Falcone. Ai ishte i detyruar që 16 në 24 orë të jetonte në një zyrë të vogël të ndërtuar me çelik dhe çimento, përjetësisht e ndriçuar nga neone e vëzhguar në mënyrën e pandërprerë nga njerëz të armatosur. Gjë që në mënyrë të thjeshtë do të thoshte që tashmë prej vitesh e kishte pothuajse të pamundur të shikonte minimalisht jetës së përditshme, një kinema, një darkë në restorant, shkuarja në dyqane dhe një shëtitje të thjeshtë. Mes disa proceseve hetimore nëpërmjet të cilave ai prek të paprekshmen, në një moment ai tha:

Lexo edhe :  “Askush nuk na ndalon”, Izraeli merr nën kontroll Rripin e Gazës

“Sigurisht, ata ende nuk më kanë vrarë, nuk ia kanë arritur qëllimit. E kam ende të hapur llogarinë me “Cosa Nostrën”.

Dhe nuk vonoi. Pas një betejë të gjatë me mafian, Falcone u vra prej mafias siciliane me 1 ton tritol të shpërrthyer teksa po ecte me eskortë në një nga rrugët lidhëse të Palermos, pranë Capaci. Tirana nuk kishte parë kurrë më parë në atë mënyrë ruajtjen e një njeriu si ajo e Prokurorit Kombëtar të Antimafias Italine kur Pier Luiggi Vigna erdhi në Tiranë në vitin 2004. Pasuesi i Giovanni Falcones që arrestoi 1500 mafiozë të implikuar në vrasjen e tij, ka qenë vazhdimisht nën kërcënimin dhe eleminimin nga mafia. Por vlera e tij më shumë e lidhur me Shqipërinë ishte se nga Tirana lëshoi një “silurë” teksa tha:

“Shqiptarët kanë mësuar se u leverdis të jenë mafiozë, e se kështu fitojnë shumë, kështu grumbullojnë pushtet, se kështu drejtojnë ekonominë e kushtëzojnë policët”.

Prokurori tjetër Kombëtar i Antimafias Italiane Pietro Grasso që vetëm në një proces kishte 475 të pandehur me 438 aktakuza mes tyre 120 për vrasje, në një intervistë në vitin 2009 të titulluar “Për të mos vdekur nga mafia”, tregoi se jetonte si murg dhe se ndjehej si një minë që të plas në dorë nga casti në çast. Tha Grasso gjatë asaj interviste:

“U vura në shenjestër të Cosa Nostrës dhe familjarët e mi paguan një çmim të rëndë për shkak të detyrës sime. U bënë objekt kërcënimesh dhe u detyruan të kufizonin lëvizjet e tyre aq sa nuk mund të bënin më as edhe një shëtitje në qytet. Një pasdite e gjeta time shoqe të tronditur sepse një person kishte rënë citofonit dhe e kishte paralajmëruar: Dihet kur fëmijët dalin nga shtëpia, por nuk dihet kur kthehen. Kërcënimet vijuan me letra apo me telefona pa zë. Një mbrëmje kur po hyja në kinema, sigurisht i shoqëruar edhe pse jo dukshëm dëgjova një zonjë që po i pëshpëriste në vesh të shoqit: Shiko, qenka gjyqtari Grasso, ulemi sa më larg se nuk i dihet”.

BETEJA MES SPAK DHE KRIMIT DHE POLITIKANËVE TË INKRIMINUAR

SPAK është armiku numër një i krimit të organizuar në Shqipëri. Por SPAK është armiku numër një edhe i politikës së inkriminuar. Jemi në një kohë që mund ta quajmë Lufta e Madhe e drejtësisë ndaj krimit të organizuar në Shqipëri. Të gjitha dilemat duket sikur kreu i SPAK Altin Dumani i shuajti teksa tha:

“Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë”,

Ndërsa në terminologjinë e antimafias nëpër botë përdoret termi gangster, kjo për Shqipërinë është një fjalët që duket e dobët. Fjala më e saktë që përdoret është të fortët e paprekshëm. Dhe ndonëse ishte një magjistrat italian, Giovanni Falcone ka lënë mësime për këdo jurist në botë që është në luftë ndaj krimit të organizuar dhe që sigurisht shërbejnë edhe për Shqipërinë. Tha Falcone:

“Jo për të lënë testament, as për të dhënë mësime. Aq më pak për të quajtur veten hero. Unë nuk jam Robin Hudi i pyetjeve. Nuk jam pilot vdekje. Jam thjesht shërbëtor i shtetit në një tokë të pabesë. Njerëzit shkojnë. Kush mbetet, domethënë gjithkujt prej nesh, do ti duhet të vazhdojë të bëjë pjesën e vet, e vogël, apo e madhe qoftë. Vdekja shkaktohet ose se njeriu është i vetmuar ose është futur në një lojë tepër të madhe. Vdekja shpesh shkaktohet ngaqë nuk ekzistojnë aleanca të nevojshme sepse nuk ka mbështetje. Në Sicili mafia godet shërbëtorët e shtetit që ai nuk ka arritur ti mbrojë”.

Është një leksion për këdo që është pjesë e SPAK. Lufta me krimin e organizuar dhe atë pjesë të inkriminuar të politikës është e ashpër dhe mund të ketë edhe pasoja. Por ata prokurorë dhe gjykatës që do të arrijnë ta fitojnë këtë betejë do të jenë heronjtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ashtu si këta prokurorë që luftuan dhe rrezikun edhe jetën e vetë dhe të familjes. Disa prej tyre edhe u vranë. Por populli italian dhe jo vetëm, i nderon heronjtë që i dhanë vendit të tyre drejtësi. Kjo pritet edhe nga prokurorët shqiptarë të SPAK.

Të fundit

Marrëveshja e pensioneve me Italinë/ Shqiptarët nuk do të humbasin asnjë ditë pune

Nga 1 Qershori do të nisë njohja e pensioneve me Italinë pas marrëveshjes së arritur mes dy vendeve. Olta Manjani,...

Mbeti jashtë Kuvendit për pak vota/ Reagon Blerina Gjylameti

Kandidatja Blerina Gjylameti, ka reaguar me një mesazh falënderues dhe reflektues përmes një postimi në rrjetet sociale. Në mesazhin e saj në Facebook, Gjylameti...

Skandali trondit qeverinë e Macron/ Nestlé France akuzohet për falsifikim të ujit mineral

Pallati Presidencial francez dhe Emmanuel Macron janë në qendër të një skandali të rëndë politik dhe të konsumatorëve, pasi zbulohet se Nestlé Waters, kompania...

PD në zgjedhje, si dyqani politik i Berishës! Në 2021 mori 3600 vota në listë të mbyllur!

Analisti Denis Dyrnjaja ishte i ftuar ditën e sotme në Report Tv në një intervistë me Nertil Agalliun, ku tha se humbja e Partisë Demokratike në...

Krimet zgjedhore/ Dumani, Çela dhe Celibashi takohen me ambasadorët e huaj në vend

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, i SPAK Altin Dumani dhe i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela kanë zhvilluar këtë të martë një takim në ambasadën e...

Lajme të tjera

Web TV