Emigrantët shqiptarë dërguan për të afërmit e tyre në Shqipëri 930 mln euro gjatë vitit 2023. Kjo sasi parash tejkalon vitin 2022 me rreth 100 mln euro më shumë, dhe çdo vit tjetër që nga 2008-a, kur Banka e Shqipërisë pasqyron të dhënat.
Rritja e ndjeshme e remitancave në vendin tonë ka nisur që me pandeminë, por është theksuar edhe më shumë me krizën e çmimeve të vitit të kaluar. Në total, rezulton se shuma e dërguar vitin e kaluar është 11% më e lartë se në vitin 2022.
Gjithashtu, shifrat tregojnë se tremujori i fundit i vitit ka thyer rekord historik, me rreth 252 milionë euro dërgesa, ose 4% më shumë se fundviti 2022.
Studimet tregojnë se janë më shumë se 40 mijë familje që marrin rregullisht nga të afërmit e tyre para, të cilat konsiderohen edhe si paga mujore.
Me paratë e dërguara, vitin e kaluar, emigrantët kanë ndikuar mjaftueshëm për të zbutur krizën e çmimeve të larta, për ushqime apo shpenzime të tjera të nevojshme.
Remitancat përbëjnë 9 deri në 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe burimi kryesor për Shqipërinë janë vendet e Bashkimit Europian./E.T