Civici: Hiqet tavani i përfitimit
Këtë vit skema e subvencionit për fermerët vjen me shumë ndryshime si në aspektin financiar, po ashtu edhe në shtimin e kategorive përfituese. Zv.ministri i Bujqësisë, Enio Civici sqaron të gjitha kategoritë dhe tavanin e përfitimit.
Enio Civici (Zv.ministër i Bujqësisë): Tashmë pagesat do kryhen direkt me llogarinë bankare të fermerit apo aplikantit. Më pas tek serat vazhdon mbështetja me 200 mijë lekë të reja për hektar, nga 1 deri në 5 hektar. Mbi 5 hektarë hiqet tavani dhe vazhdon mbështetja me 50% në parimin e proporcionalitetit. Risi e skemës është përfshirja e sektorit të bimëve aromatike dhe medicinal me një masë mbështetëse prej 30 mijë lekësh të reja për hektarë. Në rastin e të imtave është 1200 lekë për krerë nga 100 deri në 300 krerë, ndërsa në rastin e gjedhëve është 10 mijë lekë për krerë deri në 50 krerë.
Gjithashtu edhe interesi i fermerëve ka qenë i lartë vitet e fundit dhe synimet janë që këtë vit numri i përfituesve t’i kalojë 70 mijë.
Enio Civici (Zv.ministër i Bujqësisë): Kemi parë një rritje të masës së aplikantëve e njëkohësisht masës së përfituesve vitet e fundit. E kemi nisur me më pak se 10 mijë, në 2023-in arritëm në 65 mijë dhe ndërkohë kjo skemë e vitit 2024 parashikon të mbështesë mbi 75 mijë fermerë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u bën thirrje fermerëve që kanë mundësi të aplikojnë deri më 19 Prill në çdo pikë, ndaj nuk ka vend për panik dhe krijimin e radhëve të gjata./O.S