Ndihmës Sekretari amerikan, Tod Robinson tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përdorin të gjitha mjetet si shpallja ‘non grata’ dhe sanksionet e vizave për t’u siguruar që zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar.
Ndihmës Sekretari amerikan, Tod Robinson ka paralajmëruar se SHBA do të shpallë të tjerë zyrtarë të korruptuar non grata. Ai shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përdorin të gjitha mjetet si shpallja ‘non grata’ dhe sanksionet e vizave për t’u siguruar që zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar. “Do të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për t’iu vënë pas aktorëve të korruptuar dhe për të ndihmuar institucionet shqiptare që t’i vihen pas aktorëve të korruptuar. Kemi një numër mjetesh dhe shpalljet non-grata dhe sanksionet e vizave janë mes tyre, dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato sepse janë mënyra të efektshme për t’u siguruar që ata zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar dhe të gjitha mjetet që ne kemi në dispozicion do të vihen në punë kundër atyre aktorëve të korruptuar” tha zyrtari i lartë amerikan.
Robinson thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet DEA-s dhe FBI-së po ndihmojnë SPAK në kapjen e të korruptuarve. “Dhamë një numër mesazhesh. Së pari, që ata (SPAK) po bëjnë një punë fantastike dhe jo vetëm SPAK, por të gjitha agjencitë e pavarura të drejtësisë po bëjnë punë fantastike, një punë fantastike që shqiptarët e zakonshëm nuk e shihnin kur isha unë këtu, për shembull, në vitet 2004-2006. Ky ishte mesazhi i parë; i dyti – Qeveria e Shteteve të Bashkuara është këtu për t’i ndihmuar me punën e tyre. Ajo që iu thashë ishte, burimet janë të kufizuara kudo në botë. Por një nga vendet ku nuk e kemi problem të shpenzojmë burimet tona është këtu në Shqipëri, për shkak të punës së shkëlqyer që këto institucione po bëjnë. Mesazhi i fundit është se qëllimi ynë është të vazhdojmë të ndihmojmë – kemi një ekip të shkëlqyer këtu. DEA është këtu. Departamenti i Drejtësisë është këtu.
FBI është këtu. Po bëjmë punë të madhe me sistemin e burgjeve. Dhe synojmë ta vazhdojmë atë punë sepse është e rëndësishme për marrëdhënien Shtetet e Bashkuara – Shqipëri. Por më shumë sepse është rëndësishme që shqiptarët e zakonshëm ta shohin të bëhet kjo punë dhe të shohin që po mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Robinson.
Pas marrëveshjes së arritur me mazhorancën, Partia Demokratike, grupimi i Rithemelimit ka nisur nga puna dhe ka caktuar emrat e anëtarëve të 2 komisioneve që do të ngrihen, një për daljen e të dhënave të sistemit TIMS dhe për atë të shëndetësisë. Sa i përket daljes së të dhënave të TIMS, kryetar është caktuar Ervin Salianji e ndërsa anëtarë do jenë Elda Hoti, Luan Baçi e Asllan Dogjani, Ramadan lika, Lefter Gështenja dhe Xhelal Mziu.
Sa i përket komisionit për koncesionet në shëndetësi, posti i kryetares i është besuar Albana Vokshit me anëtarë Zheni Gjergji, Ina zhupa Edmond Spaho, Sajmir Korreshi dhe Petrit Vasili. Nga PS, do jetë socialisti Toni Gogu për të dhënat e sistemit TIMS, e ndërsa për koncesionet në shëndetësi, Plarent Ndreca, ndërsa emrat e anëtarëve priten të zyrtarizohen në një moment të dytë.
Ngritja e komisioneve hetimore ishte një kërkese e padiskutueshme e opozitës që u bë edhe shkak për bojkotin dhe nisjen e një aksioni, që kulmoi me flakadanë, tymuese dhe bilbila në Kuvend. Megjithatë, ngritja e këtyre Komisioneve erdhi pasi mazhoranca me votat e saj ndryshoi ligjin për Komisionet dhe zërat kritik brenda Rithemelimit, por edhe në Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, nuk e cilësojnë si një fitore të opozitës, por si një talljes e kryeministrit Edi Rama me ta.